Sejko: Papunësia në vend ka rënë në minimumin e ri historik

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko thotë se papunësia në vend ka rënë në nivelin më të ulët historik, përgjatë viteve të fundit. Për të norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7%.

Gjatë prezantimit të Raportit Vjetor të Bankës së Shqipërisë për vitin 2023 në Kuvend, Sejko foli edhe për rritje ekonomike, që sipas tij u mbështet nga disa faktorë, që nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe i eksportit të shërbimeve të turizmit.

“Sipas të dhënave të INSTAT-it, ky tregues u rrit me 3.5% gjatë vitit të shkuar. Paralelisht me të, punësimi u rrit me 2.2%, paga mesatare në sektorin privat u rrit me 13%, ndërsa norma e papunësisë zbriti në minimumin e ri historik prej 10.7%.

Rritja ekonomike u mbështet nga zgjerimi i konsumit familjar, i investimeve private, si dhe i eksportit të shërbimeve të turizmit, ndërkohë që politika fiskale ruajti një kah konsolidues. Në aspektin makroekonomik, rritja ekonomike pasqyroi bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, përmirësimin gradual të besimit të bizneseve dhe familjeve, zgjerimin e kredisë bankare, inflacionin në rënie, tregun e fortë të punës, si dhe rritjen e shpejtë të të ardhurave nga turizmi”, tha Sejko.

SHKARKO APP