Ana e Madhe ose Ana e te gjithe ruseve
E lindur në vitin 1889, Ahmatova ishte tashmë e famshme në vigjilje të shpërthimit të Luftës së Madhe: një talent i jashtëzakonshëm poetik mishërohej në një bukuri të famshme në mjedisin bohémien të Shën Petërburgut perandorak. Por më pas jeta e saj u përmbys nga furtuna e Revolucionit bolshevik dhe nga lufta civile midis të kuqve dhe të bardhëve, nga terrori masiv i viteve Tridhjetë, nga rrethimi i Leningradit gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga represionet e paslufte, atëhere kur ajo u vu veçanërisht nën shënjestër nga Andrei Zhdanov, prokonsulli i Stalinit në fushën ideologjike. Të gjitha këto kundërshti dhe armiqësi Ahmatova i duroi me atë stoicizëm që, ndoshta, është shenja dalluese kryesore e popullit rus në shekullin e Njëzet. Siç shkruan Elein Fejnshtajn në parathënien e biografisë së saj të apasionuar, «kurajoja e saj u vu në një provë shumë të vështirë për 25 vjet, sepse nuk i lejohej të botonte asgjë dhe kohëra akoma më të vështira erdhën kur i biri dhe burri i tretë u mbyllën në gulag». Nëpërmjet poezisë së saj krenare dhe sypatrembur, Ahmatova shkriu sëbashku dramën personale dhe historinë e popullit të saj, i cili vuante për shkak të tiranisë staliniste.
Ajo u bë «goja e trazuar» me të cilën ulëret «një popull prej qindra milionësh», siç thotë tek Requiem, një prej poezive më të mëdha të saj, në të cilën përshkruan, të filtruar nëpërmjet përvojës së pësuar prej saj atëhere kur mbante radhë të pafundme përpara burgut të Leningradit, për të dorëzuar një pako të destinuar për djalin e saj, ankthin e provuar nga çdo grua ruse që kish humbur ndonjë person të dashur në jezhovçinën, Terrorin e Madh të viteve 1937 – 1938. Baraz me të gjithë poetët e mëdhenj rusë, Ahmatova paralajmëronte detyrimin moral për të mishëruar në vetëvete vetëdijen e popullit dhe qenë zëdhënëse e kujtimeve të tij. Tek “Epilogu i dytë” i Requiem, të shkruar në vitin 1940 dhe që sot miliona rusë e dijnë përmendësh, Ahmatova futet në atë teori të gjatë të poetëve rusë (linjë që zbret tek Aleksandr Pushkin dhe në fillimet e Tetëqindës) statujat monumentale të së cilës janë bërë simboli i një republike të vuajturish: «… por këto, ku qëndrova treqind orë dhe ku / nuk mu shfaqën vidat / Sepse edhe në vdekjen e bekuar kam frikë të harroj një romb marusesh të zeza,/ të harroj sesi përplasej dera e urryer / dhe – bishë e plagosur – një plakë ulërinte./ Dhe nga bebëzat e palëvizshme, të bronzta / dëbora e shkrirë rrëshqet si lot, dhe pëllumbi i burgut gugati nga larg,/ Dhe ecin anijet e qeta mbi Neva». Ahmatova tërhiqej në përvojën e saj për të rindërtuar dhe shpëtuar kujtime të tilla publike. Ajo ka endur një seri mitesh poetike rreth historisë së jetës të saj për ta bërë veten një simbol të historisë atdhe.
