Lufta e Parë Botërore
Nga DW/
“Finie la guerre?”, “A ka përfunduar lufta?” Makina e negociatorit gjerman, i cili më 6 nëntor kalonte kufirin nga Belgjika për të hyrë në Gjermani, i entuziazmoi ushtarët francezë. Ende ushtritë ishin përballë njera-tjetrës, por luftës që zgjati mbi katër vjet, tani dukej se po i afrohej fundi. Ndoshta politikanët e ardhur nga Berlini sillnin si për të shijuar paqen ndonjë cigare me vete? Por Mathias Erzberger, drejtuesi i delegacionit gjerman, i duhet të refuzojë. “si dikush që nuk e pi duhanin”, shkruan ai në kujtimet e veta, “nuk mund t’ua përmbushja dëshirën.”
Por shumë më e rëndësishme është, që ai dhe homologu franzec përballë tij, marshalli Ferdinand Foch, ua përmbushën ëndrrën miliona europianëve, kur mëngjesin e 11 nëntorit 1918, në një tren në pyllin e Compiègne, rreth 90 km në verilindje të Parisit, nënshkruan armëpushimin e sapo negociuar mes Gjermanisë dhe Aleatëve. Gjermania kishte kapitulluar. Disa muaj më pas, në sallën e famshme me pasqyra në kështjellën e Versajës, të dyja palët nënshkruan zyrtarisht Marrëveshjen e Paqes.
Ofensiva e fundit gjermane
Deri në verën e vitit 1918 ushtria gjermane kishte depërtuar thellë në frontin e perëndimit, e pjesërisht kishte fituar territore të mëdha – ndonëse fuqia e ushtrisë vetëm në periudhën mars – korrik ishte zvogëluar nga 5,1 në 4,2 milionë forca. Megjithatë perandoria mundi t’i plotësojë boshllëqet e krijuara deri në verën e vitit 1918, edhe pse duke dërguar ushtarë të shëruar që dikur kishin qenë të plagosur. Këtyre u shtohen edhe rekrutët e parë të datëlindjes 1900.
Por gjermanët e shohin tani veten përballë një armiku të ri: Amerikanëve. Pasi presidenti i SHBA-së, Wilson i shpalli luftën Gjermanisë në prill 1917, ata depërtuan përmes Atlantikut. Në fillim të vjeshtës 1918 mbërrijnë rreth 10.000 ushtarë në ditë. Amerikanët e rinj vërtetë ishin pa përvojë në luftë, pranon historiani John Keegan. “Megjithatë vendimtar ishte efekti që kishte mbërritja e tyre ndaj kundërshtarit: mjaft deprimuese.” Më në fund janë njësitë e armatosura mirë të SHBA-së, që e vendosin luftën në favorin e aleatëve. Shtabi drejtues i ushtrisë gjermane në vjeshtë e kuptoi, që lufta nuk mund të fitohet më, që shpartallimi i plotë i frontit gjerman mund të shmanget vetëm me një marrëveshje armëpushimi.
“Një rrënojë pasonte tjetrën”
Armëpushimit të 11 nëntorit i kishin paraprirë katër vjet gjakderdhje e tmerrshme dhe një shkatërrim i paparë ndonjëherë në Europë. Këto shkatërrime arriti t’i shohë nga afër Erzberger gjatë udhëtimit përmes Belgjikës dhe Francës: “Asnjë shtëpi nuk qendronte më mbi themel; një rrënojë pasonte tjetrën”, shënon ai në kujtimet e tij. “Nga drita e Hënës këto rrënoja dukeshin si fantazma dhe asnjë frymë njeriu nuk dukej gjëkundi.”
Erzberger nxori një bilanc të një lufte, që kishte qenë më vrastare se çdo luftë tjetër e mëparshme. Përparimi teknik dhe industrializmi kishin prodhuar një arsenal armësh, që linte në hije për nga cilësia dhe sasia armatimet e mëparshme: Tanke në dukje të pashkatërrueshëm, nëndetëse manovruese nën ujë, artileri me rreze gjigante veprimi, gazra vdekjeprurës.
6000 të vdekur në ditë
Nga viti 1916 gjermanët vunë në përdorim “Langen Max”, topat prej 300 kilogram, tytat e të cilëve me gjatësinë 35 metra i hidhnin predhat deri në largësinë 48 kilometra. Me armë të tilla gjermanët më 23 mars 1918 goditën Parisin. Një granatë ra në kishën Saint-Gervais, pikërisht në kohën që po mbahej një meshë. 88 vetë u vranë dhe rreth 100 u plagosën.
Historianët ushtarakë llogarisin, që në Luftën e Parë Botërore janë hedhur rreth 850 milionë granata artilerie. Vrasjet në këtë luftë masive u industrializuan, nën breshërinë e të shtënave të topave dhe nën zjarrin e automatikëve gjetën vdekjen gati njëmbëdhjetë milionë ushtarë. Gati 56 milionë rekrutë ishin grumbulluar në shërbimin e detyruar ushtarak në të gjitha kombet e involvuara në luftë. Mesatarisht në çdo ditë të luftës kanë gjetur vdekjen 6000 ushtarë. Këtyre u shtohen edhe mbi 21 milionë ushtarë të plagosur – njerëz që humbën gjymtyrët ose u plagosën rëndë, u paralizuan, apo iu desh të vinin proteza, mbetën të verbër ose të shurdhër.
