Kriza e sotme e shoqërisë shqiptare të dijes
Nga Shezai Rrokaj
Shoqëria shqiptare e dijes ose ndryshe bota shqiptare inteligjente është një aset i vyer i gjithë arealit shqipfolës, e përqendruar kryesisht në të dyja shtetet politike, por po ashtu edhe në troje të tjera shqipfolëse e sidomos në diasporë. Mirëpo, megjithë përpjekjet e herëpashershme të politikave qeverisëse apo të strategjive të ngritura ad hoc, ky kapital i çmuar njerëzor nuk është vënë në punë sa dhe si duhet për të rritur nivelin e jetesës dhe prestigjin e shqiptarëve përkundër popujve të tjerë fqinjë e më gjerë. Jo vetëm kaq. Bashkë me bjerrjen masive të popullsisë në fazë të ethshme migrimi, po largohen kryesisht edhe burimet njerëzore inteligjente, të cilat po ulin vazhdimisht ritmin e zhvillimit dhe cilësinë e jetës në vend. Disa statistika zyrtare tregojnë se sot gati 50% e popullsisë së punësuar ka arsim 8-vjeçar (sot 9-vjeçar). Ky tregues, që e rendit Shqipërinë në një pozicion subinteligjent, shumë poshtë edhe vendeve të Rajonit, vjen sidomos prej ikjes masive të të diplomuarve jashtë vendit.
Trashëgimia e varfër politike, ekonomike e sociale i ka detyruar qeverisjet e radhës që të merreshin me zgjidhjet e ditës për mbijetesë, të tipit ‘sot për nesër’, pa mundur të kuptonin në thelb se investimi më dobiprurës dhe më afatgjatë i çdo shoqërie është ai që lidhet me ruajtjen dhe ngritjen e cilësisë së burimeve njerëzore, të cilat e kthejnë këtë ‘kosto’ shoqërore në një përfitim të pakrahasueshëm me çdo investim tjetër në sektorë të tjerë.
Në gjendjen e sotme kemi një shoqëri shqiptare inteligjente në diasporë me një kapital njerëzor shumë të madh (në përllogaritje numerike 30%, por me aftësi produktive shumë më të lartë) dhe pjesa tjetër e shoqërisë shqiptare të dijes (rreth 70%, por me efekt produkti më të ulët) brenda kufijve politikë dhe shteteve në troje. Por sa dhe si ky “knoë hoë” krijon një sinergji zhvillimi drejt një konvergjence kombëtare shqiptare? Këtu lindin edhe pyetjet dhe pikëpyetjet e mëdha. Fakt është se përveç konvergjencave natyrore që lidhen me njohjet individuale, miqësitë apo edhe ndonjë idealizëm patriotik spontan, pse jo edhe ndonjë shfaqje politike në ekrane me strategji në letër, ky netëork i dijes nuk ka gjasa se po ngjizet për të qenë një shtysë zhvillimi, emancipimi e përbashkimi për trojet shqiptare.
Le të ndalemi shkurtimisht në analizën e këtyre fakteve.
Është i njohur fakti se diaspora e kualifikuar e hershme dhe e re është krijuar si rezultat i emigracionit të familjeve shqiptare, fëmijët e të cilave kanë kryer studimet në vendet pritëse, si edhe si rezultat i asaj mase të kualifikuar si: inxhinierë, ekonomistë, mjekë, artistë, të cilët për shumë arsye shkuan dhe shkojnë në vendet e Perëndimit për një të ardhme më të mirë. Nga ana tjetër, familjet shqiptare dërgojnë fëmijët e tyre për një shkollim më të kualifikuar që lidhet në thelb me shpresën për një të ardhme më të mirë në këto vende. Sot familjet shqiptare shpenzojnë brenda kufirit politik rreth 300 milionë euro në vit për afërsisht 30 mijë studentë që studiojnë jashtë vendit. Prej tyre ka të rinj që kanë studiuar dhe kanë fituar një diplomë në universitetet evropiane dhe amerikane (master, doktoratë) dhe janë kthyer në Shqipëri, për të punuar në universitete publike e private, institucione kërkimore dhe në sektorin e sipërmarrjes private, në administratë publike dhe shoqëri civile. Por, numri i tyre është shumë i vogël. Sipas të dhënave të një ankete, vetëm 17,1% e atyre që ndjekin studimet jashtë duan të kthehen, 49,7 % thonë se nuk kanë vendosur ende, kurse 33,2% thonë se nuk do të kthehen në vendin tonë. Në rast të kthimit ata shprehen se dëshirojnë të punojnë: 87% në universitete publike, 77% institucione kërkimore, 74% në