Sociologu Gëzim Tushi: Zgjatja e pandemisë dhe rreziku i lodhjes ekzistenciale…

Nga Gëzim Tushi*
Askush nuk e di me saktësi, se sa e gjatë do të jetë “kurba pandemike” e pranisë së virusit Covid-19. Madje as sasinë dhe cilësinë e pasojave shëndetësore e sociale, me të cilat ajo mund të mbyllë bilancin e saj. Megjithatë, edhe pse akoma mund të jetë në “pjesën e butë” të saj, janë të qarta efektet dhe kundërefektet e pandemisë. Akoma më të qarta janë ndryshimet dhe rreziqet që po e shoqërojnë atë. Por është fare evidente që situata që kalojmë, ka sjellë lodhje nervore por dhe ekzistenciale.
Është në natyrën bezdisëse të virusit Covid-19, që përveçse është rrezik për jetët njerëzore, ai po i lodh njerëzit, dhe akoma më keq, synon të paralizojë jetën ekonomike e sociale, duke sjellë frikë dhe apati sociale. Nuk mund të mohojmë të vërtetën, që virusi tani është në fazën e synimeve më afatgjata. Ai kërkon të na gjejë në befasi sociale, duke tentuar që lodhjen nervore, që është krejt e natyrshme në këto situata, kërkon ta kthejë në lodhje ekzistenciale, për të mbuluar shoqërinë me frikëra, ankthe e pasiguri afatgjata, me pasoja të zgjeruara e të paprashikuara.
Të gjitha këto ndjenja së bashku dhe në “bashkëpunim” me njëra tjetrën, kanë sjellë si pasojë ndjenjën e pasigurisë, si gjëndje emocionale me intensitet të ndryshuar, e shoqëruar me ndjenjën e frikës që lidhet me rrezikun virusit, madje pse jo edhe me nuancën e një lloj ankthi social, që shfaqet si gjëndje e frikës së përgjithshme nga pasojat e njohura e të panjohura të virusit Covid-19. Ne duhet të jemi të ndërgjgjshëm, të pranojmë se jemi duke jetuar e përjetuar një situatë social-shëndetësore përgjithësisht konfuze, me shumë frikëra e pasiguri. Në mënyrë të natyrshme, përderisa virusi është vërtetuar me “bollëk” si vdekjeprurës, është e pamundur dhe jo logjike të mos kesh frikë prej tij.
Koha e vazhduar e pandemisë ka qënë e mjaftueshme, për të parë dhe vlerësuar ndikimet e saj. Sepse zgjatja në kohë e epidemisë ka filluar të japë shënja të deziluzionit, të një lloji të veçantë të “lodhjes ekzistenciale” të shoqërisë shqiptare, e shoqëruar kjo edhe me një lloj “zbrazëtie shpirtërore” që tashmë ndihet fare qartë tek njerëzit dhe mënyrat e sjelljes së tyre. Madje, deri në rrezikun ekstrem të njeriut që “mbyll mendjen” dhe që për pasojë e mbulon ndjenja e pesimizmit permanent dhe disfatizmi total, duke e parë situatën “gri”. Gjithnjë ka një rrezik pesimizmi tek njeriu, i cili kur jeton në situata të vështira, në shumë raste humbet gjënë më kryesore: shpresën për të ardhmen. Dhe është normale që shumë njerëz janë të mërzitur, edhe nga disa masa administrative qeveritare të “kufizimit të lirisë” apo të politikave që na detyrojnë si qytetarë që të bëjmë të njëjtën gjë dhe pothuaj jemi bërë njerëz me “sjellje të njëjtë”. Në kuptimin që pandemia na ka bërë “njerëz me maska”, jo metaforike por fizike. Kjo ka bërë që njerëzit të dalin kundër vetes, të sillen ndryshe duke qënë të detyruar nga virusi. Dhe sikurse dihet, kjo është një bezdi e madhe sociale, sepse njerëzit në shoqërinë postmoderne me të drejtë, vlerësojnë gjithnjë e më shumë dallimin dhe shfaqjen publike të individualitetit të përvecëm.
Duke analizuar situatën dhe diagnostikuar efektet sociale të pandemisë në shoqërinë tonë, besoj se hutimi nga kjo situatë nuk është dhe nuk shfaqet me të njëjtin intensitet tek të gjithë qytetarët tanë. Ajo është relative, varet nga aftësia dhe karakteri i njeriut, nga besimi dhe guximi vetjak për të administruar me siguri veten, përballë dallgëve të rrezikshme të virusit Covid-19.
