Kujtime djaloshare nga Aushvici
Me rastin e 70 vjetorit të çlirimit të Aushvicit, Oleg Mandic nga Kroacia, risjell në mendje burgimin e tij në kampin e vdekjes në moshën 11 vjeçare
Nga Sven Milekic, BIRN
“Sa herë përballem me të gjitha problemet e mia të tjera në jetë, i krahasoj ato me çfarë kam kaluar në Aushvic dhe shikoj se sa të parëndësishëm janë,” thotë Oleg Mandic, i cili kaloi shtatë muaj në kampin më famëkeq të përqendrimit nazist kur ishte ende fëmijë.
“Rreth moshës 13-14 vjeçare, kuptova se të gjitha gjërat e këqija që mund të më kishin ndodhur deri në atë kohë dhe në të ardhme, më kishin ndodhur tashmë,” kujton ai teksa rri ulur në studion e shtëpisë së tij në Opatija, një qytet perëndimor i Kroacisë, një dhomë plot me postera dhe libra që lidhen me punën e jetës së tij si aktivist anti-fashist.
Mandic kaloi një kohë në njësinë mjekësore të Aushvicit, të drejtuar nga mjeku sadist nazist Josef Mengele, por arriti t’i shpëtonte vdekjes. Ai dhe familja e tij u liruan përfundimisht nga kampi në Poloni pasi ai u çlirua nga forcat sovjetike në janar 1945.
“Pasi dolëm nga kampi, dyert u mbyllën pas nesh dhe unë isha i burgosuri i fundit i gjallë që u largova nga Aushvici,” thotë ai.
Pushtimi nazist
I lindur në vitin 1933, Mandic u rrit në Opatija, një resort shumë i njohur në bregdetin Adriatik, i cili në atë kohë ishte nën kontrollin e Italisë.
Ai ka kujtime të mira nga fëmijëria e tij, duke luajtur me fëmijë të tjerë në plazh dhe tregon trofetë që ka fituar gjatë lojërave të brixhit me ushtarë italianë nga një kazermë aty pranë.
Por pasi Italia iu dorëzua aleatëve në shtator 1943 dhe forcat italiane u tërhoqën nga rajoni, gjyshi dhe babai i tij iu bashkuan partizanëve jugosllav Josip Broz Titos dhe gjyshi i tij u bë udhëheqës i degës rajonale të rezistencës.
Pas dhjetë ditësh, forcat gjermane pushtuan Opatijan, gjyshi dhe babai i tij u fshehën bashkë me luftëtarë të tjerë partizane, dhe nazistët filluan t’i kërkonin.
“Nve na thanë se ata shkuan në Itali për arsye biznesi dhe nuk erdhën kurrë më dhe nuk u përgjigjën në ndonjë mënyre,” thotë Mandic.
Por më 15 maj të vitit 1944, trupat gjermane shkuan në shtëpinë e Mandiit dhe e morën atë, mamanë e tij dhe gjyshen dhe i çuan në burgun e Rijekës. Ata kaluan një natë atje para se të transportoheshin në burgun Corroneo në Trieste me tren në mëngjes.
“Në Corroneo kaluam gati dy muaj. Ishte e çuditshme, madje edhe për ne në atë kohë, që u morëm në pyetje vetëm dy herë atë kohë. Si fëmijë, mua nuk më morën në pyetje, por mamanë dhe gjyshen time po,” tha Mandic.
“Nëna dhe gjyshja këmbëngulën për ‘historinë’ që dinim ne, por në rastin e dytë, hetuesit nazistë na tha të tregonim gjithçka, sepse ata tashmë i dinin të gjitha,” tha Mandic.
Nazistët kishin dëgjuar në një radio të Londrës që një gazetar britanik e kishte përmendur emrin e gjyshit të tij Ante si partizan, shpjegon ai.
“Kjo ishte vërtet diçka e pafat dhe në çastin më të keq,” thotë ai.
Udhëtimi për në Aushvic
Familja u deportua në mbrëmjen e 10 korrikut, duke menduar se ata ose do të dërgoheshin në Gjermani për të bërë punë të detyruar ose në San Sabia, një burg famëkeq në Trieste ku ekzekutoheshin njerëz.
