“Kukulla” e Ismail Kadare, romani i përjetimeve të fuqishme dhe mesazhit të themeltë

Nga Albert Vataj
E lehtë si një kukull letre. Nënë, një nënë që zbret nga kreshta e kujtesës së shkrimtarit si një fije letre që rrëzohet prej një shkujdesje dhe cytet të mëtojë duke e pikënisur, prej ditëve të shterrimit, prej fryme të kësaj nëne, vdekjes që vjen për të rrëmuar si një mall në sundukun e kujtimeve.
Ndoshta mungimi i nënës mund të të bësh ta lexosh “Kukullën” e Kadaresë si një nevojë për prehje, cytje malli dhe joshje dhembshuri. Vjen në ndarje si në një takim me një pjesë, të cilën ndjen se duhet ta japësh, sepse nuk të përket më, një vetvete që shkon për të mos u kthyer më, për të mbetur shumë më shumë se kujtime, shumë më shumë se sa copëza përjetimesh, me të cilat rrekesh të ribësh jo të gjallët e një vdekjeje, por rritjen, udhën që ke bërë dhe atë që të mbetet të bësh i shoqëruar prej një hijeje, e cila herë të vjen nga pas dhe herë të prin përpara, por kur të të braktisë. Të jetë aty, te vështrimet që shohin thellë, te sytë e përlotur që yshtin plagime, te ledhat në kokë që të ngërthejnë të ëmbëltave ëndërrime, aty, po aty te çdo rrëzim, dora që të ngre dhe zëri që të shëron.
Ndoshta janë të pavend retorikat patetike, siç janë të kapërcyera të gjithë pengimet, që na çojnë te nevoja për një prani që na merr në ikje çfarë ikjet lënë si një lëndë ngjizjeje dhe çlirimi. Një shkëputje e fundmë, pas kordonit ubilikal dhe krejt frymës që frymshëm i ndez vërshimet e limfave që na përshkojnë.
Një ikje prej ikjes, për t’u mbushur me rritje në ndarjen e mallshme të ligjësisë së jetës dhe fatit, që na përndjek, për të shkuar larg, dhe ngjitur lart, për t’u dhënë rritjes dhe harlisjes si një pemë, si një pemë që s’harron se është me rrënjë në tokën gjithnjë të etur për gji dhe lot.
***
Shkojmë në të cytur të një shtjellim tjetër, te “Kukulla” e Ismail Kadaresë, te Shqipëria e tij, dashuria pa kushte, Shqipëria e përjetshme, e cila është baza dhe boshti, shtrati dhe kuptimi i krejt veprës letrare të shkrimtarit. Te lidhja e shpirtshme me tokën mëmë si me kujtimet dhe mallin e nënës, e cila në një simbolikë të kukullës, i mban të pakëputshme fijet me kohën që largohet, ashtu e lehtë si një letër, për të mbetur ndraje dhe ngulm, dhimbje dhe rritje, mallë dhe shpirtje.
***
Parë nën një akullsi të shprehshmërisë njohëse, ose më saktë ndërmendëse, sepse është kohë në mes qëkur libri erdhi, është arratisje e gjëmshme që na ndan me librin tashmë, është një tashmëri që po mbushet gjithnjë e më shumë ky boshllëk me panevojën për qenë përfshirje dhe përjetim i një libri.
“Kukulla” e Ismail Kadaresë Fillimisht ka qenë pjesë e librit “Mëngjeset në Kafe Rostand” botuar në vitin 2014. Më pas u botua si një roman i pavarur, fillimisht në Francë me titullin “La Poupee” dhe më pas në shqip. Romani thellohet në marrëdhënien shumëdimensionale midis autorit dhe atdheut të tij, duke e portretizuar Shqipërinë si një dashuri të qëndrueshme, një bazë të përjetshme dhe thelbin e veprës letrare të Kadaresë. Përmes “Kukullës”, Kadare eksploron lidhjen e thellë midis identitetit, kujtesës dhe figurës së nënës, duke theksuar fuqinë e qëndrueshme të lidhjes nënë-fëmijë. Romani ndriçon aspektet misterioze dhe të përjetshme të kësaj marrëdhënieje, duke e bërë atë një temë qendrore në universin letrar të Kadaresë.
***
(Copëza të mozaikut rrëfyes të Kadaresë tek romani “Kukulla”)
“…..E lehtë. Shkallët prej druri të shtëpisë, zakonisht të ndjeshme, nuk kërcisnin kurrë nga e shkelura e saj. Sepse ashtu si hapat, çdo gjë e kishte të lehtë: veshjen, të folurën, psherëtimën……”
“…ashtu siç nuk e kuptoja dot se si ishte e mundur vite me radhe nuk e kisha ndier kurrë të hynte a të dilte në tualet, thua se nuk shkonte kurrë atje.”