Në raportet e njerëzve me pandeminë gjërat, efektet dhe pasojat e infeksionit dhe panikut nuk janë të njëjta. Ndryshe e kanë përjetimin ata që e kanë kaluar betejën me të, ndryshe ata që nuk janë prekur nga virusi deri tani, por që nuk janë të imunizuar e as të garantuar nga dinakëria dhe agresiviteti i tij. Në këtë kontekst, çdo njeri në përputhje me situatën dhe perceptimin e virulencës së virusit, ka ndërtuar “biografinë emocionale” të vetën, që është shumë unike dhe tejet personale.
E megjithatë nuk mund të mos konstatohet se për të gjithë njerëzit ka qenë dhe vazhdon të jetë present, ndjenja e frikës dhe rrezikut nga infektimi virusal. Të mos kesh frikë nga një sëmundje e tillë morboze, me vivele alarmante vdekjeje e humbje jetësh njerëzore, do të thotë të mos jesh mirë mendërisht. Mbi të gjitha sepse akoma virusi Covid-19, konsiderohet akoma I panjohur plotësisht nga mjekësia dhe ende i padominuar me terapi eksluzive. Është normale të mendosh se tek njerëzit, gjërat e panjohura përbëjnë burim për frikëra e pasiguri ekzistenciale. Sepse historikisht për njerëzit, kulturën e tyre humane e panjohura ka përbërë gjithnjë një “burim rreziku”. Por sikurse thotë kancelarja gjermane Angela Merkel “Frika është një këshilltare e keqe, si në jetën personale dhe në atë shoqërore”.
Në këto kushte është e natyrshme që të ndodhemi në situata ankthi, frike, pasigurie individuale, madje deri në kushtet e një depresioni të zgjeruar social. Sepse Covid-19 në mënyrë të befasishme, të “pabesë” na solli edhe njëherë faktin se jemi gjithnjë e më shumë në faza sociale historike, kur për fat të keq të njerëzimit, “ujrat e jetës” po bëhen të pasigurta. Kjo ka sjellë një moment delikat, kur njerëzit duke qënë tejet të shqetësuar dhe të paqetë nga “ngacmimet permanente” të virusit, kërkojnë një “gozhdë të sigurt” ku të varin shpresat, besimin, optimizmin për jetën.
Paradoksalisht, pandemia është bërë jo aq shumë sëmundje e individit, se sa ajo po shfaqet si sindrome sociale e mbarë shoqërisë dhe e gjithë qytetërimit të sotëm integralisht. Anët negative të së cilës nuk janë vetëm subjektive, të lidhura me shëndetin individual dhe publik, por janë pasoja të zgjeruara me dimension social, që shfaqen në thellimin e dukurive të vjetra apo në shfaqjen e ridimensionuar të tyre në forma të reja, si “hibride sociale” që i përshtaten më mirë “kohës pandemike”.
Pritet që dukuri të tilla, si thellimi i sjelljeve të personalizuara, shfaqjet e dehumanizmit dhe sjelljeve asociale, zgjerimi i përmasave të egoizmit njerëzor, të bëhen më të dukshme, më massive se shfaqja e tyre në kohën para pandemike. Në të njëjtën kohë, shtimi i rreziqeve vdekjeprurëse, do të thellojë disa patologji sociale që lidhen me frikën për mbrojtjen e shëndetit, nga sëmundje të tilla si Covid-19 apo të tjera në të ardhmen, që mund të jenë virusale apo bakteriologjike, të ngjajshme apo të ndryshme nga Covid-19. Kjo do zgjerojë tendencën toksikodipendente të vartësisë mekanike të njeriut nga medikamentet, zgjerimin e frikës nga sëmundjet, shfaqje të zgjeruara të hipokondriakërisë, paranojat nga të papriturat, etj. Të gjitha këto janë dukuri, që duhen parashikuar nga që po ndodhin sot dhe akoma më shumë në të ardhmen.
Por jo vetëm në këtë aspekt do të ndihen ndryshime dhe thellim I sëmundjeve sociale, të cilat nuk mund të parashikohen deri në fund. Nga ana tjetër, pritet dhe me siguri do të ndodhë, thellimi I impulsive të jetës postmoderne, të bazuar në një lloj “ftohtësie humane”, që do të ndikojë edhe në procesin e zgjerimit të dukurisë së kufizimit dhe revokimit të lidhjeve sociale.
