Alfred Peza: Edhe lexoni ndonjë libër, kolegë gazetarë!
Alfred Peza autor i librit “Sarah” një libër i kërkuar në Panairin e Librit të këtij viti, ka bërë një shkrim në statusin e tij facebook:
Nga Alfred Peza.
“Ndihem me fat që më dhatë mundësinë të përjetoja një hyrje të tillë në tempullin e letërsisë. Në më pak se dy muaj jetë, nëpërmjet Jush romani “Sarah” më ka dhënë një kënaqësi të papërjetuar kurrë më parë, duke më bërë të ndihem në një përmasë tjetër, të re.
Kjo ndjesi prekëse dhe obliguese, nuk ka të bëjë aspak me tirazhet dhe kopjet e shitura, por me diçka krejt tjetër. Vetëm këto javë më kanë bërë që ta ndjej realisht magjinë e artit të të shkruarit dhe fuqinë e pashoqe, duke më dhënë mundësinë e papërsërtishme që të njoh shumë njerëz që nuk do kisha ndoshta kurrë fatin ti takoja në ndonjë rrethanë tjetër. Ata më kanë bërë që të kuptoj se libri nuk ka vdekur, se leximi nuk ka vdekur, se letërsia nuk ka vdekur dhe se e bukura nuk vdes kurrë në Shqipëri.
“Sarah” hyri në jetën shqiptare në këtë vjeshtë të 2017, siç edhe vetë personazhi gati një shekull më parë në realitet, si në një ballo e ftuar nga mbreti i tempullit të letërsisë: Lexuesi. Kjo më bën të ndjehem si edhe Ajo, i shënjuar nga fati, që Mbreti më zgjodhi mua për vallëzimin e parë.
Përveçse një festë letrare dhe e botimeve, romani u shndërrua në një temë të re bisedash, komunikimi, debatesh dhe në një gjenerator sado i vockël fenomenesh sociale. Duke prodhuar histori me emrin Sarah dhe rreth saj. Nuk e dija më parë se sa “Sarah” paska patur ky vend, derisa kam takuar aq shumë prej tyre saqë më kanë mbushur me një ndriçim të brendshëm, duke besuar se sa shumë më tepër do takoj në të ardhmen.
Jam ndjerë më shumë se i vlerësuar që personalitete të letrave shqipe, krijues, shkrimtarë kolegë gazetarë, kanë shkruar gjëra fantastike rreth librit tim. Sikundër kam mirëkuptuar heshtjen e shumë të tjerëve, të cilët nuk iu gëzuan ardhjes së “Sarah” në jetën letrare, siç unë më parë veprave të tyre.
Kam mirëpritur kritikat e derisotme, pavarësisht se ato kanë qenë të gjitha jashtë letrare dhe nuk kanë patur aspak të bëjnë me romanin, por me emocionet e tyre personale, politike dhe historike. Çuditërisht kam zbuluar se përgjithësisht ata që vetëm kritikojnë, paskan një të përbashkët, ndoshta edhe për rastet e tjera si ky: Nuk e kanë lexuar librin. E ndoshta nuk u duhet. Kanë mirëkuptimin tim të plotë, gjithashtu.
Ajo që më ka prekur më shumë në gjithë këtë qasje të re, ka qenë inkurajimi i shumë e shumë lexuesve, që ta vijoj këtë udhë me vepra të reja. Shpresoj që ti takoj në promovimet e në Panairët e ardhshëm të Librit. Sa më përket mua, ajo që kam kuptur më mirë është se letërsia qenka kurthi më i ëmbël në botë: Nëse e kalon një herë atë derë, nuk paske më asnjë shans, që të kthehesh pas! (Alfred Peza)
Çmimet e Panairit të 20 të Librit (2017) u shpallën.
Lexuesit kanë mundësinë të njihen me veprat përkatëse dhe emrat e fituesve; “Autori i vitit” (“Yjet janë fare pranë”, Betim Muço); “Libri studimor më i mirë” (“Faik Konica, dritëhijet e një diplomati”, Agron Alibalaj); “Përkthyesi i vitit” (“Lumturia e pritjes” me autor Karmine Abate, përkthyer nga Diana Çuli); “Libri më i mirë për fëmijë” (“Unë jam Musine Kokalari” nga Persida Asllani).
