A po e rrezikon lavdia efemere* e mediave sociale famën e Blendi Fevziut me “Opinion”?!

Nga Albert Vataj
Për një kohë të gjatë, përtej dallimeve të brezave dhe prirjeve, emri i Blendi Fevziu ishte i pandashëm nga Opinion. Një simbiozë e ndërtuar mbi ritin e përjavshëm të debatit, mbi autoritetin e fjalës dhe mbi një strukturë që, për vite me radhë, (afro tre dekada), ka diktuar jo vetëm ritmin e diskursit publik, por shpeshherë edhe narrativën e vetë realitetit politik e shoqëror në Shqipëri. “Opinion” nuk ishte thjesht një emision, ishte një arenë, një tribunal, një laborator ku përpunohej dhe riciklohej mendimi publik dhe jo vetëm.
Por sot, kjo njësi e fortë identitare duket se po shpërbëhet në një shumësi pranishmërish. Blendi Fevziu nuk është më vetëm “Fevzo i TV Klan”. Ai është një figurë e kudogjendur në universin digjital, një protagonist i përhershëm në YouTube, TikTok, Facebook, Instagram, ku rolet ndërrohen me një shpejtësi që shpesh i ngjan një kaleidoskopi identitetesh, herë analist, herë udhëtar, herë promovues, herë rrëfimtar i vetes në fragmente të përditshmërisë.
Ky shumëzim i figurës publike, që në një optikë mund të lexohet si zgjerim ndikimi dhe adaptim me kohën, në një tjetër mund të shihet si një proces i rrezikshëm shpërqendrimi. Sepse ajo që ndërtoi autoritetin e tij, përqendrimi, graviteti, rituali i debatit të strukturuar, rrezikon të zbehet përballë logjikës së shpejtë, fragmentare dhe shpesh sipërfaqësore të mediave sociale. Në këtë kuptim, kemi një kalim nga “institucioni Fevziu” te “fenomeni Fevziu”, nga pesha te prania, nga ndikimi te dukshmëria.
Duhet thënë se Opinion ka qenë për vite një mekanizëm i fuqishëm legjitimimi publik. Politikanë, figura publike, analistë, të gjithë kalonin përmes kësaj “porte”, ku fjala merrte një lloj vule. Ishte një hapësirë ku ndërtoheshin dhe rrëzoheshin narrativa, ku “pagëzoheshin” figurat dhe ku, në mënyrë të tërthortë, ndikoheshin edhe konfigurime pushteti. Kjo është arsyeja pse çdo devijim nga ky fokus qendror nuk është thjesht një zgjedhje personale, por një riformatim i një peshe publike të ndërtuar me dekada.
Në këtë prizëm, prania e tij e tejskajshme në rrjete nuk është vetëm një zgjerim aktiviteti, është një rikonfigurim identiteti. Dhe çdo rikonfigurim mbart rrezikun e eklipsimit të bërthamës. Sepse publiku që e ka ndjekur për vite nuk e ka kërkuar si figurë poliedrike të shpërndarë në çdo platformë, por si një zë të përqendruar, të qëndrueshëm dhe autoritar në një hapësirë të caktuar.
Paradoksi qëndron pikërisht këtu, në përpjekjen për të qenë kudo, rrezikon të mos jetë më aty ku është më i fortë. Në ndjekje të klikimit, rrezikon të relativizojë peshën. Në kërkim të një audience të re, mund të zbehë besnikërinë e asaj ekzistuese.
Megjithatë, Opinion mbetet ende një markë e fortë. Edhe në një peizazh mediatik të fragmentuar, edhe mes një kakofonie emisionesh dhe debatesh të improvizuara, ai ruan një lloj graviteti që nuk shpërbëhet lehtë. Pyetja nuk është nëse “Opinion” do të mbijetojë, por nëse Blendi Fevziu do të zgjedhë ta mbajë atë si boshtin e identitetit të tij publik, apo do ta shpërndajë veten në një shumësi rolesh që, sado tërheqëse në dukje, mund të rezultojnë në një amortizim të figurës.
Kësisoj, kjo nuk është thjesht një çështje mediash, por një dilemë klasike e figurave publike të kalibrit Blendi Fevziu në epokën digjitale. A është më e vlefshme të jesh i kudogjendur, apo i pazëvendësueshëm në një vend të vetëm?
* E përkohëshme
KOHA JONË SONDAZH