Në biografinë e shkëlqyer konçize të shkruar prej saj, Fejnshtajni vë në dukje konfliktin kompleks dhe ndërveprimin midis të vërtetës poetike dhe së vërtetës të rëndomtë të përvojës në jetën dhe në punën e poetit. Fejnshtajni ka një kuptim special të universit moral të poetit dhe të rolit që poetët kanë luajtur në historinë e Rusisë. Poete dhe përkthyese poezie, ajo ka shkruar biografi të mira të Pushkinit dhe Marina Cvetajevës, poetja tjetër e madhe ruse e Nëntëqindës, e cila për herë të parë e quajti Ahmatovën, sikur të ishte mbretëresha e popullit, «Ana e të gjitha Rusive». Ndjeshmëria poetike e Fejnshtajnit i dhuron librit të saj një cilësi të dallueshme, duke e diferencuar nga biografi të mëparshme (në veçanti nga ajo e Amanda Hajtit, që përfitonte nga njohuria e saj personale e të të biografurës dhe ajo e Roberta Rederit, që mbetet akoma 12 vjet pas botimit ndoshta përmbledhja më autoritare dhe erudite e jetës dhe e veprave të Ana Ahmatovës). Pjesë e madhe e asaj që është shkruar mbi Ahmatovën konsiston në memorialë. Fejnshtajni i përdor mirë tri burime të reja të rëndësishme që nuk qenë botuar akoma kur Rederi shkruante librin e saj: ditaret dhe letrat e Nikolaj Puninit, historian arti, i cili jep një përmbledhje të pasur dhe të zjarrtë të historisë së tij pasionante të dashurisë me Ahmatovën në vitet Njëzet dhe Tridhjetë; ditaret e Lidia Çukovaskajas, një prej shoqeve më të ngushta të Anës, që shkonte ta takonte përditë midis 1938 dhe 1942 dhe pastaj nga 1952 deri në vdekjen e poetes dhe kujtimet e Ema Gershtajnit, e cila pati një marrdhënie të gjatë me djalin e Ahmatovës, Lev Gumilevin. Ndoshta është një ironi e fatit që Ahmatova është bërë zëri poetik i miliona njerëzve, duke parë që shkroi pak “vargje civile”. Pothuajse e gjithë poezia e saj është personale dhe thellësisht intime. Vjen nga një botë që u shkatërrua në vitin 1917.
E lindur Ana Gorenko në një qytezë në Detin e Zi, pranë Odesës, ishte vajza e një inxhinieri detar, Andrei Gorenkos, i cili transferohet me familjen, kur ajo ishte fëmijë, në Karskoje Selo, rezidenca verore e Carit, pranë Shën Petërburgut, duke siguruar një punësim shtetëror në vitin 1890. Si adoleshente, Ana e ndryshoi mbiemrin në Ahmatova (i menduar se ishte ai i një paardhësjeje tartare nga nëna) duke qenë se i jati kish thënë se nuk e pëlqente një poete në familje. Në atë kohë, ishte në modë midis rusëve të shpiknin origjina tartare me qëllim që të dukeshin më ekzotikë (Vladimir Nabokovi pretendonte se bile rridhte nga Xhengiz Khani). Nga ana e Ahmatovës, marrja e një pseudonimi i detyrohet veç të tjerash refuzimit të asaj bote opake provinciale të aristokracisë së vogël ruse, në gjirin e të cilit kish lindur (do të shprehë gjithmonë antipati për dramat e Anton Çehovit në të cilat nuk u ofrohet asnjë rrugëdalje Ana Gorenkove të botës), por sidomos ndaj shpikjes së një personazhi letrar sipas të cilit të modelohej. Poeti Josif Brodskij, shkruan Fejnshtajni, e konsideronte zgjedhjet e pseudonimit si «poezia e parë e saj». Ahmatova e bëri hyrjen e saj në skenën letrare shënpetërburgeze në dhjetëvjeçarin e parë të Nëntëqindës, në një epikë eksperimentale dhe seksualisht të lirë, atëhere kur poetët simbolistë Aleksandr Blok e Inokentij Anenskij (që ushtruan të parët një influencë mbi të) nderoheshin publikisht si kalorës të një stili të re jete. E gjatë dhe shumë e bukur, Ahmatova spikaste si një figurë mbretërore në rrethin – dhe kabarenë – e Qenit të Tërbuar, ku poetët, sëbashku me artistë bohémiens dhe njerëz të teatrit, arrinin mëngjesin. Treguese e jashtëzakonshme, Ahmatova i jepte një lexim muzikor vargjeve të saj («në mënyrë ritmike, me një zë të thellë» siç i parodizon mizorisht stilin Nabokovi në romanin Pnin). Poezitë rinore të Ahmatovës pësojnë influencën e simbolistëve, por në vitin 1913, sëbashku me Osip Mandelstamin dhe Nikolai Grumilevin, burrin e saj të parë, ajo u fut në një grup të ri letrar, të quajtur akmeistët, të cilët, të dizintoksikuar nga misticizmi i simbolistëve, riktheheshin në parimet klasike të qartësisë, konçizitetit dhe shprehjes së saktë të përvojave emotive. Stili i thjeshtë i bënte vargjet e saj lehtësisht të lexueshëm dhe për t’u mbajtur mend, ndërsa “zëri” i tyre i fortë dhe ndjeshmëria femërore, një risi për Rusinë e kohës, ngjisnin fuqishëm mbi gratë.
