Integrimi në BE? E kujt i plasi!

Nga Dritan Shano –

Nga gjithë rrëmuja e djeshme me llafe burrash që po i nxjerrin njëri-tjetrit të palarat sheshit, ajo që më shqetëson me të vërtetë është ajo batuta e Kryeministrit Rama, e hedhur kështu si pa të keq, që: “Edhe nëse nuk hapet dera e integrimit s’do jem i shqetësuar.”

Kjo e bën Ramën, kryetarin e parë politik, mes gjithë atyre të tjerëve të tranzicionit pambarim të Shqipërisë, që ndoshta për shkak të sigurisë së mandatit të tretë, që të tregojë të vërtetën e lidershipeve politike shqiptare: që atyre realisht nuk i plas, dhe nuk e duan integrimin e Shqipërisë në Europë. Që bëjnë vetëm atë që janë të detyruar të bëjnë, dhe proçeset e tjera integruese i sabotojnë sa mundin.

Kalimi i Shqipërisë nga feudalizmi politik, ekonomik dhe sidomos kulturor drejt demokracisë, ekonomisë së tregut, shtetit të së drejtës dhe urbanizimit mendor të shqiptarëve nuk u intereson këtij grushti njerëzish. Përkundrazi tmerron ata. Këta, në këto 30 vjet i kanë ndarë shqiptarët në ushtri të egërsuara personale, i kanë mbajtur shqiptarët në luftë mes njeri tjetrit, i kanë zhytur në llogore dhe nuk i lenë të dalin në shesh ta shohin, ta duan, dhe të bashkëpunojnë me njeri tjetrin siç na ka hije. Siç kanë ardhur punët, e vetmja gjë që na bashkon, nga e cila përfitojmë të gjithë njësoj është avancimi në proçeset e integrimit në BE.

Prej kohësh e mendoj se shqiptarët ikin vetë në Europë sepse nuk kanë besim në sinqeritetin e qeverive të tyre që betohen e stërbetohen se e duan integrimin Europian. Me ritmin që ikin shqiptarët në Europë, pas 25 vjetësh, rreth 80% e tyre do jenë aktualisht qytetarë Europianë, me pashaportë të një prej vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa qeverinë politike shqiptare Brukseli ende nuk do e ketë qasur as tek dera.

Çat t’thot vllai

SHKARKO APP