Qumështi i lopës nga fermerët rritet 40-50%, nëse nuk do merren masa, prodhimi vendas nuk do mbulojë nevojat e fabrikave

Rritet 40 deri 50% çmimi i qumështit të lopës për fabrikat e përpunimit.

Shoqata e Përpunuesve të Qumështit tha për Monitor se aktualisht fabrikat po furnizohen nga fermeri me qumësht me çmim 60 deri 70 lekë pa TVSH, nga 40 deri 50 lekë që ishte më parë.

Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit, Donjaldo Hoxha pohon se përveç shtrenjtimit të lartë të çmimet fabrikat po hasin vështirësi në gjetjen e qumështit të freskët, për shkak të rënies së lartë të prodhimit. Sipas tij, nuk do të merren masa dhe të bëhen ndërhyrje në ndihmë të blegtorisë, prodhimi vendas shumë shpejt nuk do mbulojë nevojat e përpunuesve.

Hoxha thekson se arsyet kryesore të kësaj situate janë rënia e numrit të krerëve, rritja e tejskajshme e kostove të fermerëve për të prodhuar një litër qumësht dhe informaliteti ne rritje që po e vështirëson çdo ditë e më shumë sektorin e përpunimit.

“Situata në sektorin tonë të përpunimit të qumështit është duke u vështirësuar nga dita në ditë. Kostot janë rritur në të gjitha drejtimet. Konkretisht lënda e parë e qumështit blihet më shtrenjtë, energjia elektrike kushton më shtrenjtë, çmimi i gazit është rritur dhe do të kushtojë edhe më shtrenjtë pas vendosjes së akcizës nga data 1 korrik, çmimi naftës dhe materialeve paketuese është rritur. Të gjitha këto kosto të shtuara kanë vendosur sektorin e përpunimit të qumështit në vështirësi shumë të mëdha dhe në një të ardhme të zymtë. Sektori rrezikon të mos jetë konkurrues në treg, veçanërisht me produktet e importit.

Ndërkohë blegtoria vazhdon në rënie dhe numri i krerëve pakësohet përditë. Sipas të dhënave të INSTAT për 2021 në vend numri i dhive ra 3% krahasuar me 2020, numri i deleve ra 5% dhe i gjetheve 7% më pak.

Përfaqësuesi i Shoqatës së përpunuesve të Qumështit tha se ndërhyrja nga instancat përkatëse është e domosdoshme, por deri tani nuk ka pasur asnjë masë dhe nuk është dhënë asnjë ndihmë.

“Të ndodhur të vetëm , blegtoria dhe përpunimi i qumështit, do të shkojnë drejt një situate të errët dhe një falimenti të sigurt. Kërkesat dhe sugjerimet tona vazhdojnë të jenë të njëjtat:

Mbështetje 10 lekë/litër qumësht të prodhuar nga blegtorët që dorëzohet në pika grumbullimi dhe përpunimi të licencuara
TVSH 6% në shitje në sektorin e përpunimit të qumështit
Skema mbështetëse direkte në bujqësi të përafruara me rajonin”.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 sasia e grumbulluar e qumështit të lopës ishte me rënie 7,4% krahasuar me 2020, ndërsa sasia e grumbulluar e qumështit të deles dhe dhisë paraqitet me rritje përkatësisht me 26,3% dhe 8%.

Ndërsa importet e importet e qumështit për 2021 shfaqen me rritje rreth 43% më shumë se 2020. 56% të totalit të qumështit me jashtë e zënë importet nga Italia, 16% e qumështit vjen nga Serbia, 14% nga Bosnje-Hercegovina dhe pjesa tjetër nga Kosova, Maqedonia dhe shtete të tjera të Europës. Për 2021 rritja më e lartë e importeve të qumështit ishte nga Serbia 71% më shumë se në 2020.

Nga përfaqësues të sektorit është ngritur shpeshherë shqetësimi për rritjen e kostove të prodhimit nga heqja e skemës së TVSh-së së kreditueshme. Në 2017 rimbursimi i TVSH ishte 20 %. Më pas nga 2018 e në vazhdim u bë 6%, më pas nga 2022 u bë 0%.

TVSH-ja e inputeve bujqësore ishte 20%, pastaj u bë 0% në 2018 dhe shkoi 10% në 2022. Paketa e re fiskale e vitit 2022 shtoi edhe akcizë 6 lekë për litër për gazin, nga data 1 korrik, pikërisht në momentin kur çmimet e gazit janë më të larta ndër vitet e fundit.

Donjaldo Hoxha nga Shoqata e Përpunuesve së Qumështit veçon se bujqësia dhe sektori përpunimit janë shembull konkret sesi mund të dëmtohet dhe riskohet jashtëzakonisht shumë nga ndryshimet e shpeshta të paketës fiskale.

“Ndryshimet e shpeshta te paketës fiskale nuk janë asnjëherë ndihmë, por çorientim i vazhdueshëm në lidhje me aktivitetin e biznesit. Akoma më e vështirë dhe çorientuese është për fermerin dhe biznesin bujqësor, sepse sapo përshtaten me një politikë të caktuar fiskale, menjëherë ndryshohet duke mos u dhënë mundësinë të zhvillohen apo planifikojnë hapa afatgjatë, sepse parametrat fiskale lëvizin nga viti në vit”. /Monitor

SHKARKO APP