Ahmatova pati shumë imituese, gjë që do ta përbuzte shumë vite më vonë. Figura më e spikatur e kabaresë “Qeni i Tërbuar” ishte aktorja Olga Sudejkina, e cila pati një influencë të fortë erotike mbi poezinë e Ahmatovës në fillimet e saj dhe qe dashuria e parë e saj lezbike. Po t’i besosh Nadjezhda Mandelstamit, Sudejkina ishte një «krijesë e bukur, jo e spikatur dhe e muhabetit». Ishte martuar me artistin Sergei Sudejkin dhe ajo e tyrja ishte një martesë shumë e hapur. Ménage à quatre i tyre me poetin Mikhail Kuzmin dhe me Vsevolod Knjazevin, që përfundoi tragjikisht më 29 mars 1923 kur ky i fundit i shtyrë nga xhelozia vret veten, pasi Sudejkina kish zënë një dashnor tjetër, mund të konsiderohet si një epitomë e amoralitetit seksual të ngulitur në shumë prej marrdhënieve të çrregullta të Ahmatovës me burra e gra. Ka deri tregues, siç nuk mungon t’i tregojë Fejnshtajni, se Ahmatova deri u ndje në faj për vetëvrasjen e ngjashme të një admiruesi të ri të refuzuar prej saj. Poetja do të rikthehet me kujtimin e kësaj periudhe rinore kur do të shkruajë Poemë pa hero, e filluar në vitin 1940 dhe e kompletuar në vitin 1963, një prej veprave të mëdha të saj. Pjesa e parë e poemës i dedikohet pikërisht Knjazevit dhe Sudejkinës. Në formën e një kortezhi karnavalor fantazmash, ajo evokon një brez të tërë miqsh të vdekur dhe figurash të Shën Petërburgut që historia i kish lënë prapa krahëve më 1913. Siç argumenton Fejnshtajni, Ahmatova e transformon historinë e jetës private të saj në një mit poetik të historisë: «Pas 20 vitesh refleksioni mbi evenimentet e jetës së saj, e shtyrë nga dëshira për të besuar në një drejtësi hyjnore, Ahmatova arriti të mendonte se egoizmi fëminor i atyre kohërave, i demostruar nga ajo dhe nga Olga, kish kontribuar në gjenerimin e tmereve të luftës dhe të represionit».
