12 maji është ditë përkujtimi për meshtarin martir, dom Dedё Malaj, pushkatuar më 1959

Më 12 maj kalendari kishtar përkujton të Lumin dom Dedë Malaj, meshtar e martir i Krishtit në periudhën e regjimit komunist në Shqipëri.
Dom Dedë Malaj qe meshtar i bindur, tërheqës, bujar, me zemër të bardhë dhe në të njëjtën kohë guximtar, veçanërisht në mbrojtjen e fesë e të Kishës Katolike. Kur predikonte shfaqte një pasuri shumë të fortë shpirtërore. Guximi i tij u shfaq edhe në burg ku, siç ka dëshmuar Nikollë Gurraj, “megjithëse ishte e rrezikshme, rrëfeu shumë vetë”.
Dom Deda punoi me zell duke lënë gjurmë të gjallë të përkujdesjes së tij meshtarake ndaj të gjithëve. Ushqeu për veten dhe kultivoi edhe tek të tjerët një devocion të fortë për Zojën e Këshillit të Mirë.
Dom Deda e kundërshtonte komunizmin për faktin se kjo ideologji ka synuar gjithmonë shkatërrimin e njerëzimit. Shkak i arrestimit e martirizimit të tij është besnikëria e tij e fortë ndaj Kishës së Romës që e çoi në mosfirmosjen e Statutit të miratuar nga rregjimi për Kishën Katolike. Por edhe pse kjo gjë e tërbonte rregjimin, dom Dedën nuk e frikësonte. Përkundrazi ai u mundua të informonte botën e lirë perëndimore për atë që po ndodhte në Shqipëri.
I Lumi Dom Dedë Malaj me guxim deklaroi se e kundërshtonte komunizmin, se e admironte revolucionin hungarez të vitit 1956, e pastaj foli për mundimet e popullit shqiptar, për pasuritë e këtij vendi që dërgoheshin në Bashkimin Sovjetik, për kolektivizimin e bujqësisë që ishte shkatërrim për fshatarësinë. Në fund tha: E premtja e zezë ka ardhur në Shqipëri me datë 29 nëntor 1944 dhe do të zgjasë derisa të perëndojë komunizmi.
Në fillimin e nëntorit të vitit 1958 dom Dedë Malaj u arrestua për të dytën herë në famullinë kishtare në Dajç dhe u burgos në Shkodër. Edhe pse torturat i kishte pa hesap, gjithësesi komunistët nuk arrinin ta përkulnin forcën e tij shpirtërore. Ndërsa kur iu komunikua vendimi i dënimit me pushkatim tha se: ishte krenar që po pushkatohej si prift katolik, për Shqipërinë dhe për veshjen që mbante si meshtar i Krishtit.
Vendimi për dënimin e dom Dedës u mor më 27 prill 1959 dhe ekzekutimi i tij u bë në Breg të Liqenit të Shkodrës, afër vreshtave të Shtojit më 12 maj 1959, pesë ditë para Rrëshajëve, kur ishte në moshën 42 vjeç. Duke e vrarë rregjimi mendoi se e kishte zhdukur, ndërsa Dom Deda qëndron sot më i gjallë se kurrë.
Radio Vatikan

SHKARKO APP