Të përkulur prej dhimbjes: skulptura “Prindërit në zi” e Käthe Kollwitz, një kopje nga Joseph Beuys në Këln.
“I gjithë trupi mori fund”
Po ashtu tronditëse ishin edhe përvojat nga fronti: “Eshtë e tmerrshme, kur copëzat e granatave depërtojnë me dhunë në pjesë të buta”, kujton ushtari gjerman Karl Bainier, i lindur në vitin 1898. “Dy komandantët tanë korrierë natën u prekën direkt nga predha. Tërë kraharori i njeriut dhe i gjithë torsi i tjetrit fluturuan në ajër. Njeri vdiq në vend. Tjetri vazhdoi të bërtiste.” Ai dhe trupa e tij ishin strehuar në një llogore, tregon Johannes Götzmann. “Ne ishim ulur poshtë, kur granatat goditën. Pati shumë të plagosur. Njeri nuk kishte më këmbë. Ato i ishin prerë. Ai ishte përgjakur aty.”
Ndaj nuk është e habitshme, që në radhë të parë ishin ushtarët ata që mezi prisnin fundin e luftës. “Asgjë nuk është më e pazakontë”, shënonte drejtuesi i ushtrisë princi Rupprecht von Bayern në maj të vitit 1918, që “deri në 20 nga njëqind njësi u larguan pa leje, gjë për të cilën, ata nëse do të ishin kapur i priste një dënim me dy deri në katër muaj burg. Por kjo është ajo që disa e duan duke iu shmangur njërës apo tjetrës betejë.” Në muajt pasues fronti bëhet gjithnjë e më i thyeshëm: shumë ushtarë refuzojnë luftimin, të tjerë nisen me kokën e tyre për në shtëpi. “Ti je në shtrat dhe je një sëmundje. Je një kafkë e thyer, një bark i shpuar, një frakturë e legenit”, e përshkruan Alfred Döblin në romanin e tij “Nëntor 1918. Një revolucion gjerman” jetën e rekrutëve.
Lindja e “legjendës së thikës pas shpine”
Radhët e gjermanëve nisin të shpërbëhen. Komanda supreme e ushtrisë i tërhiqet përgjegjësisë. Më 19 shtator 1918 administratori i kuartierit të përgjithshëm Erich Ludendorff shënonte: “Unë i jam lutur madhërisë së tij, që tani të sjellë në qeveri edhe ato qarqe, të cilave ne u jemi mirënjohës në çështjen thelbësore, që kemi arritur deri këtu. Këta zontërinj ne do t’i tërheqim tani nëpër ministri. Ata duhet të vendosin paqen, që duhet realizuar tani. Ata duhet të hanë tani çorbën, që na e gatuan neve.”
Me “këta zotërinj” Ludendorff kishte parasysh ata politikanë të grupeve parlamentare në Rajshtag, që në verën e vitit 1917 kishin bërë thirrje për një marrëveshje paqeje – socialdemokratët, liberalët e majtë dhe partia katolike e qendrës.
Supozimi i tradhtisë prej atdheut të lodhur nga lufta përfshiu edhe marshallin Paul von Hindenburg, ushtaraku i nivelit më të lartë të perandorisë gjermane. Ai citoi fjalinë e një “gjenerali anglez”, i cili me gjasë nuk e ka thënë asnjëherë atë: “Ushtria gjermane ka pësuar thikë pas shpine.” Gjenerali i nënkuptuar ta ketë thënë këtë shprehje, Frederick Maurice, e ka përgënjeshtruar me insistim ta ketë përdorur ndonjëhere një shprehje të tillë. Por deklarimi i tij nuk pati efekt: kësisoj lindi “Legjenda e thikës pës shpine”, supozimi, se lufta është humbur vetëm prej tradhëtisë nga brenda. Kjo ndikoi qenësisht që më pas të dështonte Republika e Vajmarit.
“Mllef, mllef e aspak arsye”
Fillimisht 11 nëntori 1918 solli fundin e shumëdëshiruar të luftës. Por ai nuk solli fundin e dhimbjes. Privacionet, varfëria dhe hidhërimi vazhdojnë t’u zënë frymën njerëzve. Këtyre u shtohet edhe një ndjenjë që po përhapej gjithnjë e më shumë, se ishte luftuar më kot dhe e gjithë vujatja ishte më kot. “Absurditeti ka arritur në pikën më të lartë, është mllef, mllef, por ende aspak arsye”, e përmbledh zemëratën e bashkëatdhetarëve shkrimtari Walter Serner. Kryesisht gjermanët i mbërthen kjo ndjenjë helmuese. Kjo u kthye në terrenin ushqyes të ngjitjes politike të një ish-ushtari në front me emrin Adolf Hitler.