Ndryshe nga Bloku dhe shumë poetë të tjerë rusë pararojë të atëhershëm, Ahmatova nuk vinte asnjë shpresë tek Revolucioni: i ngjallte vetëm frikë. Megjithatë, pavarësisht situatës shumë mizerje në të cilën dergjej Petrogradi, ashtu siç ishte mbiquajtur Shën Petërburgu, ajo ishte e bindur se ishte mëkat nga ana e poetëve që të braktisej Rusia pas vitit. Ahmatova ishte poetja e shpëtimit, poetja e madhe e fundit e fesë ortodokse, sipas shkrimtarit Kornej Çukovskij, dhe tema e sakrificës, e vuajtje për atdheun rus, shfaqet aty këtu në të gjithë veprën e saj. Fejnshtajni mund ta kish vënë në dukje më të madhe idealin ahmatovian kristian të shpëtimit edhe pse, me të drejtë, nënvizon elementin religjioz të pranishëm në disa poezi të saj. Ana Ahmatova shikonte tek Revolucioni një ndëshkim të imponuar për mëkatet e botës. Kështu që mendonte se ishte detra e saj të këqyrte ato të kryera nga Rusia nëpërmjet “lutjeve” në formën e poezisë. Tek Furtuna e bardhë, botuar në shtator 1917, ajo identifikohet në vejushat në zi për burrat e vrarë në luftë. Siç zbulon Fejnshtajni, këtu «e gjithë Rusia u bë trupi i Krishtit»: «Plagosin trupin tënd shumë të shenjtë,/ i shyejnë me radhë rrobat e tua». Edhe këtu Ahmatova ndërthur veten e saj dhe vuajtjet imagjinare të një poeti mitik të sakrificës kombëtare dhe të shpëtimit. Ana Ahmatova nuk kish humbur bashkëshort në luftë, por Gumilevi (nga i cili ishte divorcuar në vitin 1918) u arrestua nga bolshevikët dhe u çua drejt vdekjes pa proces në vitin 1921. Ishte akuzuar se kish marrë pjesë në një konspiracion carist (nga arkivat e KGB-së të të mundësuara kohët e fundit rezulton se edhe ai ishte kufizuar të thoshte se, sikur të kish shpërthyer një revoltë popullore kundër qeverisë sovjetike, do të kish aderuar në të). Gumilevi qe poeti i parë i shquar që u ekzekutua nga komunistët, por shumë të tjerë shpejst do të pësonin të njëjtin fakt.
Në vijim të vdekjes së tij, u krijua ndjesia se një linjë kufiri ishte kaluar dhe se vlerat e qytetërimit të vjetër tashmë qenë letër e vdekur. Ahmatova likuidohej tashmë si një eksponente e së kaluarës. Në vitin 1922 Trocki sulmoi poezinë e saj, duke e quajtur «letërsi të parëndësishme dhe të huaj ndaj revolucionit». Stili lirik dhe intimist i saj konsiderohej i papajtueshëm me rendin e ri sovjetik, në të cilin poeti mendohej të zhvillonte temat e mëdha të detyruara nga Revolucioni. (Deri Mandelstami u desh të deklarojë se vargjet lirike qenë të papërshtatshme ndaj artit sovjetik, duke qenë se epoka historike nuk kishte më «asnjë interes për individin dhe fatin e tij njerëzor»). Poetë të tjerë të brezit të saj, si Boris Pasternaku, arritën që t’i përshtateshin klimës së re revolucionare apo, si Vladimir Majakovski, e pranuan goxha mirë. Kurse Ahmatova i thellonte rrënjët e saj në atë traditë klasike që ishte përbuzur në vitin 1917 dhe, për të, ishte e vështirë që të kish të bënte me ambientin e ri sovjetik. Nga viti 1925, megjithëse jozyrtar, ishte në fuqi ndalimi i botimit të veprave të Ana Ahmatovës. Fejnshtajni mendon se një praktikë e tillë ishte urdhëruar nga Stalini, megjithëse nuk ka asnjë provë lidhur me këtë. E privuar nga një ardhur prej shkrimeve të saj, poetja jeton në ngushticë të madhe, fillimisht me bashkëshortin e dytë, Vladimir Silejkon, studiues i ri i arkeologjisë të Lindjess së Mesme, në