Një tekst poetik i vjetër sa vetë melodia që e ka përcjellë si këngë
Nga Tonin Çobani –
Poezia shqipe dokumentohet e shkruar shumë vonë, ashtu si vetë gjuha shqipe e shkruar. Por, sikundër vërtetohet se gjuha e sotme shqipe është vazhdim i gjuhës së ilirëve, duhet pranuar se edhe poezia e sotme shqipe i ka modelet e veta më të hershme në kulturën ilire, që është ndër vlerat më të lashta të Mesdheut. Muzikologu Gjon Kolë Kujxhija në parathënien e librit tij “Valle kombëtare” flet për vjetërsinë e melodive, me të cilat janë përcjellë këto vargje poetike. Ai thotë: ‘Edhe pse të shkurta e të thjeshta, janë [melodi, dhe vargje―shtoj unë] shumë të bukra dhe shprehëse. Ndër to gjejmë gjithfarë elementash: fuqi, ambëlsi, sinqeritet, mysticizëm et., shprehje e vërtetë e shpirtit t’onë.’ (Gj.Kujxhija,‘Dasëm shkodrane’, Firenze, 1943, f. VI–VII)
Sa i përket teksteve, këtë hershmëri e vertetojnë disa tufëza vargjesh, të mbetura si fosile, që vijnë deri në epokën moderne si modele të pakrahasueshme të artit të fjalës së bukur. Më së pari ato janë disa fragmente lirike të poezisë gojore shqipe, të cilat vazhdojnë të gjallojnë deri në ditët e sotme në ceremonialet tradicionale të dasmës dhe të mortit, apo ndër rituale kremtimesh, që për nga përmbajtja na duken të jenë të epokës parakristiane. Gjon Kujxhija shkruan: ‘Vallet [muzikë, poezi dhe danzë] janë muzika ma e vjetra, ma origjinale, dhe ma e bukura qi kemi trashigue prej të parve t’onë.” (Gj.Kujxhija, po aty, f. IX)
Në tekstin e një kënge, që njihet me titullin ‘Mori drandofillja e bardhë’, regjistruar me nota muzikore, së pari, prej Gjon Kujxhisë, thuhen vargje me një figurshmëri kaq të ngurtësuar saqë vajzat, që i këndojnë, zor se ua dinë më kuptimin. Nga ana tjetër, aty vërehen simbole iliro-mesdhetare me ngarkesa mistiko-rituale tanimë të harruara, si janë: numri nëntë (Kû mrizojshin nândë ogiç/ Nândë ogiç me nândë kumbonë), që ka lidhje me ciklin hënor.
E njëjta gjë mund të thuhet për figurat gjeometrike rrethore (Të gjith nji vashë po i rrotullon), që simbolizon diellin, sikundër disku (rrethi) në shkop (Të gjith nji vashë po i rrotullon/ me nji thupur…) që simbolizon plleshmërinë lidhur me gjarpërin (kulti kryesor i ilirëve), një lloj orgjie dioniziane, përhapjen e së cilës në brendësi të Ballkanit ilirologët e shpjegojnë me një tregim për lindjen e Aleksandrit të Madh, nga e ëma, Olimbia (fisi ilir i Mollosve), në bashkim mitik me një perëndi gjarpër (duke aluduar për Kadmin).