organizata ndërkombëtare dhe 62% universitete private. Vitet e fundit largimi i tyre është rritur jo vetëm për një shkollim cilësor, që duket se është pak a shumë i njëjti numër si dhe vitet e tjera, por prej humbjes së shpresës, e cila lidhet me faktorë, si: papunësia, reformat e ashpra dhe politizimi i skajshëm, pasiguria dhe korrupsioni, krimi i organizuar dhe humbja e besimit tek institucionet. Vetëm tri-katër vitet e fundit kanë ikur në Gjermani rreth 30% e mjekëve dhe infermierëve, për formimin e të cilëve shteti ka bërë shpenzime kolosale. Shtetet perëndimore po i shfrytëzojnë vende si Shqipëria, duke e marrë të gatshëm produktin inteligjent për të cilin vendi ka investuar shumë. Dhe ky erozion i burimeve të kualifikuara ka pasur pasoja të rënda në jetën ekonomike, shoqërore dhe në përkeqësimin e cilësisë së shërbimeve (arsim, shëndetësi, administratë, infrastrukturë etj.). Brenda Shqipërisë politike këto dy dekadat e fundit janë ndërmarrë nga qeverisjet e radhës dy reforma për arsimin e lartë, institucionet akademike dhe kërkimin shkencor. Këto dy reforma të rëndësishme janë ajo e përafrimit të sistemit akademik universitar me Procesin e Bolonjës dhe ajo e përfshirjes së instituteve të Akademisë së Shkencave në universitete me qëllim integrimin e shkencës me mësimdhënien. Mirëpo, siç ndodh shpesh në Shqipëri me reformat ndjellamira, që trumpetohen me rrahagjoks prej politikës së radhës, po nën efektin e pragmatizmit politik të “inatit” me kundërshtarin politik, këto nisma kurajoze janë transformuar në kinsereforma me ndërhyrje dhe spërdredhje, në gati një ligj ose amendim për çdo mandat qeverisës. Kjo gjë ka shkaktuar një mungesë stabiliteti në funksionimin e institucioneve akademike, duke krijuar një kakografi ligjore, ku pa iu tharë ende boja një akti zyrtar vjen akti tjetër që e ndryshon. Sakaq, nga përvoja e shumë vendeve perëndimore në sektorë si arsimi, shëndetësia, bujqësia etj., përfshirë edhe aktet ligjore rregulluese, këto reforma bëhen për periudha relativisht të gjata 20–30-vjeçare, sepse i shtrijnë dhe i japin efektet për një periudhë afatgjatë.
Në këtë mënyrë, duke u orientuar kinse drejt modelit anglosakson, Ligji i Arsimit të Lartë (LAL) aktual shënoi shkëputje nga Procesi i Bolonjës, për të cilin ishte investuar gjithë këto vite dhe që edhe sot është një sistem i gjithëpranuar, megjithë diskutimet që bëhen në rangje të larta reformatorësh. Rasti më tipik është ai i krijimit të masterit administrativ pas masterit normal, duke e shkëputur ciklin e tretë të studimeve dhe kërkimin nga formimi teorik si pjesë e doktoratës. Gjithashtu kreu i 12-të i LAL, që u referohet ‘Universiteteve Publike të Pavarura’, është një stisje ndjellakeqe nën presionin e lobimeve të caktuara, ku synohet subvencionimi me fonde buxhetore të universiteteve private, në një kohë kur pjesa e fondit të pakushtëzuar që u jepet universiteteve publike mbulon vetëm 10 paga mujore dhe thuajse nuk ka aspak ose shumë pak fonde buxhetore për shpenzime operative dhe investime, ndërsa fondet për kërkim bazë në universitet prej vitesh mungojnë. Nën efektin e këtij ndryshimi të modelit, Ligji ka disa nene që kanë krijuar paqartësi në funksionimin e IAL-ve, sepse ka një dualizëm në marrëdhëniet rektor/administrator, senat/bord administrimi, duke e lënë pezull faktin e njohur dhe të gjithëpranuar prej shekujsh se universitetet janë krijuar dhe ekzistojnë prej akademizmit, falë vizionit dhe hapjes ndaj dijes dhe botës dhe jo për shkak të menaxherëve të fondeve, që duhet të mbështesin këtë vizion. Nga ana tjetër, Ligji është ‘mbytur’ prej detyrimit për nxjerrjen e shumë akteve nënligjore, si: VKM, Urdhra e Udhëzime të cilët, edhe pse kanë kaluar tri vite nga miratimi i tij, ende nuk janë nxjerrë plotësisht.