një apartament të vogël në krahun verior të ish Pallatit Seremetev në Shën Petërburg, dhe, pas divorcit në vitin 1926 nga ai bashkëshort xheloz e prepotent që njëherë, nga zemërimi, i kish djegur poezitë, me dashnorin Punin dhe ish gruan e këtij të fundit, plus vajzën dhe vjehrrën, në një apartament në krahun jugor të të njëjtit pallat. Ahmatova nuk siguroi nga autoritetet sovjetike një banesë të përshtatshëm der në vitin 1960, kur ju dha një daçë nga Bashkimi i Shkrimtarëve: «një shtëpizë e veshur me dërrasa, e përbërë nga një dhomë e errët dhe nga një kuzhinë e vogël». Fejnshtajni na jep një përshkrim të gjallë të aspektit të mjerë të Ahmatovës, mike në Moskë e Mandelstamëve në vitin 1934: «Udhëtonte prej 20 vjetësh me të njëjtën valixhe që tashmë rrinte e mbyllur vetëm me një rrip. Mbante një kapele të vjetër dhe një pardesy të lehtë që e vishte në çdo temperaturë». Ahmatova banonte pranë Mandelstamëve kur NKVD-ja (policia sekrete) u fut në shtëpinë e tyre dhe e vuri Osipin në arrest për një poezi («”Ujku”, një satirë therëse në të cilën Mandelstami vinte në shënjestër Stalinin dhe mizorinë e tij ndaj fshatarëve») që recitohej fshehurazi midis miqsh. E njëjta poezi “magjepsëse” kish përcaktuar, veç aktakuzave të tjera, arrestimin e djalit të Ahmatovës, Levit. Ky i fundit, pas vdekjes të të jatit, kish shkuar të banonte pranë kushërinjsh në Bezeck, por në vitin 1929ishte transferuar në apartamentin e Puninëve dhe, në vitin 1934, ishte regjistruar në Universitetin e Lenigradit për t’u diplomuar në Histori. Një mbrëmje, në ish Pallatin Seremetev, u kish recituar kolegëve atë poezi të Mandelstamit, të cilën e dinte përmendësh.
Njëri prej tyre ishte spiun i policië sekrete, e cila erdhi të arrestojë Levin, sëbashku me Puninin, në tetor të 1935. Me ndihmën e Pasternakut, Levi dhe Punini u liruan, por Levi u përjashtua nga universiteti. Ai e la pak më vonë vendbanimin e përbashkët me seremetevin, i bindur se e jëma donte më shumë Puninin sesa djalin e sajdo të arrestohet sërish në mars të 1938, i mbyllur në burgun e Krestit dhe më pas i dërguar në kampin e punës në Noril’sk, në Rrethin Polar Arktik, për 5 vjet. Ishte kulmi i terrorit stalinian, 4 milion njerëz u zhdukën. Për 17 muaj me radhë Ahmatova ishte vënë në radhë me gratë e tjera që prisnin, përpara Krestit, për të mundur të dorëzonin një letër, një pako, burrave të tyre, baballarëve të tyre, bijve të tyre të burgosur. Mundimi i këtyre grave ka frymëzuar atë që Fejnshtajni me të drejtë e quan një prej rapsodive më të mëdha lirike në gjuhën ruse: Requiem, e filluar në vitin 1935 dhe e përfunduar më 1940. Poezitë e para bëjnë fjalë për humbjen e një bashkëshorti dhe të një fëmije. Por pas vitit 1938, vëren Fejnshtajni, pjesa më e madhe e lirikave «manifeston frikën për fatin e Levit»: «Shtatëmbëdhjetë muaj që ulëras,/ të thërras në shtëpi./ Hidhem në këmbët e xhelatit,/ biri im dhe ankthi im». Këtu Ahmatova flet për vetëveten, por në poezi të tjera, sërish vëren Fejnshtajni, «duket se vëzhgon vuajtjen e vet nga lart, sikur të shikonte një të huaj»: «Kjo grua është e sëmurë,/ kjo grua është e vetme,/ i vdekur i i shoqi, në burg i biri,/ lutuni për mua». Në këtë mënyrë ajo themelon identitetin e saj, prej bashkëshortjeje dhe nëne të hidhëruar, me atë që çdo grua që vuan për një burrë apo një bir të humbur.
