Si zuri vend shqipëria në librin: “Bibliotekat popullore të botës”, 1933
Nga Mal Berisha
Prej vitesh jam marrë me studimin e veprimtarisë së amerikanit Charles Telford Erickson, në dobi të shqiptarëve. Kam botuar libër biografik për të, i kam përkthyer veprën për shqiptarët, kam dhënë intervista televizive, kam bërë prezantime rreth jetës së tij deri sa kam krijuar edhe një koleksion të gjërë rreth veprës së tij. Koleksioni përbëhet nga dhjetra materiale që i japin të kuptojë masës dashamirëse, pro – amerikane dhe patriotike, në të tërë forën shqiptare në Ballkan dhe në botë për dashurinë e tij për neve. Sa herë që bie në ndonjë dokument, i cili dëshmon për të njëmijtën herë përkushtimin e atij njeriu ndaj vendit tonë, “zhgënjehem” pasi “rrëzohet” shpresa ime se e kam studiuar atë në mënyrë shterruese. Kështu ndodhi edhe këtë here, kur pashë se në vititn 1933, ai e futi Shqipërinë në një nga botimet më presitigjioze amerikane, të titullar “Bibliotekat Popullore të Botës”.
Në pranverën e vitit 1931, thuhet në libër, Komiteti mbi Mardhënjet Ndërkombëtare të Shoqërisë Amerikane të Bibliotekave, i paraqiti një rekomandim Bordit të vet ku përfshihehej kërkesa për disa publikime mbi gjendjen e bibliotekave në vende të ndryshme të botës. Sygjerimi u muar në konsideratë ndërsa si editor u zgjodh Dr. Arthur E. Bostwick, bibliotekar i shquar dhe autor i njohur në tërë botën.
Dr. Bostwick dhe Dr. W. Bishop, Kryetar i Komitetit të Mardhënjeve Ndërkombëtare, i drejtuan shtatëdhjetë vendeve të botës një kërkesë për përfshirjen e përshkrimit rreth bibliotekave të tyre popullore në atë botim voluminoz dhe presitigjioz. Dyzet e tetë vende të ftuara iu përgjigjën asaj kërkese. Shqipëria ishte e para, sipas rendit alfabetik, dhe këtë dhuratë asaj ia ofroi miku i saj, tashmë i njohur, Dr. Charles Telford Erickson, në cilësinë e drejtorit të Shkollës Shqiptaro – Amerikane të Bujqësisë në Kavajë, Shqipëri.
Në parathënjen e tij, Dr. Bostwick ka shkruar se botimi i këtyre artikujve në Librin “Bibliotekat Popullore të Botës”, jep një pamje të larmishme të gjendjes së atyre vendeve si dhe pasqyron shkallën e zhvillimit të tyre në fushën e letrave dhe të arsimit.
Siç thuhet në hyrjen e librit, në të gjitha vendet e civilizuara ka patur biblioteka, por Bibliotekat Popullore, siç i njohim sot, kanë qenë të pa imagjinueshme përpara se të përhapej shkrimi dhe këndimi. Zhvillimi më i shpejtë i këtyre bibliotekave ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në vendet e Europës Veriore. Ky popullarizim kaq i madh bën që të merret si shembull dhe të përhapet në tërë botën.
Shumica e artikujve në këtë vëllim janë shkruar prej bibliotekarëve ose njerëzve të tjerë të interesuar profesionalisht në vendet që ata i referohen. Ato paraqesin karakteristikat e veçanta të secilit vend. Për shembull, në vendet ku janë ngritur Biblioteka Popullore, kjo çështje ka marrë një rëndësi parësore duke u nisur që nga ndërtimi i objekteve, paisja si dhe metodat e përshtatura për t’i bërë librat edhe më të përdorshme nga lexuesit. Ka raste kur është dashur t’i besohet gjykimit të kontributorëve mbi këtë çështje.
Në përgjithësi, Bibliotekat Popullore, të përshkruara në këtë botim, kanë si qëllim një informacion të gjërë dhe që të bëhen të përdorshme për të gjithë kategoritë e lexuesve. Pa dyshim që në vende të ndryshme ku kanë ekzistuar prej kohësh biblioteka të formuara me qëllimin e njohur për kërkime studimore, nuk ka qenë nevoja të ngrihen Biblioteka Popullore që t’i dublojnë koleksionet e librave, me përjashtim të rasteve kur publiku nuk ka akses në këto koleksione të caktuara.
Në ato vende ku janë ngritur Bibliotekat Popullore të kohëve të fundit, prirja ka qenë të sigurojë lexuesve të zakonshëm libra të të gjitha kategorive. Ajo që bie në sy nga tërë kjo përmbledhje e materialit historik dhe statistikor është e një karakeri esencial, demokratik, të Bibliotekave Popullore. Në fakt kjo kërkon, nga bashkësia e lexuesve të zakonshëm dhe jo vetëm nga personat të cilët thjesht kuptojnë atë që shohin në faqet e shtypura të letrave por edhe atyre të cilët i gëzohen leximit, që të jenë mendërisht të aftë për të përfituar prej tyre. Kjo mënyrë ka qenë pjesë e përpjekjeve dhe politikave të caktuara për të reduktuar analfabetizmin dhe ka patur ndikim të fuqishëm në arritjen e këtij qëllimi.
Duhet mbajtur parasyshë se njerëzit analfabetë nuk janë domosdoshmërit injorantë. Paafatësia e tyre për të lexuar nuk e argumenton inferioritetin mendor. Në Kinë për shëmbull, që prej mijëra vjetësh rrallë gjen një grua që di të lexojë, por vetë jeta e gruas në jetën shoqërore dhe shtëpiake është shumë e vyer. Të lexuarit nuk është vetëm mjeti prej të cilit rrjedh kultura por edhe metoda me të cilën kultura vjen më lehtësisht dhe më shpejt tek njeriu.
