
Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka reaguar pas takimit të kryeministrit Edi Rama me strukturat e policisë, në kuadër te masave të marra për protestën e studentëve.
Kreu demokrat tha se Rama përdori gjuhë fyese ndaj studentëve dhe gjimnazistëve.
“Sot, padrinoja i Shqipërisë, kreu i narkoshtetit, e nisi ditën me një ligjëratë që ngjante si dy pika uji me ato që mund të shkruante i ati i tij, xhelati që firmoste me gjakftohtësi varjen në litar të kundërshtarëve politikë për vargjet e tyre.
Ai e nisi ditën e punës si i ati, por edhe si nip i një tjetër xhelati të diktaturës, i cili kërkonte të fuste tanket dhe mitralozat kundër studentëve në vitet ’90.
Sot, Edi Rama, me gjuhën e një narkobanditi ordiner, përdori çdo etiketim kundër studentëve dhe gjimnazistëve, të cilët, në të vërtetë, janë në një mision çlirimtar: çlirimin e popullit nga diktatura më e egër që ka njohur historia e tij, një diktaturë e bazuar te droga, krimi dhe vjedhja e qytetarëve.
Edi Rama i quajti studentët dhe gjimnazistët të pashkollë, i quajti injorantë, njerëz të gurit e, madje, edhe terroristë”, tha Berisha në një dalje për mediat.
