Erisa Xhixho: Më 25 Prill duhet të garantojmë ndryshimin. Të ndëshkojmë ata që nuk mbajtën premtimet
Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho ka zhvilluar sot takime me banorë të lagjes “Ali Demi” në Tiranë. Xhixho është njohur nga afër me shqetësimet e pensionistëve, të cilët duhet të përballojnë jetesën me pension të pamjaftueshëm, si dhe me problemin e të rinjve që ikin nga vendi, për shkak të mos gjetjes së hapësirave për të ndërtuar jetën këtu.
Në një mesazh në Facebook, Xhixho shprehet se zgjedhjet e 25 prillit janë mundësia që qytetarët të vendosin vetë për fatin e tyre dhe të familjeve shqiptare.
Mesazhi i plotë i Erisa Xhixhos në Facebook
Sot na mirëpriti në shtëpinë e saj si muze në “Ali Dem” nëna Fatmira, zonjë fisnike dhe me një mirësi mbreslënëse.
Në bashkëbisedimin tonë, në një kafe miqësore, ajo shprehu shqetësimin e saj për pensionin e pamjaftueshëm për të përballuar nevojat bazike shëndetsore dhe jetike po dhe mallin për mbesën që është larguar prej vendit.
Situata e vështirë ekonomike, me të cilën përballen shumë shqiptarë, vjen si pasojë e raportit të pabalancuar mes të ardhurave që janë më të ulëtat për rajonin dhe çmimeve që janë ndër më të lartat.
Gjithashtu shpopullimi ndikon në uljen e fondit të pensioneve, pasi gjithmonë e më pak të rinj po kontribuojnë në këtë fond me pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Ne duhet të krijojme një standard më të mirë jetese për ata që kanë kontribuar për këtë vend.
Më 25 Prill duhet të garantojmë ndryshimin për t’i ofruar një cilësi më të mirë jetese çdo qytetari dhe ndeshkuar ata që nuk mbajtën premtimet dhe gënjyen.