Nga ana tjetër, qeveritë e kanë lënë në rënie të lirë cilësinë e nxënësve në Arsimin Parauniversitar, të cilët mandej ndjekin studimet e larta. Kjo ka ndodhur sepse, ndërsa mëtohet me megalomani të ndiqen modele elitare botërore të arritjeve në arsim, si bie fjala, Finlanda, në fakt politikat e ditës të fryra me slogane kanë ulur pritshmëritë për rritje të cilësisë në arsim, duke shfaqur tregues që janë në skaje krejt të kundërta me këto vende. Mjafton të sjellim si shembull faktin se në Finlandë 10% më e mirë e gjimnazistëve shkojnë për mësuesi, kurse në Shqipëri shkojnë për mësuesi 20% e gjimnazistëve më të dobët, madje për matematikë dhe biokimi shkojnë 10% më të dobëtit e gjimnazistëve dhe, në raste të tjera, siç u vu re edhe këtë vit akademik, këto degë përballen me mosplotësim kuotash dhe mbyllje degësh në disa universitete. Po kështu, gjatë këtyre viteve Finlanda po investon 7% të PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) për arsimin, kurse Shqipëria investon deri 3% të PBB-së së saj. Për këtë vit Qeveria po investon vetëm 3.1% të PBB-së, duke mos zbatuar as edhe vetë Strategjinë e saj të Arsimit Parauniversitar (SAPU/2014), ku përcaktohej se investimi në arsim për vitin 2018 e në vazhdim do të ishte 5% e PBB-së. Edhe për vitin e ardhshëm financimi i arsimit duket se do të mbetet në kuotën e 3.1-3.3% e PBB-së, dhe nuk ka gjasë të shkojë përtej 3% edhe për 2020-ën. Mosfinancimi në kuotën 5% të PBB-së ka rritur koston e familjeve shqiptare, të cilat kanë peshën më të lartë të shpenzimeve familjare për arsim në Evropë, që shkojnë nga 1,7% para një dekade në 4,4% të buxheteve të tyre vitin e fundit. Në BE mesatarja e shpenzimeve të sotme familjare është 2,1%, kurse vendet e rajonit si: Serbia, Maqedonia, Bosnjë-Hercegovina ruajnë një raport midis 0,6-07%.
Gjithashtu, nisur nga gjendja e Instituteve që funksiononin nën qerthullin e Akademisë së Shkencave, Qeveria e mëparshme ndërmori një reformë për t’i bashkuar institutet kërkimore me universitetet, me qëllim lidhjen e procesit të mësimdhënies me kërkimin, duke e lënë Akademinë e Shkencave me statusin e një institucioni honorifik. Edhe kjo reformë mbeti skematike, pasi mungoi mbështetja financiare për kërkimin ashtu si për gjithë arsimin në tërësi. Edhe Qeveria aktuale, përtej demagogjisë dhe cilësimeve arrogante e dashakeqe të Kryeministrit, deri në fyerje publike të Akademisë së Shkencave, si ‘agjenci funeralesh’, në fakt nuk duket se e ka mendjen te reformimi i saj. Projekte të grupeve të punës a propozime individuale si në mandatin e mëparshëm edhe sot, flenë sirtarëve të qeverisë, e cila është rrëmbyer nga punët e ditës dhe nuk ka kohë të mendojë me një vizion afatgjatë, sipas të cilit zhvillimi i cilësisë së shoqërisë inteligjente ul kostot e pamenduara në sektorët e zhvillimit dhe rrit pritshmëritë për një zhvillim më të shpejtë të vendit. Akademisë së Shkencave dhe strukturimit të saj, e sidomos kërkimit shkencor në tërësi, nuk u është dhënë një zgjidhje vizionare definitive, si për sa i përket subvencionimit të kërkimit ashtu edhe të përfshirjes së tij në një model funksional partneriteti me Qeverinë për zgjidhje të kualifikuara, në mënyrë që shkenca t’u shërbejë nevojave dhe problematikave reale të shoqërisë shqiptare, duke ua prerë rrugën eksperimenteve burokratike korruptive me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Po si mund të vihet në lëvizje në gjendjen e sotme gjithë ky aset i burimeve njerëzore për ta kthyer në një aset zhvillimi? Së pari, duhet të hiqet dorë nga politikat fasadë me të ashtuquajturin “brain gain”, që çdo ditë po kthehet