“Andaluzia është jona, do ta rimarrim”. Nga 11 shtatori tek ISIS, propaganda për Spanjën nuk është një delir

“Militantët islamikë janë duke intensifikuar një luftë propagandistike kundër Spanjës”, shkruante Qendra e Studimeve dhe Kërkimeve “Gatestone Institute” e Nju Jorkut, në tetor të një viti më parë, në raportin më të detajuar që është hartuar, në lidhje me propagandën islamike mbi Spanjën. “Në muajt e fundit, Shteti Islamik dhe grupe të tjera xhihadiste kanë prodhuar video dhe dokumenta që u bëjnë thirrje myslimanëve të ripushtojnë al Andalusin”.

Al Andalusi është parajsa e humbur, por edhe vendi i humbjes, nga e cila nuk e kanë marrë më veten kurrë. Al Andalusi është emri që arabët u kanë vënë atyre territoreve të Spanjës dhe Portugalisë, të pushtuar nga konkuistadorët myslimanë nga viti 711, deri në 1492. Shumë myslimanë besojnë se territoret islamike të humbur gjatë ripushtimit kristian të Spanjës, i përkasin ende mbretërisë së Islamit. Ata thonë se ligji islamik u jep të drejtën të rivendosin dominimin mysliman. Në broshurën e shpërndarë nga Shteti Islamik, thuhet se që nga krijimi i Inkuizicionit spanjoll në 1478, ‘Spanja ka bërë gjithçka për të shkatërruar Kur’anin’. Thuhet se Spanja ka torturuar myslimanët dhe i ka djegur të gjallë. Sipas ISIS, ‘Spanja është një shtet kriminal që uzurpon tokat tona’. Teksti u bën thirrje xhihadistëve që të ‘përdorin rrugë ajrore dhe tokësore për të kryer atentate’. U kërkon ndjekësve që ‘të helmojnë ujin dhe ushqimin me insekticide’. Dokumenti përmbyllet duke shkruajtur: ‘Veprimet e paraardhësve tuaj janë shkaku i veprimeve tona sot’.

Në 15 korrik 2016, Shteti Islamik përhapi videon e parë të propagandës, me titra në spanjisht. Cilësia shumë e mirë e përkthimit, si për nga ortografia, edhe për nga sintaksa, ka shtyrë disa analistë që të konkludojnë se përkthyesi e kishte spanjishten gjuhën e lindur dhe se titrat ishin realizuar në territor spanjoll. Në 3 qershor, ISIS shpërndau një video – ‘Muaji i Ramazanit, muaji i pushtimit’ – në të cilën al Andalusi përmendet katër herë. Spanja është i vetmi vend jomysliman që përmendet në video. Në 30 maj, Shteti Islamik shpërndau një dokument me dy faqe në spanjisht, në të cilin kërcënonte drejtpërdrejt Spanjën. në tekst thuhet: ‘Do të vrasim çdo të pafe të pafajshëm spanjoll që do të gjejmë në tokat myslimane, dhe do të vijmë në vendin tuaj’. Në një video të shpërndarë në 31 janar, një xhihadist spanjoll i Shtetit Islamik ka këshilluar Spanjën ‘se do ta paguajë shumë shtrenjtë’ për faktin që ka dëbuar myslimanët nga al Andalusi. Video prej tetë minutash përmban edhe këtë deklaratë: ‘Betohem për Allahun se do ta paguani shtrenjtë dhe vdekja juaj do të jetë e dhimbshme. Do të ripushtojmë al Andalusin, dashtë Allahu! O Al Andalus i shtrenjtë! Mendove se të kishim harruar. Betohem për Allahun se nuk të kemi harruar asnjëherë. Cili mysliman do të harronte Kordobën, toledon apo Granadën? Ka shumë myslimanë besnikë dhe të sinqertë që betohen të rikthehen në al Andalus’.

Në një tjetër video, Shteti Islamik betohet të çlirojë al Andalusin nga jomyslimanët. Një xhihadist me një theks të fortë afrikano-verior thotë në spanjisht: ‘Po i bëj një paralajmërim të gjithë botës: jetojmë nën flamurin e kalifatit islamik. Do të vdesim për të, deri kur të kemi çliruar këto toka të pushtuara: nga Xhakarta, në Andaluzi. Unë ju them: Spanja është toka e etërve tanë dhe ne do ta rimarrim, me fuqinë e Allahut’”. / Il Foglio – Bota.al

SHKARKO APP