Gjithsesi, analfabetët, pavarësisht mentalitetit të tyre, e marrin edukatën nga burime të tjera dhe jo vetëm nëpërmjet të fjalës së shkruar. Bibliotekat dhe librat brenda tyre presupozojnë shkrim e këndim, shkollë dhe dijeni. Një vend pa shkolla për rrjedhojë është edhe një vend pa biblioteka. Megjithatë ka patur vende me shkolla por pa biblioteka. Në veçanti ka patur vende me shkolla publike por jo edhe me Biblioteka Popullore. Kështu ka qenë edhe SHBA – ja, një shekull më parë.
Bibliotekat private, ato të kishave ose të korporatave, janë shoqëruar përherë prej bibliotekave të financuara nga taksat. Kjo vjen pasi idetë tona për nevoja publike, që janë të mbështetura me të drejtë nga taksat tona, e kanë zgjeruar shumë këtë të fundit. Është e vështirë të gjesh një qytezë që nuk i ka rrugët e shtruara, që nuk ka ujësjellësa publikë ose rrugë të pa ndriçuara, por kjo duhet të shtrihet edhe tek ndërtimi i Bibliotekave Popullore, pasi ato janë produkt i disa shkaqeve ndërvepruese ndër të cilat, përhapja e shkrimit dhe e leximit.
Ka vende të botës, ku nuk ka Biblioteka Popullore fare. Në disa të tjera sapo fillojnë të shfaqen. Edhe aty ku janë tashmë, madje edhe në vendet më të zhvilluara, ato janë aq pabarazisht të shpërndara sa eksizton hapsirë boshe e pafund për të bërë më shumë në këtë fushë. Ka edhe vende ku bibliotekat janë subjekt i çensurës së rreptë për shkak të qëndrimeve politike të partive në pushtet.
Në të vërtetë, mbetet shumë për tu bërë në shërbim të përhapjes së librit nëpërmjet të Bibliotekave Popullore, në tërë botën. Historitë e sjellura së bashku në këtë botim provojnë se sa shumë punohet sot anë e mbanë në këtë drejtim.
Arthur E. Bostwick
SHQIPËRIA
Shkruan Ch. Telford Erickson
DREJTOR I SHKOLLËS SHQIPTARO – AMERIKANE TË BUJQËSISË, KAVAJË, SHQIPËRI
Shqipëria u bë shtet i pavarur europian pak përpara së të shpërthente Lufta Botërore dhe Konferenca e Paqës. Ndryshe nga shtete të tjera, të krijuara në atë kohë, ajo erdhi drejpërsëdrejti prej Perandorisë Lindore të Turqisë, pa rrënjë në civilizimin europian dhe perëndimor.
Asaj i duhej ta fillonte proçesin e edukimit që nga formulimi i Alfabetit të vet kombëtar të Gjuhës Shqipe.
Praktikisht nuk kishte asgjë në harkun kohor midis shekullit të pesëmbëdhjetë dhe atij të njëzetë. Shkollat, tekstet shkollore, madje edhe abetaret në gjuhën shqipe ishin yasak – të ndaluara. Pa dyshim, ajo që ndodhte me arsimin, ndodhte me të gjitha fushat e jetës së vendit, në bujqësi, industri, shëndetin publik, strehimin, ushqimet, jetën sociale, rrugët dhe të gjitha format e komunikimit brenda dhe jashtë vendit.
Duke marrë parasyshë se çfarë mungesash kishte vendi kur doli nga robëria, ai ka bërë shumë përparim të dukshëm. Janë hapur qindra shkolla dhe çdo mësues është përgatitur për vete në shkollat normale kombëtare. Shtypi publik është bërë një faktor në jetën intelektuale të vendit. Njëri prej dyqaneve më të frekuentuara dhe ku njerëzit blejnë është vendi ku shiten libra. Pronari i saj Mit’hat Bey Frashëri, e la një post diplomatik shumë të rëndësishëm me qëllim që të merrej me këtë punë.
Rreth dy vjet më parë është krijuar një Shoqëri Shtetërore e Bibliotekave, e cila e filloi në mënyrë aktive mbledhjen e librave për një Bibliotekë Kombëtare, në Tiranë. Ata po mbledhin veçanërisht libra të tillë të cilët përmbajnë dokumenta që kanë të bëjnë më së shumti me atë pjesë të historisë së tyre 2000 vjeçare, të varrosur. Pa dyshim librat e huaj, europian dhe amerikan, janë njësoj të kërkuar.
Përveç kësaj janë edhe dy biblioteka, një nga Shkolla Rinore Kryqi i Kuq (Amerikan), në Tiranë dhe biblioteka e shkollës me të cilën jam i lidhur. Kjo bibliotekë është e specializuar në shkencë ndërsa tjetra në bujqësi, në punët dhe prodhimet shtëpiake, artizanatin dhe punën e dorës.
Kjo është ajo çka është arritur deri më sot. Biblioteka Amerikane në Paris ka kontribuar në mënyrë shumë bujare, sikundër edhe disa biblioteka të tjera, shkolla dhe kolegje nga Amerika. Për t’u shënuar janë ndihmat e ofruara prej Mrs. Robert B. Gregory, në Chikago, gjë që ka bërë që të rrisë në mënyrë qenësore mbarëvajtjen në bibliotekën e shkollës tonë.
(Botuar na Chicago nga Shoqata Amerikane e Bibliotekave, në vitin 1933)
Shënim: Sot këto dy monumente të investimeve Amerikane në Golem të Kavajës janë degraduar dhe rrënuar. Shih fotot e vitit 2020.