në “brain drain”, pasi nuk ka të sosur bjerrja e popullsisë e sidomos e intelektualëve që po braktisin vendin. Së dyti, megjithë ruajtjen e lidhjeve, interesimin dhe dëshirën për të kontribuar për vendin e tyre, sot për sot, shumica e të rinjve të formuar në Perëndim nuk e shohin kthimin në Shqipëri si një mundësi për të gjetur vetveten. Që nga përshtatshmëria e vendit të punës, pagesat e ulëta, kushtet e jetesës, paqëndrueshmëria politike e deri te mungesa e sigurisë së jetës, krimi e droga, deformimi i drejtësisë dhe niveli i ulët i shërbimeve janë faktorë që shkurajojnë diasporën inteligjente për t’u kthyer dhe për të dhënë kontribut në vendin tonë. Kthimi i shqiptarëve të kualifikuar është pa dyshim një faktor i rëndësishëm zhvillimi, por ky kthim kushtëzohet nga përmirësimi i faktorëve të mësipërm. Siç e theksojnë përditë edhe ndërkombëtarët krimi, droga, mosbesimi te institucionet, ndikimi politik në administratën publike, kaosi me reformën në drejtësi janë tregues që dekurajojnë kthimin e tyre në vend. Prandaj është e domosdoshme të krijohet klima e duhur politike, ekonomike e sociale për të kthyer besimin e tyre dhe për të ndaluar ikjen e atyre që janë ende këtu.
Së treti, Qeveria vazhdon ta shohë botën akademike nga pozicioni i hierarkisë institucionale, si pjesë e varësisë. Në fakt, një qeverisje e mirë duhet t’i konsiderojë si partnerë zhvillimi akademikët, profesorët, krijuesit, intelektualët në tërësi. Nuk mund të ketë një strategji afatmesme dhe afatgjatë të formimit dhe kërkimit akademik nëse nuk lidhet dhe vihet në funksion të një strategji afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të vendit. Këto janë dy pjesë që ecin në funksion të njëra-tjetrës dhe Qeveria duhet t’i trajtojë burimet njerëzore inteligjente si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit, duke iu besuar projektet e zhvillimit si dhe oponencat për projektet e donatorëve.
Së katërti, është shumë e rëndësishme të ftohen të gjithë ata që kanë kryer studime në vende të OECD-së dhe t’u garantohet menjëherë vendi i punës. Për gjithë sektorin e arsimit të garantohet, siç kanë vepruar të gjitha vendet e rajonit dhe BE-së, 5% e PBB-së, me të cilën sigurohet dyfishimi i pagave. Qeveria vazhdon të ketë një koncept të deformuar për subvencionimin me fonde buxhetore të arsimit dhe shkencës në kuadrin e prioriteteve kombëtare, duke qëndruar në bisht të vendeve të rajonit dhe BE-së. Ajo duhet të ndryshojë kurs dhe të dedikojë urgjentisht 5% të PBB-së për rritjen e cilësisë në arsim, ndërprerjen e hemorragjisë së trurit dhe ndërtimin e një politike inkurajuese për afrimin e diasporës intelektuale në vend. Për të filluar është e domosdoshme të paktën rritja dyfish e pagave në arsim dhe jo 7%, siç deklaroi kryeministri për vitin e ardhshëm. Nga ana tjetër, edhe pse premtohet prej vitesh, Qeveria nuk po mban fjalën për bibliotekat on line me informacion të specializuar për fushat e kërkimit, në mënyrë që studiuesit me përvojë e të rinj, si dhe vetë studentët të kenë akses në kërkimet e tyre alternative.
Nuk ka qeverisje tërësisht të pafajshme – thotë Sartri, por edhe fajësia ka një cak. Ndaj Qeveria të heqë dorë nga arroganca, nga fasadat, nga koha që kalon nëpër ekrane dhe t’u shtrohet punëve të vendit, duke e filluar ngritjen nga vlerësimi i mendjes dhe thirrja në partneritet e shoqërisë inteligjente. Ta thërrasë për ta dëgjuar e jo për t’i thënë të bëjë çfarë do Qeveria në qokat politike të radhës. Sepse, siç thotë Konica, “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen, ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa dhe sot”.