Miqësia e prishur mes Palokës e Ramës dhe boja e gazetarit mbi Kryeministrin

Nga Rudi Erebara

Ne Edin e kishim shok. `Ne Edin e kishim shok, bashkë me Edi Palokën. Ne Edin e kishim shok përpara 28 vjetësh edhe e donim. E donim sepse ashtu turbull të gjithë mendonim se me lirinë të gjitha do të bëheshin mirë. Ashtu në formimin e cungët njerëzor, si mbijetues pos diktaturë.

Sot, boja blu e shkrimit, që Paloka, nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, i tha me një copë shiringë të gjitha, kur i ra Ramës. Ishte bojë e stilografit të gazetarit Paloka. Titullar për vite në gazetën Rilindja Demokratike. I ra Ramës, si Pollock-u. Edvini duhet ta vlerësojë lart këtë dashuri njerëzore që tregoi Edi Paloka.

I tha Ramës si Kryeministër, të gjitha fjalët e sakta që nuk dëgjon si institucione. Edhe na ktheu ne që ishim atëherë njëlloj kur ishim shokë me aspirata demokratike, pavarësisht statusit që kishin familjet tona.

Sot Edi Paloka na tha të gjithëve me një gjest gazetari se nuk ka më asnjë kuptim më të harxhojmë bojë. Këtë ia tha edhe kryeministrit Rama. Nuk ka më fjalë. Nuk ka më llogjikë kjo që ka ndodhur. I tha: të bëra me njollë se ti je me ata!

Edhe ne nuk kemi qenë kurrë me ATA!. Ata janë krimi. Sigurimi. Droga. Injoranca. Provincializmi. Pushtimi. Kthimi mbrapa. Dashuria për diktaturën dhe Enver Hoxhën.

Edi Paloka tha: Rama është i kapur edhe nuk është më shok me ne, siç ishim atëherë. Është i pashpëtueshëm sepse nuk do vetë të shpëtojë as si kryeministër.

Nuk do vetë, sepse ka zgjedhur të rrijë me një shoqëri që ne, 30 vjet mëparë kur ishim keq shumë, e refuzuam. Ai e zgjodhi edhe vazhdon ta mbajë.

Gjesti i Edi Palokës sot më kujtoi një parlament të madh si parlamenti i kohës së Zogut. Të përshëndes Edi Paloka.

SHKARKO APP