Home Bota “Europa...

“Europa e Lirë”: Irani mund të sulmojë Izraelin*

527
0

Strategjia parandaluese e Iranit kundër Izraelit është goditur rëndë prej shpërthimit të luftës në Gazë – sidomos pas sulmit të fuqishëm në konsullatën iraniane në kryeqytetin e Sirisë më 1 prill.

Tetëmbëdhjetë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike, përfshirë gjeneralë kyçë janë vrarë në Siri në ato që dyshohet se kanë qenë goditje izraelite qysh prej ditëve të para të dhjetorit të vitit të kaluar.

Mirëpo, Irani është përmbajtur nga përgjigja direkte ndaj Izraelit dhe ndërkohë ka tentuar të rrisë mbështetjen për “Boshtin e Rezistencës” – rrjetin e vet të aleatëve në rajon – që përmes tij ta luftojë Izraelin.

Megjithatë, sulmet vdekjeprurëse në konsullatën iraniane në Damask mund të nxisin Iranin që të aktivizojë përgjigje direkte, kanë thënë ekspertët.

Të rrethuara me ambasadën iraniane dhe atë kanadeze, ndërtesa e konsullatës së Iranit dhe rezidenca e ambasadorit iranian, është raportuar të jenë goditur me gjashtë raketa dhe janë shkatërruar krejtësisht.

Shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, përfshirë gjeneralin e lartë të forcave Quds, Mohammad Reza Zahedi, janë vrarë në sulm.

Zyrtarët iranianë, sikurse bëjnë vazhdimisht, janë zotuar për hakmarrje, ndërsa lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei është zotuar më 2 prill se Izraeli do të “ndëshkohet prej burrave tanë të guximshëm”.

Ndonëse kërcënimet e tilla prej Teheranit nuk përbëjnë diçka të re, analistët kanë thënë se iranianët këtë herë do të mund ta përmbushin premtimin.

“Irani nuk ka shumë opsione të mira, mirëpo sulmi i 1 prillit mund t’ia forcojë krahun”, ka thënë Farzan Sabet, hulumtues i lartë në Qendrën për Qeverisje Globale, me bazë në Gjenevë.

Sulmet e kaluara në interesat iraniane në Siri, që dyshohet se janë kryer prej Izraelit, kanë pasur shënjestër zona ushtarake që përdoren prej Gardës Revolucionare Islamike dhe ndihmësve të tij.

Sulmi i 1 prillit ka qenë i pari në një ndërtesë diplomatike të Iranit.

Ambasadori iranian në Siri, Hossein Akbari, i ka thënë televizionit shtetëror se në këtë sulm janë vrarë tre persona që kanë pasur kredenciale diplomatike.

Irani e ka akuzuar Izraelin për shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe ka kërkuar që rasti të dënohet në nivel global.

(Marrë me shkurtime nga “Europa e Lirë”)

*Titulli i redaksisë KJ

 

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Më shumë nga Kryesore

Me shume nga Kryesore

Lajmet e Fundit

Te Fundit