Megjithatë në mënyrë evidente, pavarësisht dukurive të ndikimeve të orientimit sa më individualist të virusit, është e natyrshme që pavarësisht ridimensionimeve që do ndodhin, shoqëria do të ketë nevojë për një dimension real të socialitetit human, duke i rregulluar ndryshe, raportet midis invividit dhe shoqërisë, shtetit dhe komunitetit. Ky është paradoksi në dukje, i diktuar nga situata e pandemisë dhe në përputhje me kërkesat ultimative të saj. Kjo shfaqet në nevojën për të ndryshuar raportin midis përmasave të lirisë individuale dhe nevojës për ti dhënë më shumë prioritet të mirës publike.
Në se këto gjëra nuk do të ndodhin apo në se lodhja ekzistenciale e njerëzve do të bëhet patologjike, e vrullshme, e njëkahëshme, atëhere edhe nivelet e lodhjes ekzistenciale të njeriut dhe shoqërisë, mund të marrin përmasa të frikshme, të përfundojnë në një patologji sociale masive, të pashërueshme. Kjo nuk ka për të ndodhur për sa kohë do të ekzistojë njeriu, shoqëria dhe nevoja jetike e lidhjeve humane, bashkëpunimit social midis tyre. Ajo që pritet të ndryshojë, dhe “merita” për këtë, në një masë të caktuar (nuk dihet sa do të jetë kjo masë) i takon pandemisë së virusit Covid-19, është shfaqja e sjelljeve të reja që do të ndryshojnë në mënyrë gati thelbësore “artin e bashkëjetesës” në epokën post-pandemike.
Në këto kushte, ka rëndësi të menduarit e shëndetshëm të situatave që po kalojmë, duke qenë nën peshën me rreziqe degraduese e antisociale të pandemisë. Por ajo që është e sigurt, dhe që duhet vlerësuar seriozisht është kultivimi i kulturës së të menduarit pozitiv, edhe kur jemi në kushte të paqarta,të pasigurta dhe me rreziqe sociale endemike të shoqërisë. Thelbësore është të kuptojmë, se problemet qe na ka sjellë pandemia në “mesin tonë”, nuk mund të zgjidhen me analiza individuale disfatiste e diagnostikime sociale pesimiste. Kanë kaluar shumë muaj që ndodhemi në kalvarin e pandemisë, dhe dallohen njerëzit që shfaqin pesimizëm dhe lodhje ekzistenciale nga efaktet e pandemisë (ky është qëllimi i virusit). Por për fat të mirë, shumica e njerëzve edhe në situata të tilla rreziku, nuk e kanë humbur optimizmin e duhur individual dhe për pasojë, nuk e kanë përjetuar në mënyrë fatale e disfatiste lodhjen nga efektet e virusit Covid-19.
Historikisht pandemitë kanë qënë shumë të rrezikshme. Ne patëm fatin e keq të provojmë njërën prej tyre, ndoshta më të rrezikshmen (koha do tregojë virulencën dhe pasojat e Covid-19), e cila s i ë gjitha pandemitë synon përhapjen e panikut, lodhjen ekzitenciale të individt, dhe në instancë të fundit, shpërbërjen e jetës sociale duke tronditur ekzistencialisht tërë funksionet e saj.
Është imperative të punojmë për të vënë në lëvizje energjitë e brendshme, ato burime të jetës sociale, që gjenerojnë optimizëm dhe jo lodhje ekzistenciale, që është shkaërruese, që gjeneron situata nekrofile tek njerëzit, duke mbajtur në kuota antibiofile nivelet e ankthit, pasigurisë e boshllëkut ekzistencial. Frikën dhe lodhjen ekzistenciale mund ta frenojmë, natyrisht në se mendojmë pozitivisht dhe nuk e lëmë që kufiri i infektimit nga virusi dhe shqetësimet që vijnë nga pandemia, të shtrihen lirshëm, pa “barrierat” sociale e “digat” e optimizmit individual, që nuk i lënë ato që të ecin në mënyrë progresive dhe për pasojë duke qënë të ushqyera nga mungesa e optimizmit, të bëhen “gangrenë sociale” e papërballueshme.
