Rivizatimi i kufijve ballkanikë është një gabim fatal

Nga Adnan Cerimagic

I gjendur pranë presidentëve të Kosovës dhe Serbisë në fundjavë iu bëra thirrje të dyve të mos bënin një gabim fatal e të destabilizonin të gjithë rajonin e Ballkanit. Fola jo thjesht si analist politik por si qytetar i Ballanit, duke iu treguar historinë se si u shkatërrua nga lufta vendlindja ime në Bosnjë Hercegovinë por rilindi rësish si një komuniteti multietnik.

Duke iu drejtuar president të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i paralajmërova kundër përpjekjeve për të menaxhuar grupet e pakicave duke bërë skema për zhdukjen e pakicave, me rivizatimin e kufijve përgjatë linjave etnike.

I bëra thirrje edhe Bashkimit Evropian, përfaqësuar nga një komisionier evropian dhe presidentët e dy vendeve të BE që ta bënin të qartë se BE nuk do ta mirëpriste një lëvizje të tillë.

Trishtueshëm, druhem se thirrjet e mia deri tani kanë rënë në vesh të shurdhër. Në Forumin Evropian në Alpbach, Vuçiç e Thaçi bënë të qartë se ata janë të gatshëm të diskutojnë kufijtë në përpjekje për të arritur një marrëveshje të përhershme paqeje. Përfaqësuesit e BE thanë se nuk do t’i shkurajonin. Kjo rrezikon t’i japë jetë idesë së rrezikshme që ushqeu një dekadë të tërë lufte në vitet ’90: nocionin se popujt janë të sigurt vetëm midis grupeve të tyre etnikë.

Nëse kjo ide fiton kredibilitet, dhe bëhet edhe një herë një program politik që iu leverdis nacionalistëve kudo në rajon, kjo do të sillte pasojat më të rënda për Ballkanin në tërësi.

Nëse liderët e Kosovës dhe Serbisë ndryshojnë kufijtë për t’i bërë vendet e tyre më pak multietnike, çfarë do t’i ndalonte liderë të tjerë të bënin të njëjtën gjë? Kjo do të çonte në frikë, tensione dhe agresion – dhe fanatikët edhe një herë mund të vendosin t’i kthehen dhunës. E gjitha kjo ka ndodhur më parë.

Duke treguar historinë e vendlindjes sime, doja të përcillja një gjë mbi të gjitha – se rilindja e qytetit u bë e mundur për shkak se komuniteti ndërkombëtar dërgoi një mesazh të qartë në përfundim të luftës në Bosnjë: Nuk do të ketë më ndryshim kufijsh sipas linjave etnike.

*  *  *

Unë jam lindur më 1986 në një qytet të vogël në Bosnjë Hercegovinën veriore, të quajtur Doboj. Isha pesë vjeç kur shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi dhe gjashtë kur luftimet nisën në Bosnjë Hercegovinë. Bashkë me nënën dhe vëllain e kaluam luftën si refugjatë në Kroaci. Im’atë qëndroi në Bosnjë Hercegovinë dhe mori pjesë në luftë.

Isha nëntë vjeç më 1995, kur lufta mbaroi. Familja ime ishte me fat, sepse mbijetuam të gjithë. Por më kujtohe shumë mirë kur vizituam Dobojin për herë të parë pas lufte, në shkurt 1996. Ishte një qytet horror: Boshnjakët e kroatët ishin përzënë, minaretë e xhamitë ishin shkatërruar dhe shumë shtëpi ishin dëmtuar. Nuk guxonim t’i thoshim me zë të lartë në rrugë emrat tanë muslimanë. Për muaj e vite pas lufte kisha makthe për Dobojin.

Image

Që atëherë, Bosnjë Hercegovina ka ndryshuar dramatikisht. Numri i paqeruajtësve të huaj ka rënë nga 60 mijë më 1996 në më pak se një mijë sot. Që më 2006, ka pasur ushtri të përbashkët dhe shërbimi i detyrueshëm ushtarak është hequr. Unë jam pjesë e brezit të ri të boshnjakëve që nuk ka qenë kurrë i detyruar të përdorë armët. Por, siç ua thashë edhe liderëve të shtunën, sot jam seriozisht i shqetësuar.

