Mero Baze: Një histori me Fatos Arapin dhe Berishën

Atdheu të ndjen, kur e di pse hesht!

Nga Mero Baze 

Fatos Arapin e kishin ftuar të ishte në shtëpinë e Alimerkove, në Vlorë. Ishte Tetor i vitit 1994 dhe Sali Berisha kërkonte të çelte fushatën e referendumit për Kushtetutën nga Shtëpia e Alimerkove, e cila kishte dy të vrarë nga Lufta, njërin si dëshmorë partizan e tjetrin si dëshmorë, pjestarë të Ballit, po ashtu të vrarë në luftë. Ishte një përpjekje për të gjetur një nyje bashkuese për qytetin që dukej që se nuk e pranonte.

Fatos Arapi ishte në korridorin e shtëpisë, bashkë me disa pjestarë të një Forumi Intelektualësh, por dhe si djal i Toli Arapit, një prej personalitetve të mëdha të Vlorës dhe gjithë Shqipërisë.

Berisha hyri ashtu rëmujshëm dhe i kompleksuar nga klima që e rrethonte në qytetin e Vlorës. Tha disa fjali patetike për nevojën e Kushtetutës “si shërbim i madh për Shqipërinë”, dhe pikasi Fatosin mes atyre që ishin të ftuar në shtëpi.

-Ja këtu kemi dhe birin e Labërisë, Fatos Arapin, -tha, poetin tonë të madh….

Fatosi nuk e la të mbaronte.

-Jo jo, nuk jam biri i Labërisë, jam i Zvërnecit, i Vlorës…

Berisha e kaloi me të qeshur.

-Po njësoj janë,- tha, dhe Labëria e Vlorës, e Shqipërisë është…

-Jo jo mos ma bëni këtë. Nuk është kaq e lehtë të më fshish ullinjtë e mi me një fjali…dhe u skuq i tëri sikur ta kishte helmtisur ajo skenë. Doli jashtë dhe dy tre gazetarë që ishim aty tentuam ta qetësojmë, se “Doktori e bëri pa dashje”, se nuk e njeh mire diferencën mes krahinave të jugut.

Na pa pak si i hutuar dhe na bëri një shenjë me dorë sikur donte të na thosht “mu hiqni sysh”.

Pastaj ndenji dhe pak duke parë lart nga Ullishtet dhe filloi të flas.

-Nuk kam gjë me Presidentin,- tha, por kur njeriu flet për Atdheun, duhet ta ndjej. Nuk mund të flas kuturu se Atdheu të kupton kur flet kot.

Poeti më modern i Shqipërisë së shekullit 20 dhe prozatori brilant i novelës “Cipa e Dëborës”, iku si njeri i vërtet. Nuk pranoi asgjë fallco në jetën e vet.

Vëllai i tij dikur partizan, e më pas një i zhgënjyer, që ju kundërvu pushtetit të dal nga lufta, u zhduk pa lënë gjurmë dhe u bë makthi i jetës së tij, si një shenjë në horizont që i kujtotne gjithnjë se të qënit i vërtet kushton.

Fatos Arapi ishte ndër ato personalitete të mëdha të këtij vendi, që e mbrojti të vërtetën, kur ajo ishte e rrezikuar nga diktatura dhe u mbrojt nga gënjeshtrat në liri. Por natyrisht me një kosto më të madhe. U vetmbyll, duke dashur të harrohet nga të gjithë, që të mos e ngatërronin me të “vërtetat” e shpikura të lirisë. Sot që iku e kuptojmë që  Ai ja arriti qëllimit të vet. Se Atdheu të kupton kur flet kot, ashtu sic të ndjen kur e di pse hesht.

Gazeta TemA

SHKARKO APP