Kjo poezi përfaqëson një moment vendimtar në evolucionin artistik të Ahmatovës, si poete lirike e përvojës së saj intime, si artiste që shpreh në terma thellësisht personalë ankthin e një shumice. «Poezia respektohet vetëm në vendin tonë», do t’u thoshte Mandelstami miqve të tij në vitet Tridhjetë. «Askund shumë njerëz nuk vriten prej saj». Poezia ka luajtur një rol të veçantë në historinë ruse. Nuk ka vend në të cilin maksima e famshme e Shellit mbi poetët si “legjislatorë jozyrtarë” të tingëllojë më e vërtetë. Një ndjeshmëri poetike ëshgtë karakteristika kryesore e inteligjencës ruse dhe pjesa më e madhe e rusëve dijnë përmendësh një numër të madh poezishë apo strofa poemash. Poezia e Ahmatovës u ndalua, ju ndalua nga botimi, nga 1925 deri më 1958 (10 mijë kopje të librave rinorë të saj u tërhoqën nga libraritë në vitin 1940, atëhere kur mbaheshin radha të gjata për t’i blerë) megjithatë, në vitin 1945 filozofi oksfordian Ajzea Berlin, i sapoardhur në Moskë me cilësinë e Sekretarit të Parë të ambasadës britanike, dëgjoi të thuhej se «Ahmatovës dhe Pasternakut, që prej vitesh kishin jetuar një lloj mërgimi të brendshëm, i arriti një sasi e pabesueshme letrash nga fronti që citonin poezi të dëgjuara dhe të padëgjuara, një pjesë e madhe e riprodhuar në kopje dorëshkrime që qarkulloheshin privatisht. Disa kërkonin autografë, të tjerë donin konfirmimin e autenticitetit të këtij apo atij teksti, të tjerë akoma ftonin autorin që të shprehej për këta apo atë problem». Për shumë rusë Ana Ahmatova përfaqësonte traditën klasike të Shën Petërburgut. Kur armatat gjermane shtrëngonin rrethimin e këtij qyteti (Leningrad më 1941) poetja u ftua që të ngrinte shpirtin e banorëve të saj duke u folur atyre në radio. Ajo i bënte thirrje atëhere trashëgimisë historike të qytetit, duke evokuar jo dhe aq emrin e Leninit sesa atë të Pjetrit të Madh, Pushkinit, Dostojevskit dhe Aleksandr Blokut.
Në një moment të caktuar, gjatë rrethimit të Leningradit, Ahmatova u shpërngul në Tashkent, por në vitin 1944 u rikthye në Pallatin Seremetev, ku “ndjehej” prania e poetëve të Tetëqindës, midis të cilëve Pushkini, i cili i kish qenë banor. Ai pallat ishte një lloj vendi i shenjtë i brendshëm që, në universin e tij moral, e ndante nga pjesa tjetër e shoqërisë sovjetike. Për të përfaqësonte qytetërimin e zhdukur europian, për të cilin vdiste nga nostalgjia. Gjatë bisedës së gjatë të famshme të natës së tij me poeten në Seremetev në vitin 1945, bisedë që frymëzoi dhe u nxiti pasione të dyve, Ajzea Berlini e pyeti Ahmatovën nëse Rilindja ishte për të një e kaluar e shkuar historike reale, e populluar nga qënie jo të përsosura njerëzore, apo imazhi i idealizuar i një bote imagjinare: «Sigurisht, ishte një imazh, u përgjigj ajo. E gjithë poezia dhe arti qenë për të – dhe këtu përdori një shprehje të Mandelstamit – një formë nostalgjie, një dëshirë ndaj një kulture universale, siç e kishin konceptuar Gëtja dhe Shlegeli, që të përqafonte gjithçka që ishte transformuar në art dhe mendim». I informuar për këtë takim me diplomatin britanik, Stalini e akuzoi Ahmatovën se takohej me «spiunë të huaj». Ishte në kulmin e Luftës së Ftohtë: një konflikt që Ahmatova besonte se ishte shpërthyer nga takimi i saj me anglezin. (Faktikisht ajo «shikonte tek vetëvetja dhe tek unë dy personazhe të historisë botërore, të zgjedhur nga fati për të filluar një konflikt