Juria, që vendosi për këto çmime vjetore përbëhej nga; përkthyesi Shpëtim Çuçka, shkrimtarja Flutura Açka, gazetarja e kulturës Anisa Ymeri dhe studiuesja e letërsisë, Belfiore Qose.
“Autori i vitit 2017”, Betim Muço
“Autori i vitit” u shpall pas ndarjes nga jeta shkrimtari Betim Muço (1947- 2015) me veprën “Yjet janë fare pranë”.Me motivacion: “Për trajtimin me thellësi idesh dhe elegancë artistike e gjuhësore të temës së emigracionit në kontekst kombëtar e ndërkombëtar”.
Bashkëshortja e Betim Muços, Marta shprehet se ky libër ka qenë një përsiatje e gjatë, që fillonte nga historitë e mbledhura me dashuri nga burimi i pashtershëm i gjyshes së Betimit dhe rrënjët në Përmetin e largët. Ëndrrat e tij për astronominë dhe yjet e deri te vëzhgimet e udhëtimet e pafundme profesionale, që ai kishte pasur gjatë dhjetë viteve të para të tranzicionit shqiptar nëpër Europë e më tej, shkruan gazeta “Shekulli.” “Një nga gjetjet më të goditura të romanit për mua mbetet përcjellja e jetëve paralele të njerëzve në situata të ngjashme tranzicioni dhe transformimesh të thella. Pavarësisht ku ndodhet njeriu dhe roli që gjeografia ka në të, rrethanat jetësore e bëjnë njohjen, vuajtjen, dashurinë dhe dështimin universal pa kufij vendesh e popujsh. Koncepti panjerëzor i ndryshimeve në karakterin e njerëzve në funksion të ngjarjeve të mëdha të kohërave të ndryshme ku ata jetojnë, sikurse ishte zëvendësimi i një sistemi ekonomik e shoqëror të dështuar me një sistem të ndryshëm që sillte shpresë dhe entuziazëm, por që shoqërohej pashmangmërisht nga zhgënjime dhe transformime në natyrën njerëzore, është thelbi i romanit”.
“Vepra më e mirë studimore”, e Agron Alibalit
Për “Veprën më të mirë studimore” në fushën e letërsisë studimore origjinale u vlerësua me çmim vepra: “Faik Konica, dritëhijet e një diplomati” e autorit Agron Alibali. Motivacioni është: “Për paraqitjen me seriozit e argumentim të gjerë shkencorë të figurës së Faik Konicës”. Faik Konica, si diplomat dhe konstitucionalist: ky është këndvështrimi që juristi Agron Alibali ka për rilindasin dhe figurën e shquar shumëplanëshe të botës shqiptare. Mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivën e Legatës Shqiptare në SHBA, Alibali paraqet një personalitet jo vetëm me cilësitë, por dhe në “këndvështrimin kundërthë- nës të tij”, siç sintetizon Kadareja; një diplomat që mbahej si ndër më të shquarit në kryeqytetin amerikan, por që vetë ai mendonte se nuk i takonte aradhes së atij profesioni të nderuar e të vështirë. Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog.
“Përkthyesi i vitit”, Diana Çuli
Fituese në fushën e përkthimit u shpall Diana Çuli për përkthimin e veprës “Lumturia e pritjes” së autorit Karmine Abate me motivacionin: “Për përkthimin me shije të hollë letrare dhe gjuhë të pastër e tërheqëse”.
“Letërsia artistike për fëmijë”, Persida Asllani
Fituese në fushën e letërsisë artistike origjinale për fëmijë u shpall vepra “Më quajnë Musine Kokalari” e autores Persida Asllani. Motivacioni është: “Për portretizimin e vërtetësimin dhe me gjuhë të përshtatshme të figurës së Musine Kokalarit.”
KOHA JONË SONDAZH

