S’ka punëtorë, edhe privati po rrit pagat
Edhe bizneset private po rrisin pagat për punonjësit. Mungesa e fuqisë punëtore, për shkak të emigrimit të pandalshëm ka shkaktuar boshllëqe të forta në tregun e punës dhe shumë industri po punojnë me kapacitet të reduktuar ose po importojnë punëtorë nga jashtë.
Të dhënat tregojnë se paga mesatare në sektorin privat ka arritur në mbi 70 mijë lekë, me një rritje prej mbi 19 mijë lekë ose 27.2% në katër vitet e fundit. Rritja e pagave në shtet ka qenë më e ndjeshme, veçanërisht me premtimin e kryeministrit Rama për ta çuar mesatarisht në 900 euro pagën në sektorin publik.
Aktualisht, një i punësuar në shtet paguhet mesatarisht mbi 85 mijë lekë dhe rritja në katër vitet e fundit ka qenë mbi 30 mijë lekë ose 35.2%. Sa nga kjo rritje pagash ka përfunduar si e ardhur shtesë në xhepat e të punësuarve? Kjo duke pasur parasysh rritjen e çmimeve, që ka qenë e ndjeshme veçanërisht pas luftës në Ukrainë.
Në katër vitet e fundit, inflacioni ose siç njihet ndryshe treguesi që mat koston e jetesës në vend është rritur me një total prej 15.1%, dhe është pikërisht kjo rritje e çmimeve që ka gërryer një pjesë të rritjes së pagave që kanë bërë si Klodian Muço, ekspert për ekonominë. Duke bërë zbritjen e inflacionit rezulton se në katër vite, pagat në shtet janë rritur në total me rreth 20% ose 5% në vit. Ndërsa rritja e pagave në privat ka qenë rreth 12% për katër vite, ose rreth 3% në vit.