Papërgjegjshmëria e një qeverie në pandemi është krim

Dr. Bledar Kurti

Papërgjegjshmëria e një qeverie në kohë normale është shkelje e detyrës shtetërore, demokracisë dhe mirëbesimit të popullit, por papërgjegjshmëria në kohë pandemie është krim njerëzor dhe kombëtar. Po vdesin mosha të reja. Infektimi ka cekur në çdo shtëpi. Shifrat e infektimeve fshihen. Mjekët në terren janë të shushatur nga mospërputhja e të dhënave që raporton qeveria me ato që ata shohin e përballen çdo ditë. Kjo përbën krim me vetëdije nga qeveria.

Shqiptarët janë të frikësuar ndërkohë dëgjojnë propagandën e qeverisë që tregon përralla me mbret se si Durrësi dhe Tirana do bashkohen në vitin 2030, e gënjeshtra pafund për projekte surreale për porte, aeroporte, hekurudha, etj, sikur po shpjegojnë një film fantastiko-shkencor. Me një bilanc tragjik prej 8 vitesh mjerimi, shpopullimi, korrupsioni dhe degradimi të demokracisë, dhe me një bilanc edhe më tragjik të infektimeve dhe vdekjeve në 11 muajt e fundit, qeveria nuk meret aspak me të tashmen. Sot, tani, shqiptarët po infektohen e jetë shqiptarësh po shuhen ndaj mos u merrni me Shqipërinë futuriste por menaxhoni pandeminë e frikshme në Shqipërinë e sotme.

Çdo frymë dhe energji më shumë që qeveria shpenzon për propagandë është një frymë dhe energji më pak në mbrojtje të jetës së shqiptarëve. Me propagandën kolosale për projektet 3D që bën kjo qeveri po kryen një krim kolosal ndaj shqiptarëve. Nuk ka vaksina. Nuk ka teste. Nuk ka strategji. Por ka premtime dhe propagandë. Ndaj edhe infektimi dhe numri i vdekjeve po shtohet.

Janë jetë të familjarëve tanë. Të miqve e të afërmve tanë. Jetë të reja. Jetë shqiptarësh. Pandemia e Covid-19 është një tragjedi e madhe. Një qeveri e papërgjegjshme në këtë situatë të frikshme është një tragjedi edhe më e madhe. Puna e parë dhe urgjente e qeverisë së re të pas 25 prillit duhet të jetë krijimi i një strategjie efektive për menaxhimin e pandemisë duke përfshirë profesionistët më të mirë që ka vendi, e madje duke përfshirë edhe mendje dhe personalitete të shquara botërore për ta menaxhuar sa më mirë situatën. Të lerë politikanët dhe zyrtarët të merren me punën e tyre që u takon dhe profesionistët të impenjohen maksimalisht me pandeminë që të shpëtohen sa më shumë jetë.

Kush shpëton një jetë shpëton një botë të tërë.

Mbroni shqiptarët.

Mbroni Shqipërinë.

SHKARKO APP