Ngecin depozitat në nëntor, rriten lehtë në lekë, bien në valutë
Muaji nëntor ka sjellë një ngadalësim të kursimeve në banka, të ndikuar kryesisht nga ecuria e dobët e depozitimeve në valutë, por edhe ato në lekë kanë shënuar rritje më të ulët krahasuar me muajt e mëparshëm.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë bënë të ditur, se stoku i kursimeve në lekë në fund të muajit nëntor ishte 690 miliardë lekë, me një rritje prej 0.4%, ose rreth 2.8 miliardë lekë më shumë në krahasim me muajin e mëparshëm. (Një muaj më parë, kursimet u shtuan me 6.6 miliardë lekë).
Rritja në muajin nëntor ka ardhur pothuajse tërësisht nga individët, që kanë shtuar depozitimet në banke, si pa afat ashtu dhe me afat, pavarësisht ciklit në ulje të normave të interesit, pas lehtësimit të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, që e ka reduktuar normën bazë në 2.5%, nga 3.25% që ishte deri në maj 2024.
Megjithatë ngadalësimi i rritjes mund të jetë një sinjal se rënia e normave të interesit ka filluar të japë efekt te preferencat e depozituesve.
Me bazë vjetore (nëntor 2025/nëntor 2024), depozitat në monedhën vendase janë rritur me 14%, ose gati 85 miliardë lekë më shumë.
Ndryshe nga ato në lekë, kursimet në valutë ishin në rënie të lehtë në nëntor.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në monedhën e përbashkët ishte 8.62 miliardë euro në fund të muajt nëntor, me një rënie prej 44 milionë euro, ose 0.5% më pak në raport me muajin e mëparshëm. (Një muaj më parë depozitat në euro ishin rritur me 36 milionë euro.)
Rënia është ndikuar më shumë nga korporatat private e publike, por edhe indiviët shënuan tkurrje.
Me bazë vjetore (nëntor 2025/nëntor 2024), depozitat në monedhën e përbashkët janë rritur me 7.8%, ose 615 milionë euro më shumë.
Banka e Shqipërisë e raporton totalin e kursimeve (lekë plus valutë) të konvertuara në lekë. Në fund të nëntorit, stoku total i depozitave ishte 1.45 trilionë lekë, me një rritje me bazë vjetore prej 116 miliardë lekësh, ose 8.7% më shumë.
Stabilizimi i euros ka ulur ndikimin që rënia e kësaj të fundit dha në tkurrjen e kursimeve në valutë në momentin që ato raportohen në euro.
Të matura sipas monedhave përkatëse, në një vit depozitat në lekë janë rritur me 85 miliardë lekë (rreth 850 mln euro) dhe ato në euro me 615 milionë euro, me një total prej gati 1.47 miliardë euro që janë shtuar në sistem për një vit./Monitor
KOHA JONË SONDAZH