Por, si duket, nëse ato që i kanë bartur gojë më gojë këto vargje poetike ndër shekuj ua kanë humbur kuptimin, e ndiejnë emocionalisht atë që këndojnë nga melodia, ritmi dhe solemniteti i ceremonialit të dasmës ku vajzat këndojnë për nusen por, më shumë, për veten e tyre. Sot kjo ndieshmëri mund të merret me mend, po të konsiderojmë si fjalëkyç vargun e fundit, një varg si kontrapunkt ironik, që përmbyll këngën dhe orienton interpretimin e të gjithë vargjeve, duke përfshirë simbolet e lashtësisë dhe metaforat e ngurtësuara. Gjon Kujxhija do të thoshte ‘e këtu ndijmë “minorën”’. Ai varg ironik është: marinari “lypte vashën virgjineshë”. Pra, kemi të bëjmë me një tekst poetik ku hymnizohet feminiteti dhe ironizohet një lloj morali që i bie ndesh natyrshmërisë. Është, afërsisht, koha kur virgjiniteti është institucionalizuar si normë morale, d.m.th., është koha kur patriarkati ka arritur në fazën e vet më të konsoliduar, që në Shqipëri ka zgjatur deri në fundshekullin e kaluar. Të asaj epoke duhet konsideruar ngjizja fillestare e atyre vargjeve që vijnë të ngurtësuar figurativisht deri në kohët moderne. Gjon Kujxhija flet për rracën tonë të ‘Iliro―Thrakëve, pjesëtarë të familjës së madhe indo-europiane’. Ai shton se ‘Shqipnija ka qenë përherë nji urë kalimi, qi ka bashkue prendimin me lindjen; Romë‒Athinë, Romë‒Kostantinopol’. (Gj.Kujxhija, po aty, f. VIII)
Kështu vallja ‘Mori drandofilja e bardhë’ vjen si një lirikë e kënduar, në tekstin e të cilës ka vargje që mund të merren, ndoshta, si ndër më të hershmit në gjuhën shqipe. Varianti i parë i saj u botua në fillim të shekullit XX nga shkrimtari Vinçens Prennushi (‘Kangë popullore gegnishte’, Sarajevë, 1911); i dyti, rreth tri dekada më vonë nga folkloristi Kasem Taipi (‘Zana popullore’, Tiranë, 1933); i treti nga etnomuzikologu Gjon Kolë Kujxhija (‘Valle Kombëtare, Vol. I, Dasëm Shkodrane’, Firenze, 1943.), të cilin e kam zgjedhur si variant bazë të këtij studimi, pasi është i pari i regjistruar edhe si notëzim muzikor; i katërti vjen nga folkloristi Qemal Haxhihasani (‘Balada popullore shqiptare’, Tiranë 1982) dhe i pesti nga muzikologët Tonin Daija dhe Tonin Zadeja (‘250 kangë qytetare shkodrane’, Shkodër 2000), të cilët kanë riprodhuar notëzimin e Gjon Kujxhisë. Fragmente të kësaj kënge janë gjetur edhe ndër arbëreshët e Zarës, në malësorët e Bregut të Matës dhe në Zadrimë, prej nga duhet të jetë mbartur në qytetin e Shkodrës.
Melodia që shoqëron tekstin është një frazë e vetme muzikore, e cila këndohej pa shoqërim instrumental (‘a capella’) nga një kor vajzash në ditët para dasmës dhe në shtregulla. Vajzat vendoseshin në dy radhë dhe këndonin duke shoqëruar vetën me levizjen e njërës këmbë para-prapa. Në qendër të secilit grup qëndron solistja (varianti i Zadrimës). Kompozitori Preng Jakova e paraqiti në skenë këngën ‘Mori drandofillja e bardhë’ si pjesë të tabllosë muzikore ‘Dasma shkodrane’ (1947). Duket se që nga ajo kohë në qytetin e Shkodrës nuk këndohet më ‘a capella’ dhe nuk ruan elementët e tjerë të interpretimit ritualo-koreografik. Ndërsa motivi muzikor i saj u shfrytëzua nga kompozitori Çesk Zadeja si lajtmotiv kryesor në ‘Simfoninë Nr. 1’ (1956), që është edhe simfonia më në zë shqiptare e shekullit XX.
Analiza tekstologjike na sugjeron të dallojmë disa shtresëzime të vargjeve, prej të cilave ka rëndësi ai më i vjetri, që lidhet me ceremonialin e dasmës, si ritual i çiftëzimit apo zhvirgjinitetit për vajzën që do të bëhet grua. Nisur edhe nga partitura muzikore, mendojmë se struktura ritmike e vargut është bazuar në sistemin kuantitativ të zanoreve (konkretisht në këmbën e tipit – vvv), sistem që nuk funksionon më në poezinë shqipe, pasi vargëzimi i sotëm shqiptar bazohet tërësisht në sistemin silabo-tonik (bën përjashtim të pjesshëm poezia e shekullit XVII). Edhe ndërtimi i disa figurave vjen i ngurtësuar, si fosile e një fleksibiliteti të hershëm poetik të gjuhës: mora gjethin me ty (ndërrova veshje, u riformova, u bëra zonjushe, jam gati për të çelur, për t’u bërë grua), pra, jam gati të marr detin me sy … me nji thupur [të] xen lejthin, por edhe të pranoj dhimjen e pasojat e tjera (pikoi lodja e rá në dét/ u ngri deti akull-o).