kozmik», ka shkruar Berlin). Fejnshtajni i likuidon besime të tilla si megallomania, por, deridiku në njëfarë mënyre, ajo është e lidhur me mitin e saj poetik, me imazhin që kishte për veten si pjesë e historisë. Sigurisht, ai takim pati pasoja të hidhura për Ahmatovën. Në gusht të vitit 1946 ajo u sulmua në një dekret të Komitetit Qëndror. Zhdanovi, ideologu i parë i partisë, shpalli përjashtimin e saj nga Bashkimi i Shkrimtarëve, duke mbajtur një diskutim perfid në të cilin poetja damkosej se ishte «ishte një prej përfaqësuesve të një moçali letrar të privuar nga idetë… një flamurmbajtëse e një poezie fallse, boshe, prej salloni aristokratik, që është absolutisht e huaj për letërsinë sovjetike». Për pasojë, Ahmatova u privua nga triskat dhe u shtrëngua që të ushqehej me ushqime që i dhuronin miqtë. Për një qime mund të shmangë arrestimin, por policia sekrete e rriti mbikëqyrjen ndaj Seremetevit dhe Levi, të cilit i ishte mohuar diploma pas rikthimit nga kampi i punës polar, u arrestua sërish në vitin 1949 dhe u dënua me 10 vjet punë të detyruar në Siberi. Fejnshtajni citon një raport të policisë lidhur me Ahmatovën të hartuar në atë periudhë. Bëhet fjalë për një përshkrim të paharrueshëm të poetes së trazuar: «Ahmatova ka shumë të njohur. Nuk ka miq të ngushtë. Është e vëmendshme dhe, kur ka, nuk ngurron të harxhojë para për të tjerët. Por, në thelb, është e ftohtë dhe arrogante, ka një egoizëm fëminor. Është e paaftë që t’u shpëtojë ndodhive më të zakonshme; qepja e një çorapeje është për të një problem i pazgjidhshëm, zierja e patateve një sfidë. Pavarësisht famës së saj, është shumë e turpshme…». Fejnshtajni e trajton bukur trishtueshmërinë e poetes.
Duhej të luftonte kundër sëmundjes së zemrës, duke u plakur po shëndoshej, jetonte krejtësisht e izoluar, pa një shok, pa një pasion dashuror, vizitohej vetëm nga disa shoqe, ndaj të cilave – kur ishte e pirë – bënte avances safike. Në këtë periudhë disa shoqe të caktuara të vjetra, si Nadjezhda Mandelstam, duke e çuar shikimin nga e kaluara, e akuzonin se ishte vanitoze dhe egoiste; deri dhe asistentët e saj, si bukuroshi Anatolij Najman, përkthyes i ri, i hyrë në jetën e saj në vitin 1959, e pranonte se Ahmatova ishte «nganjëherë kapriçoze, despotike dhe e padrejtë, ndodhte që të sillej në mënyrë egoiste. Mund t’i ruante komentet entuziaste të lexuesve të saj për t’i ekspozuar… Që ishte e vetëdijshme apo jo, i shtynte personat që të shikonin tek ajo një figurë të jashtëzakonshme, të një stature superiore». Mbi të gjitha, trishtueshmëria e saj në ato vite ishte e lidhur me raportin e saj torturues me të birin, argument ky i trajtuar mjeshtërisht nga Fejnshtajn. Lev nuk u rikthye nga Siberia përveçse në vitin 1956. Ushqente një mëri të fortë për të jëmën, të cilën, jo dhe aq pa arësye, e akuzonte se e kish braktisur kur ai lëngonte në punën e detyruar (ajo kish lënë pasdore mundësinë për të shkuar ta takuar) dhe, veç kësaj, e akuzonte se nuk kish luftuar sa duhet për një lirim më të shpejtë të tij. «Është detyra e saj të më shpëtojë, të provojë pafajësinë time», i shkruante Ema Gernshtajnit në vitin 1955. «Lënia pasdore e kësaj është krim». Grindjet midis Anës dhe të birit qenë në rend të ditës. Po t’i besosh poetit Josif Brodskij, Lev i tha një ditë nënës së tij, padyshim duke ju referuar poemës Requiem: «”Për ty do të kish qenë më mirë që unë të vdisja në burg”.