“Shtëpia përveçse e stërmadhe e si të mos mjaftonte kjo, vjehrra gjyshja ime, përveç namit të gruas buzëhollë, kishte edhe atë të mençurisë. Do të duhej mjaft kohë për të kuptuar arsyen e thellë se përse name të tilla për mençuri të tepërt e besdisnin time më.”
“Sado që të dukej se ishte e përgatitur gjatë për bisedimet bëri lëmsh gjithçka, më në fund arrita të kuptoj thelbin e gjithçkaje që donte të thoshte. Kishte dëgjuar se djemtë kur bëhëshin të famshëm i ndërronin nënat. Domethenë zgjidhnin një tjetër nënë? –Mos qesh Smail!. Domethënë zgjidhnin një tjetër nënë, një artiste të operas për shembull? Apo një anëtare të akademisë? Kush ti ka thënë këto broçkulla? …Kukulla kryeneçe, si rrallëherë s’përgjigjej.”
“…Dhembshuria, shumë më e fortë se herët e tjera, më shpoi si thikë. E bashkë më të mendimi se këtej e tutje do të isha pikërisht unë shkaktari i ankthit më të madh dhe njëherazi më të kotë të saj: frikës së mohimit. Që ishte më i koti.”
“Gjithmonë e më tepër do të më pëlqente të mendoja se ndoshta pikërisht aty, tek ai zbërthim i gabuar i pamjeve të botës, në atë pasaktësi dhe sprapsje të arsyes, shkurt, në këmbënguljen e fëminisë për të mos ikur, fshihet ndoshta zanafilla e asaj që quhej dhuntia e të shkruarit…..Nganjëherë më dukej se të gjitha ato që thuhej se merreshin nga qumështi i nënës, unë i kasha marrë nga qumështi tjetër, disi i ndryshëm ai i kukullës. Gabime që më dukeshin tani aq të bukura, arsye të përmbysura krejt, ato që, pasi i humbje njëherë, nuk i gjeje dot kurrë, më rrinin gjysëm të mpira në kujtesë.”
“Nganjëherë më dukej se nga gjithçka që e dëmtonte atë në jetë, më hynte mua në punë në art. Ashtu si heqjen dorë nga çdo liri dhe autoritet prej nëne, shkurt, në shëndrimin e saj në kukull, për të më dhënë mua gjithë lirinë e mundshme prej njeriu, në një botë ku liria ishte kaq e rrallë dhe e pagjetshme…”
“….pak përpara se të shuhej më tha se kishte një lutje për mua. Ndërsa fliste, zëri iu mek. Donte të varrosej në një varr me “atë”, d.m.th. burrin e saj… Dhe më shpjegoi se kishte frikë të rrinte vetëm nën dhe. I dhashë fjalën se do të bëhëj siç donte ajo.”
***
Mëton Kadare: “Nënat janë qeniet më të vështira për t’u kuptuar, më thoshte gjatë një darke në Paris Andrei Voznjesenski. Ishim të ftuar të dy me Helenën tek Alain Bosquet, kur, midis të tjerash, e pyeta diçka për ca vargje të tij që kishin bërë bujë, të shkruara në trajtë gjysmë anagrami. Midis tyre ishte një varg ku fjala nënë, rusisht mat (shoqëruar me shenjën zbutëse), përsëritej tre herë; Matmatmat, kurse herën e katërt ishte vetëm gjysma e saj ma, e cila në fund të vargut, duke u bashkuar me shkronjën ‘t’ të ‘mat’ (nënës) së fundit, jepte fjalën ‘tma’, që do të thoshte terr.
… Ishte ndoshta kjo arsyeja që më dukej e natyrshme që përgjigjen për pyetjen e saj, t’ia jepja qoftë edhe me vonesë, tani që ishte shtrirë në arkëmort, e bardhë, me pakëz të kuq në faqe, krejt Kukull, në arkëzën e lodrave. Tek e shihja ashtu, më dukej se prej vitesh ishte përgatitur për këtë kapërcim. Kishte vënë pak grim, si për një shfaqje të fundit, kurse stili ishte po ai, dhe i njëjtë ishte thelbi i pyetjes; zëvendësimi i nënës, paçka se mund të përmendeshin fjalët solemne “Nëna Francë” ose ‘ Nëna Shqipëri”.
Nuk është i pavend asnjëherë kthimi te një lexim, te një nevojë për t’u mbushur me mall ndarjeje.

SHKARKO APP