“Një ditë ata thirrën me zë të lartë emrat tanë në korridorin e burgut, së bashku me ata të disa të burgosurve të tjerë. Ishte natë. Duhet të ketë qenë pas orës 22:00 kur na shoqëruan në një stacion treni aty pranë. Rreth 70 prej nesh u futën në vagonët për kashët, me pak kashtë në dysheme, dhe u nisën për në kamp. Udhëtuam për më shumë se dy ditë,” thotë ai.
Në transportin e tij nuk kishte të burgosur hebrenj, vetëm gra dhe fëmijë, të ashtuquajturit “të burgosur politikë” nga rajoni.
“Nuk na ndanë burra e gra. Duhej të zhvisheshim dhe të viheshim në rresht pranë një tavoline të gjatë, ku ata shkruanin emrat tanë, vendin e origjinës dhe gjëra që na kishin marrë,” shpjegon Mandic.
Njerëzit lejoheshin të mbanin syzet dhe të merrnin pakëz ushqim me vete, nëse kishin.
“Kur në tavolinën e regjistrimit, mamaja ime filloi të ankohej për diçka dhe një i burgosur i tha: ‘E di se ku ke ardhur? Ky është Aushvici, Vernichtungslager (kamp shfarosjeje),” thotë ai.
“Para kësaj, Aushvici s’nënkuptonte asgjë për ne, por ‘kamp shfarosjeje’ sigurisht që na la një ndjesi tmerri.”
Pas dy muajsh me nënën dhe gjyshjen e tij në kampin e grave në Aushvic, duke bërë çdo ditë punë të vështirë fizike, nazistët morën vesh se ishte më shumë se 10 vjeç dhe duhej të transferohej në kampin e burrave. Para se ta bënin këtë, ai duhej të bënte një kontroll mjekësor.
“E imagjinoni dot? Në një kamp ku mijëra njerëz vriten çdo ditë, një fëmijë 11-vjeçar duhet t’i nënshtrohet një kontrolli mjekësor para se të shkojë në kampin e burrave?” pyet ai.
Ai tha se pati temperaturët të lartë për shkak të stresit të ndarjes nga mamaja e tij, gjë e cila bëri që ai të dërgohej në njësinë e Menegeles.
“Aadministrata e kampit tha: Ai nuk mund të shkojë në kampin e femrave meqë është mashkull. Nuk mund të shkojë në kampin e meshkujve, sepse është i sëmurë. Nuk mund të shkojë në njësinë mjekësore të femrave, sepse është mashkull. Por pastaj dikush tha, mund ta transferojmë në ‘departamentin binjak’ nën drektimin e Josef Mengeles.”
Ai e kaloi atje pjesën më të madhe të kohës që i kishte mbetur, pasi dinte si ta manovronte termomentin që temperatura e tij të dukej ende e lartë.
“Isha ‘i famshëm’ në në departamentin e Mengeles, duke qenë se kisha 'biznesin' tim. Bëja lule prej letre dhe infermiereve i pëlqentë kjo gjë,” thotë ai.
Morali i kampit të përqendrimit
“Shumë herë në bisedat me gazetarë dhe njerëz të interesuar, thosha se në Aushvic nuk kam përjetuar gjëra të tmerrshme, mizori dhe sadizëm, me disa përjashtime të vogla. Por e dini se çfarë më ngjeth gjithmonë mishin? Të dish se një mendje njerëzore mendoi një prodhim industrial të vdekjes,” thotë Mandic.
“Kapacitetet intelektuale të ekspertëve të ndryshëm, nutricionistësh dhe teknikësh, u përdorën për të rritur kapacitetin e një industrie, produkt final i të cilës ishte vdekja. Kjo është diçka që më ka mërzitur këto 70 vitet e fundit.”
Pjesa më e madhe e punëve në kamp drejtoheshin nga të burgosurit, sidomos nga 'kapot' që ruanin rendin dhe drejtonin turnet e rojave. Një herë një e burgosur femër fjeti më shumë pas thirrjes së mëngjesit dhe u vra nga kapoja dhe të burgosur të tjerë, kujton Mandic.
“Ne që ndenjëm në shi për shtatë ose tetë orë (derisa e burgosura që flinte u gjet) nuk patëm mëshirë për atë grua. Cilido prej nesh do të kishte bërë të njëjtën gjë. Kjo është e tmerrshmja. Nazistët ‘e nxitën” situatën dhe i bënë kushtet aq radikale, saqë njerëzit e thjeshtë mendonin në atë mënyrë,” thotë ai.