Dhe, për të përfunduar, një koment i shkurtër i disa vargjeve të Gjergj Fishtës që i referohen këngës “Mori drandofillja e bardhë” (“Lahuta e Malcis”, Kanga XXIV, “Zana e Vizitorit”, vv. 530 – 572.): “E n’atë t’amblën gjuhë shqiptare / Te një lis a nën ndo’i dardhë / Unë këndo, po, e ti këndo, / Si këndon zogu i verës-o, / Mori drandofillja e bardhë!”
Ky Zogu i verës i zë vendin marinarit të këngës popullore. Është një zog “i vocërr” dhe “i mjerë”. Heroina e “Zanës së Vizitorit” (Tringa), e mban në dorë (në robëri), por në robëri a këndohet? “S’del kanga në robni”, thotë poeti.
Me gjithë atë, në vargjet: “Se tash del, po, prap pranvera, / Prap tash njethen gjeth e lule, / E me u de ka bora malit, / Me rrëmbye kan’ përrojet zallit.” realizohet një përshkrim i gjallë i ndërrimit të stinëve. Duket sikur përcillet shprehëshmëria e vargut “kur mora gjethen me ty”. Më i fuqishëm bëhet ai përshkrim i Fishtës kur i bashkohen edhe tingujt festivë të veglave muzikore (“E tash bien fej e zamare, / Tash tingllojnë linge e koçana (zile e këmborë”), në sa vashat (blegat) vijnë me mollëza të skuqura flakë (“ Tash këndojnë bari e blega (barinj e baresha), / Blegat, mollëzat kuq si shega..”).
Dhe vargu me sinergji universale (“Prap tash këndon ai zogu i verës”), që shpreh lidhjet e brendshme dhe të mistershme të poetit tonë Kombëtar me vargjet e këngës popullore (“Mori drandofillja e bardhë”) që tashmë e kemi të notëzuar nga Gjon K.Kujxhija e të shfrytëzuar në krijimtarinë e muzikantëve të tjerë pas tij.
Teksti i këngës ‘Mori drandofillja e bardhë’ në të katër variantet:
Mori drandofillja e bardhë!
Kúr mora gjethin me ty,[1]
Mora detin-o me sy.
Në mjedis të detit-o,
Ish nji lis i vogël-o.
Sá i vogël lisi ishte,
Sá tê madhe hije kishte.
Kú mrizojshin nândë ogiç,[2]
Nandê ogiç me nândë kumbonë,
Të gjith nji vashë po i rrotullon.
Me nji thupur xên lejthin,[3]
Na i rá marinarit në sy.[4]
Pikoi lodja e rá në dét;
U ngri deti akull-o;
Mbeten barkët shakull-o;
Barkaxhisë na i rá lëngimi;
Lypte gjana qi nuk ishin:
Lypte mish leprit të thînët,
Lypte djathë fëllanxe t’ butë,
Lypte vashën virgjineshë.
(Gj.Kujxhija, po aty, f. 2)
[1] Variant: ‘kur mora gjethin në ty’ (Taipi), ‘kur mora gjethin më ty’ (Haxhihasani).
[2] Variant: ‘ku mrizojshin nand-e grigje’ (Prennushi, Haxhihasani).
[3] Variant: ‘me nji thupër gem lejthi’ (Taipi, Haxhihasani).
[4] Variant: ‘na i ra marnarit n’sy’ (Prennushi), ‘na i ra djalit në sy’ (Taipi), ‘na i ra manarit n’sy’ (Haxhihasani).