Jam tepër i ri të mbaj mend vitet para luftës, por tani di shumë rreth asaj periudhe.

Shumë intelektualë dhe politikanë jugosllavë kanë folur për kufijtë, padrejtësitë dhe të drejtat etnike. Të gjithë ata japin një argument të thjeshtë, por destruktiv: Ti je i sigurt vetëm nëse, atëherë kur dhe atje ku grupi yt etnik ka kontrollin.

Disa ide duken të pafajshme në fillim, por ato mund të bëhen monstruoze. Kjo ide e shkatërroi Jugosllavinë, ajo shkatërroi edhe Dobojin. Ajo shkatërroi familje, çoi në përzënie masive dhe genocid në Srebrenicë. Ajo i ktheu kufijtë në vija fronti dhe krijoi kufij të rinj të vizatuar me gjak. Por idetë mund të hidhen poshtë. Doboj e vërteton këtë.

Sot qyteti shtrihet në Republika Srpska, një nga dy rajonet kryesore të Bosnjë Hercegovinës, formalisht të njohura si “njësi”. Emri i rajonin nënkupton karakter etnik serb dhe aty jetojnë rreth një milion serbë. Por ata jetojnë bashkë me 230 mijë njerëz nga grupe të tjerë etnikë. Në Doboj është kthyer gjysma e popullsisë jo-serbe e paraluftës, thuajse 20 mijë njerëz. Xhamitë janë rindërtuar, nga minaretë dëgjohet thirrja e hoxhëve, festohen ditët e shënuar katolike e muslimane.

Doboj i maktheve të mija sot është një qytet i zakonshëm ku boshnjakët e kroatët nuk kanë frikë nga kryebashkiaku serb. Ata kanë votuar disa herë për të, edhe kur një boshnjak kandidatoi për postin më 2012. Dhe, së bashku me fqinjët serbë, ata përballen me sfidat e zakonshme: shërbim i dobët shëndetësor e arsimor, pak vende pune për të konkurruar. Sot Doboji nuk do të ekzistonte nëse do të kishin triumfuar nacionalistët që donin të përdornin luftën për të gdhendur shtetet mono-etnike.

* * *

Ka shumë që ndajnë pikëpamjen time. Të rinj nga i gjithë Ballkani që ishin në audiencë në diskutimet e së shtunës i mirëpritën vërejtjet e mia me entuziazëm. Ambasadorët e BE dhe diplomatë të rëndësishëm nga rreth rajonit më dërguan emaile inkurajuese. Në të gjithë rajonin ka pakica që jetojnë vetëm falë përkushtimit që nuk do t’u duhet të jenë brenda një shumice për të pasur të ardhme të sigurt. E megjithatë, liderët e Kosovës e Serbisë u përpoqën të na bindnin se ideja që shkatërroi Jugosllavinë dhe e shtyu Ballkanin Perëndimor larg dyerve të Evopërs tani mund të ndihmojë dy vendet dhe rajonin më pranë BE-së.

U thashë se, përkundrazi, rilindja e kësaj ideje do ta vinte në rrezik progresin e dy dekadave të fundit. Detyra e brezit tonë nuk është të negociojë për kufijtë, por t’i bëjë ata të parëndësishëm – t’i kthejë kufijtë ballkanikë në kufij evropianë, si ata midis Tirolit dhe Tirolit të Jugut, apo midis Gjermanisë e Polonisë.

Për ta arritur, kemi shumë punë përpara, duhen ndërtuar institucione të bazuar në ligj, të forcojmë demokracitë tona, të rritim lirinë e medias e shumë të tjera. Këto janë sfidat mbi të cilat duhet të përqendrohen liderët politikë, jo gdhendja e territoreve në hartë. Disa anëtarë të panelit të shtunës e quajtën diskutimin “historik”. Unë jam tepër i ri dhe shpresues për ta parë veten si një Kasandra, kështu që shpresoj që ata ta kenë gabim. Sepse nëse idetë e ngritura në Austri bëhen realitet, ai diskutim do të mbahet mend për arsyet e gabuar. Do të hynte në histori si një kthesë tragjike drejt një destabiliteti të evitueshëm.

*Adnan Cerimagic është analist në Nismën Evropiane për Stabilitet në Berlin. 

SHKARKO APP