Rama “zbulon” kartën energjetike, Tropoja në qendër të lojës
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se projekti për ndërtimin e parkut të energjisë së rinovueshme me erë në Tropojë do të thellojë ndjeshëm diversifikimin e portofolit energjetik të Shqipërisë dhe do të përforcojë sovranitetin energjetik të vendit.
Në nisje të podkastit “Flasim”, Rama u ndal te zhvillimet kryesore të javës, duke veçuar projektin madhor të parkut eolik në Tropojë si një nga hapat më të rëndësishëm në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe sigurisë energjetike.
“Kjo javë ka qenë e rëndësishme edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik, pasi kemi hedhur një hap tjetër të rëndësishëm drejt sovranitetit energjetik. Kjo do të forcojë themelet e ekonomisë dhe do të na afrojë me momentin kur Shqipëria nuk do të ketë më nevojë të përdorë taksat e qytetarëve për të importuar energji nga jashtë”, u shpreh kryeministri.
Rama vlerësoi gjithashtu nisjen e fazës së dytë të projektit të parkut eolik në Tropojë, i cili parashikon një kapacitet prodhimi prej 600 megavatësh.
Sipas tij, kjo fazë shënon finalizimin e një përpjekjeje të përbashkët rreth dyvjeçare me kompaninë amerikane CWP, një nga lideret europiane në fushën e energjisë së rinovueshme.
“Falë një procesi parapërgatitor, i cili është faktikisht më i shkurtër se vetë procesi i ndërtimit, kam bindjen se brenda rreth 12 muajsh pune efektive, duke përjashtuar periudhat e vështira të dimrit, parku eolik do të lidhet me rrjetin kombëtar të prodhimit të energjisë. Kjo do të bëjë të mundur që Shqipëria të thellojë më tej diversifikimin e portofolit të saj energjetik”, përfundoi Rama.
KOHA JONË SONDAZH

