Pse vdekja e një gazetari provokoi reagim më të ashpër se mijëra të vrarë në Jemen
Nga Max Fisher
Nëse do të kërkonit një vit gjatë të cilit marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite dukej se do të hynin në krizë, padyshim ky vit nuk do të ishte 2018-a. Me shumë gjasa do të ishte 2011-a, kur protestat e pranverës arabe i detyruan Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbështesnin lëvizjet demokratike në Lindjen e Mesme, të cilat qeveria saudite i shihte si kërcënime vdekjeprurëse.
Ai vit mund të kishte qenë edhe 2013-a, kur Arabia Saudite mbështeti një grusht ushtarak shteti në Egjipt, të cilin Shtetet e Bashkuara ishin përpjekur ta parandalonin dhe që sinjalizoi fundin e një momenti demokracie në rajon.
Ai vit mund të ishte edhe 2016-a, gjatë të cilit lufta që sauditët drejtuan në Jemen u kthye në një nga krizat humanitare më të rënda, ku ishin përzier edhe SHBA-të. Megjithatë, nëse do të zgjidhnit njërin prej viteve të mësipërme, do ta kishit gabim.
Në vend të secilit prej tij, 2018-a do të shënonte ngritjen e aleancave informale në pikën më të lartë të krizës, në një kohë kur rrethanat dukej se po i çonin ato drejt forcimit. Dy vendet janë në të njëjtën linjë në lidhje me çështjet më të rëndësishme të politikës, sidomos në lidhje me Iranin. Liderët e tyre janë më afër njëri-tjetrit se asnjëherë gjatë dekadës së fundit.
Ndoshta më e paparashikueshme se të gjitha të tjerat, ndarja nuk qëndron te një numër i madh vdekjesh, veçanërisht ato të fëmijëve në Jemen, por te një e vetme: vdekja shokuese e disidentit saudit Jamal Khashoggi. Praktikisht brenda një nate, mbështetësit amerikanë shumëvjeçarë të aleancës tani po e kundërshtojnë atë. Edhe qendrat studimore, mes shumicës së institucioneve prosaudite në SHBA, po i kthejnë mbrapsht paratë e Arabisë Saudite.
Pse tani? Pse po ndodh kjo? Duket si një surprizë që zbulon se sa e paparashikueshme është bota sot. Dhe për më tepër, ky ndryshim zbulon shumë nga të vërtetat më të qëndrueshme të aleancave politike, psikologjisë së grupeve dhe perceptimeve të moralit. Edhe pse kanë qenë të paktë ata që e kishin pritur diçka të tillë – ndoshta më shumë se të tjerët, princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salman, i cili akuzohet se është përfshirë në vrasjen e Khashoggi-t – gjërat duken më të qarta kur kthen kokën mbrapa.
Tragjedi dhe statistika
Çdo reporter që ka mbuluar krizat humanitare duhet të kuptojë atë që thuhet se Stalini u tha dikur zyrtarëve sovjetikë: Vdekja e një njeriu është tragjedi, vdekja e një milion njerëzve është statistikë. Kjo është arsyeja pse lajmet për urinë apo përmbytjet diku shpesh marrin vëmendje botërore për shkak të historisë së një prej viktimave. Mjafton të kujtojmë rastin e Aylan Kurdit, një vogëlush sirian, trupi i pajetë i të cilit doli në brigjet e Turqisë në vitin 2015, duke e kthyer vëmendjen e globit te kriza e madhe e emigrantëve.
Nuk është e lehtë ta “godasësh” mendjen e dikujt me lajmin e mijëra vdekjeve. Në një rast të tillë, arsyetimi do të na çonte drejt çështjeve të gjeopolitikës, ekonomisë, dinamikave të konfliktit dhe në fund te… statistikat. Por një vdekje e vetme shihet në një perspektivë më të afërt, duke të bërë të mendosh për një baba të pikëlluar apo në bashkëshorte të zhytur në dhimbje. Apo një gazetar të vrarë si Khashoggi.
Psikologët kanë arritur shpesh në përfundimin se njerëzit reagojnë më shumë emocionalisht ndaj një vdekjeje sesa ndaj shumë të tillave, edhe kur rrethanat janë krejt njësoj. Paradoksalisht, sa më shumë viktima, më pak keqardhje ndiejnë njerëzit. Madje, ky efekt ka një emër: kolaps dhe dhembshuri. Kjo nuk do të thotë se ne nuk e vrasim mendjen për vdekjen e miliona njerëzve. Përkundrazi, ne kemi frikë se do ta mbingarkojmë veten dhe i “fikim” emocionet tona si një masë mbrojtëse paraprake. Për shumë vite me radhë, liderët sauditë kanë përfituar nga ky efekt.
Si mund të ndihet një amerikan, madje edhe nëse është përfshirë në qeverisje, para mijëra rasteve të kolerës të shkaktuar nga masat që udhëhoqi Arabia Saudite në Jemen, sidomos kur merr parasysh se edhe SHBA-të asistuan në ato masa? Apo si mund t’u jetë dukur qytetarëve të Bahreinit në vitin 2011, kur tanket saudite hynë në vendin e tyre për të shtypur një kryengritje demokratike? Vrasja e Khashogit është diçka tjetër. Ajo mund të lidhet sidomos me burrat dhe gratë që drejtojnë politikën e jashtme të Amerikës.