Sepse është fakt, historikisht i ditur. Efektet e ngjarjeve të mëdha, me pasoja katastrofike sikurse është Covid-19, në se nuk administrohen mirë, në se nuk përballohen frikërat dhe pasiguritë që e shoqërojë, efektet e saj degraduese, është e pashmangshme krijimi I një situatë shumë të vështirë të depresionit dhe dëshpërimit social, me pasoja sociale të pallogaritshme. Hisoria na ka dhënë mësime të mëdha, që nuk duhen harruar. Sidomos në këtë situatë sui generis të vështirë, serioze dhe të ndërlikuar.
Ajo që duhet të bëjmë është përmirësimi i rregullave sociale të sjelljes dhe kujdesi që zvogëlon rrezikun e përhapjes së virusit, dhe rrjedhimisht zbut përmasat e shqetësimit, panikut dhe dëshpërimit social. Koha kërkon që individualisht dhe si shoqëri të bëjmë gjithçka, në mënyrë që të neutralizojmë efektet shëndetësore e sociale degraduese të pandemisë. Por kjo nuk bëhet me deziluzione dhe pasiguri. Ato, sikurse thonë psikologët socialë, janë shfaqjet e ekulibrit të “njeriut të mundur”, të kapitulluar nga efektet negativiste të virusit. Rruga e duhur që duhet ndjekur me vendosmëri, është sigurimi i ekuilibrit ekzistencial, midis situatës së jashtëzakonshme që ka sjellë pandemia nga njëra anë, dhe nevojës së disiplinës individuale, vetpërmbajtjes sociale në jetën e përditshme.
Pavarësisht pasojave të hidhura, pandemia nuk mund të bllokojë “horizontin optimist” të jetës, forcën e njeriut të shëndetshëm, veprues dhe optimist për jetën. Por është e nevojshme që në mënyrë të diferncuar, të bëjmë ndërhyrjet e duhura, sidomos tek njerëzit që janë prekur në mënyrë organike nga virusi dhe shfaqin doza të forta, të vështira të gjëndjes sociale depressive në formën e “lodhjes ekzistenciale”. Sepse kur shkaku i kërcënimit konkret, rreziqet e infektimit nga virusi nuk janë plotësisht të përcaktuara, është e natyrshme të shfaqet ndjenja e ankthit, si ndjenjë pasigurie e paqartë. Padyshim, që u bë një kohë e gjatë kur si shoqëri jemi nën peshën e dëshpërimit, frikës, ankthit, të cilat janë dukuritë sociale që ndeshen më shpesh në shoqërinë tonë. Pandemia përveçse synon të marrë jetë individuale njerëzish, që fatkeqësisht kanë humbur luftën ndaj tij, synon të na mposhtë edhe si shoqëri. Mbi të gjitha, virusi ka “objektivin e madh”, që të na thyejë kuptimin optimist për jetën.
Në këtë rast “kontrolli i mëndjes” dhe disiplina vetjake, janë të domosdoshme për të përballuar këtë situatë të përjetimeve në formë paniku. Në fund të fundit, në këtë betejë të gjatë me virusin Covid-19, kemi kuptuar se ai po ndikon në krijimin e një marrëdhënieje ekuivalente, të dyanshme. Nga njëra anë ndihet prania e frikës dhe pasigurisë, dhe nga ana tjetër nevoja imediate e një kujdesi të shtuar social dhe bashkë me të edhe të një optimizmi aktiv, si “antidot” psikologjik dhe shoqëror, për të përballuar natyrën egërsisht patogjene, vdekjeprurëse të tij. Psikologët dhe sociologët po këmbëngulin, që të bëjmë gjithçka që të ngjallim optimizmin social, përkundër pesimizmit, frikës, pasigurisë. Sipas tyre “optimizmi është që ndjenjë që mësohet. Madje mësohet në çdo moshë”.
Në fund të fundit është e sigurt, që asgjë e mirë nuk I vjen njeriut dhe shoqërisë nga paniku, frika, depresioni social dhe dëshpërimi individual. Ato në të gjitha rastet, nuk janë “mjete utilitare” që të ndihmojnë për të dallë nga situate, për të përballuar efektet e pandemisë. Përkundrazi janë “mjete të sigurta” për ta shpënë shoqërinë dhe njeriun, drejt një gjëndjeje pa perspektivë, të frikshme, me “falimentim shpirtëror” të sigurt. Në këto kushte, besimi i verbër në to, gjithnjë e në çdo rast e rrethanë, në çdo formë që të shfaqen, i shërbejnë zgjerimit të panikut social. Në të gjitha rastet ato janë ndjenja thjesht vetëvrasëse!

*Sociolog,
Mjeshtër i Madh

SHKARKO APP