Donte të thoshte “për ty si poete”». Sipas Brodskij, zemërimi i Levit ishte pjesërisht i justifikuar. Ai mendonte – dhe Fejnshtajni është dakord me të – se tek Ahmatova kishte një skizëm midis poetes dhe nënës së hidhëruar, si dhe vuajtja e vërtetë e saj rezultonte e transformuar kur vihej të shkruante vargje. Kjo mund të na bëjë të nuhasim se përse Levi ishte aq i zemëruar ndaj së jëmës. Sipas Brodskijt, e gjitha kjo qëndron në atë proces të “shpikjes së vetes” që është si kolona vertebrore e jetës dhe e artit të Ana Ahmatovës. Një poet «i nënshtrohet nevojave të muzës, të gjuhës… kjo është një e vërtetë më e madhe e ajo e përvojës… padashje mëkaton kundër të vërtetës së zakonshme, kundër vetë dhimbjes tënde». Në dekadën e fundit të jetës, gjatë shkrirjes kulturore të cilën Hrushovi e filloi në vitin 1956, Ahmatova gëzoi një sukses botëror dhe një fame shumë të madhe. Në vitin 1965, një përmbledhje e gjerë e poezive të saj u botua në Bashkimin Sovjetik. Veprat e saj u përkthyen në shumë gjuhë. Ajo u nderua me diploma ad honorem në universitete të ndryshme të hjuaja, midis të cilëve Oksfordi, ku ndodhi një takim i “çuditshëm” me Ajzea Berlinin dhe gruan e tij në vitin 1965. Kur vdiq, në vitin 1956, Ana Ahmatova u qa nga publiku i gjerë sovjetik. Me mijëra morën pjesë në përshpirtjet e saj, për t’i bërë homazh një bashkëqytetareje poezia e së cilës kish folur për të gjithë ata në një epokë në të cilën askush tjetër nuk ishte në gjendje ta bënte. Në vitet e gllaznostit, vitet Tetëdhjetë, kur Rusia filloi të bëjë llogaritë me trashëgiminë e rëndë të regjimit stalinian, ajo u lëvdua dhe u përshëndet nga persona që, në politikë, e mendonin ndryshe. Siç e vëren Fejnshtajni në faqet përfundimtare të librit të saj të mrekullueshëm: «Liberalët shikonin tek ajo një kundërshtarë të Stalinit, personat fetarë shikon dashurinë e saj për Zotin, patriotët i kapnin identitetin e fortë rus. Nga ana e tyre, komunistët vërenin se nuk kish bërë kurrë deklarata të hapura antisovjetike». Por qysh shitjet e librave të saj kanë rënë shumë. Një përmbledhje me poezi të saj në vitin 1960 u shtyp me 1 milion e 700 kopje në rusisht, por vepra e saj madhore në 6 vëllime u shtyp, në periudhën midis 1998 dhe 2001, vetëm në 15 mijë kopje. Zëri i poetes që në të kaluarën fliste për popullin po zhdukej në ulërimën shurdhuese komerciale të “demokracisë” passovjetike.
Përgatiti:
ARMIN TIRANA
www.bota.al