“Kjo hap një çështje të re, çështjen e vlerave morale dhe etike. Ky grup vlerash në Aushvic është ndryshe nga ato tani ose ato në kushte normale,” shpjegon Mandic.
Njerëzit thjesht bënë gjithçka mundeshin për të mbijetuar edhe një tjetër ditë, shton ai: “Pashë një nënë të mbante një fëmijë të vdekur në gjoks, që të merrte racionin e tij ditor të ushqimit për ditët në vazhdim.”
Aushvici i çliruar
Gjermanët e hodhën në erë krematoriumin e Aushvicit në Krishtlindjen e vitit 1944 dhe filluan të planifikonin një marshim vdekjeje me të burgosurit e mbetur në kamp.
Më 17 janar të vitit 1945, Mandic thotë se dhjetëra mijëra njerëz u urdhëruan të marshonin në mes të borës së madhe dhe temperaturave shumë të ulta, ndërsa disa mijëra të tjerë u lanë pas në Aushvic. Ai dhe nëna e tij u urdhëruan t’i bashkoheshin marshimit, por në një farë mënyre ata arritën t’ia mbathnin e të ktheheshin në kamp.
Ata qëndruan aty për 10 ditë pa asnjë gjerman të mbetur në Aushvic, para se Ushtria e Kuqe Sovjetike të vnte aty më 27 janar. Të burgosurit arritën të merrnin dyqanin e ushqimeve dhe disa vdiqën sepse hëngrën shumë mënjehërë. “Ato dhjetë ditë vdiqën rreth 20 përqind të të burgosurve,” thotë Mandic.
Pasi çliroi kampin, Ushtria e Kuqe la një kapiten dhe disa ushtarë pas për t'u kujdesur për të burgosurit e mbetur dhe të varrosnin të vdekurit. Ndërkohë politikanë, gazetarë dhe priftërinjtë vizituan kampin dhe familja Mandic arriti të dërgonte një mesazh se ata ishin ende gjallë dhe se donin të ktheheshin në shtëpi në atë që tani ishte Jugosllavia.
I burgosuri i fundit
“Pastaj, pas një muaji, një komandant rus, koloneli Fedosenko, erdhi nga Krakovi për të zbatuar një urdhër të shkruar në një telegram nga zyra e tij në Moskë, i nënshkruar nga asistenti i Stalinit Nikolai Bulganin, për “ta marrë familjen e Ante Mandic nga kampi në Aushvic dhe t’i transportonte ata të Moskë’,” kujton Mandic.
Një ekip filmi shoqëroi oficerin rus dhe e xhiroi të gjithë skenën – filmime të cilat Mandic i pa vetëm më shumë se 20 vjet më pas.
“Në vitin 1969 shkova në Aushvic për herë të parë pas vitit 1945 dhe në kinemanë përkujtimore – gjithmonë emocionohem kur e sjell në mendje këtë kujtim – për pak më ra infarkt kur pashë një film që tregonte lirimin tim,” thotë ai.
Familja Mandic ndenji për më shumë se dy javë në kamp me kapitenin rus derisa ai i çoi ata në Krakov, më pas ata u zhvendosën në Moskë me kamion. Në kryeqytetin rus, ata iu bashkuan një delegacioni jugosllav udhëhequr nga Titoja dhe fluturuan për në Beograd më 1 maj 1945.
Që atëherë Mandic ia kushtoi jetën e tij aktivizmit anti-fashist, duke organizuar një ekspozitë udhëtuese rreth përvojës së tij, e cila shfaqet nëpër dokumentarë, duke dhënë intervista, duke drejtuar një OJQ vendase antifashiste në Opatija dhe duke organizuar çdo vit një udhëtim për në Aushvic ditën e çlirimit të tij.
I pyetur se si i sheh ai luftërat që shpërthyen në Jugosllavi dekada më vonë, në vitet 1990, Mandic thjesht i përshkruan ato si “një fyerje ndaj gjykimit të mirë”.
“Ne e dimë se një njeri shumë rrallë përdor përvojën e dikujt tjetër për të ndërtuar të ardhmen e tij ose të saj. Kjo është arsyeja pse shpresoj që puna ime në tregimin e të vërtetës për Aushvicin mund të ketë një efekt më të gjerë,” shpjegon ai.
“Sikur të mund të jepja vetëm një gur për të ndërtuar diçka bazuar në eksperiencën time, do të isha krenar. Por këto gjëra s’do t’i parandalojnë njerëzit për të kryer mizori të tjera në të ardhme.”