Ai ishte një gazetar i arsimuar që kishte shëtitur botën, lloji i njeriut që shumë prej nesh e kanë pasur mik apo partner. Shkrimet e tij në “The Washington Post” e bënë atë në mënyrë jozyrtare pjesë të elitës intelektuale, një klub pjesë e të cilit e konsiderojnë veten shumë nga figurat e Uashingtonit. Edhe vetë princi i kurorës, Mohammed, mund të ketë ndikuar që kjo histori të kishte rezonancë me të madhe. Liderët e mëparshëm të Arabisë Saudite ishin të prirë të shfaqeshin të rreptë dhe të paarritshëm, duke e portretizuar veten si pararoja e burokracive mbretërore të padepërtueshme.
Princi i kurorës shpenzoi sasi të mëdha parash dhe shumë energji për ta portretizuar veten si fytyra e Arabisë Saudite. Duke personalizuar pushtetin, ai arriti të personifikonte qeverinë dhe kombin njëkohësisht. Edhe pse qeveria saudite ka lënë të kuptohet se Khashoggi është vrarë nga agjentë batakçi, vdekja e tij shihet si historia e përplasjes së dy personaliteteve. Gazetari kritik dhe monarku kapriçioz. Protagonisti dhe antagonisti.
Nëse dramat e vuajtjes njerëzore si ajo e Aylan Kurdit shkaktojnë më shumë dhembshuri se tragjeditë e përmasave të mëdha, atëherë me shumë gjasa historia e një akti të tmerrshëm si vrasja e Khashoggit do të mund të shkaktojë zemërim të menjëhershëm më shumë se vite të tëra goditjesh dhe ndërhyrjesh të Arabisë Saudite.
Pika e kthesës
Megjithatë, ndoshta nuk do të kishte reagim të sotëm pa veprimet e së shkuarës. Ndërsa kritikët e saposhfaqur të aleancës mund t’i kenë toleruar ato ndërsa ndodhnin, ata po e ngrenë zërin pikërisht tani, në dritën e rastit të vrasjes së Khashoggit. Vdekja e tij, ndoshta më shumë se shkaku kryesor i thyerjes së marrëdhënieve, duket si një pikë kthese. Çfarë është pika e kthesës? Një studim i sociologut Ari Adut sugjeron se mund të arrihet në një dinamikë që quhet njohje e përbashkët. Një grup ka më shumë gjasa të veprojë ndaj një shkeljeje, kur çdo anëtar i tij e di se secili prej tyre ka dijeni për shkeljen. Kjo krijon perceptimin e një presioni social për të vepruar.
Ndoshta kjo është arsyeja pse, p.sh. për vite të tëra shoqëria ka pasur qasje tjetër ndaj akuzave ndaj Bill Cosby-t për abuzim seksual, dhe në një moment gjithçka ndryshoi. Akuzat diheshin, por nuk pati reagim deri në momentin që pati një ngritje, e cila i ktheu ato në virale, i ndërgjegjësoi të gjithë dhe e bëri të akuzuarin të përballej me pasojat.
Sjellja e Arabisë Saudite nuk ka kaluar pa u vënë re. Por nuk ka pasur kurrë një qëndrim të gjithëpranuar në lidhje me të. Arabia Saudite mund t’u jetë nënshtruar politikave dhe vlerave amerikane, por e ka bërë këtë vetëm në lidhje me çështje që mund të shkaktonin polarizim në Uashington. Grushti i shtetit në Egjipt pati mbështetës amerikanë, ose më e pakta simpatizantë. E ndërsa pak e cilësuan të lavdërueshme luftën në Jemen, disa, në mënyrë të veçantë në Iran, e konsideruan të paktën të kuptueshme. Si pasojë, debati për aleancën pati tendenca polarizimi.
Ka më pak për të debatuar mbi vrasjen e një gazetari. Marrëveshja e gjerë, që është njëkohësisht e gabuar dhe përfaqësuese e stilit udhëheqës të princit të kurorës Mohammed, i ka vendosur veprimet e mëparshme të Arabisë Saudite nën një dritë tjetër. Megjithatë, forca më e madhe e përplasjes së kësaj jave mund të jetë ajo çka i mbajtur dy vendet bashkë: natyra thellësisht personale e aleancës së tyre.
Në një artikull të vitit 2016 mbi qëndrueshmërinë e aleancës amerikano-saudite, hartuesit e politikave në Uashington i përmendën paratë e sauditëve në Uashington si forma lobimi, blerje armësh dhe fonde për kërkime të ndryshme. Por edhe kritikët e aleancës argumentuan se roli i këtyre parave mund të shkonte më tej. Aseti i vërtetë i Arabisë Saudite ishin marrëdhëniet me amerikanët. SHBA-të dhe Arabia Saudite u afruan për shkak të armiqve të përbashkët: Irani dhe Bashkimi sovjetik në vitet ’80, Iraku në ’90-n dhe grupet xhihadiste në vitet 2000. Një brez i tërë specialistësh nga Lindja e Mesme u ngrit dhe punoi me kolegë sauditë.
Kështu, marrëdhëniet sollën me vete edhe pritshmëritë. Ato u kthyen në besim. Pati një ndjesi se, bazuar në rregullat e miqësisë, Arabia Saudite mund të sfidonte Shtetet e Bashkuara brenda kufijve të vet ose në rajon, por jo më tej. Ndoshta kushdoqoftë përgjegjës për vrasjen e Khashoggit e ka parë këtë si një çështje të brendshme. Por vrasja e opinionistit të “Washington Post”-it ndikon edhe pranë “shtëpisë”. Ajo mund të shihet si tradhti ndaj kushteve të aleancës, me shumë gjasa nga një lider i ri në moshë e në pushtet, që nuk ka trashëguar besim aq sa e kishte menduar se gëzonte.
The New York Times- TemA TV