
Partia Demokratike refuzon dhe nuk do të marrë pjesë në konsultimet e thirrura nga Presidenti Bajram Begaj, për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027. Takimi është parashikuar të zhvillohet më 30 tetor, ku kreu i shtetit ka ftuar përfaqësuesit e grupeve parlamentare për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Partia Socialiste dhe forca të tjera politike kanë pranuar ftesën e Presidentit Begaj dhe pritet të marrin pjesë në konsultime.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi shprehet se ftesa e Presidentit është e shpërfillshme dhe se kreu i shtetit, sipas tij, nuk po e ushtron realisht funksionin kushtetues. Ai e akuzon Begajn se po vepron në shërbim të kryeministrit Edi Rama, në vend që të përfaqësojë institucionin e Presidentit të Republikës.
Postimi i plotë nga Gazment Bardhi
Sapo jam njohur me shkresën e Institucionit të Presidentit për thirrjen e konsultimeve lidhur me datën që Edi Rama ka paracaktuar për zgjedhjet e ardhshme vendore. E përbuz me neveri këtë teatër politik.
Ftesa e Bajram Begajt është tërësisht e shpërfillshme dhe nuk meriton as koment. Për fat të keq, Shqipëria nuk ka një President të Republikës që përmbush rolin e tij kushtetues, por një ministër pa portofol në shërbim të Edi Ramës.
Shqiptarët janë në shesh për të kërkuar, ndër të tjera, garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nëse Shqipëria do të kishte një President që e ushtron realisht funksionin e tij kushtetues, ai do ta trajtonte këtë çështje si një emergjencë demokratike dhe do t’u përgjigjej me seriozitet shqetësimeve që prej muajsh po i nxjerrin qytetarët në shesh.
Në vend që të heshtë përballë këtyre shqetësimeve, Presidenti duhet të ishte zëri i Kushtetutës, i demokracisë dhe i qytetarëve. Por, në vend që të përmbushë këtë detyrim, ai zgjedh të mbetet në rolin e një spektatori, duke i shërbyer pushtetit në vend që të mbrojë institucionin që përfaqëson.
Zgjedhjet vendore 2027, presidenti Begaj thërret partitë! Ja kur caktohet data
