Terrorizmi ynë, kundër terrorizmit të tyre
Nga Noam Chomsky
Pas sulmit terrorist te “Charlie Hebdo”, që vrau 12 persona, përfshi edhe drejtorin dhe katër karikaturistë të tjerë, si dhe vrasjes së katër hebrenjve te një supermarket kosher pak kohë më pas, kryeministri francez, Manuel Valls shpalli “luftë kundër terrorizmit, kundër xhihadizmit, kundër islamit radikal, kundër gjithçkaje që synon të thyejë vëllazërinë, lirinë, solidaritetin”.
Miliona njerëz demonstruan duke i dënuar mizoritë, të amplifikuar nga një kor tmerri nën banerin "Unë jam Charlie". Pati prononcime elokuente mllefi, që u kapën mirë nga kreu i Partisë së Punës së Izraelit dhe sfiduesin kryesor në zgjedhjet që po afrojnë, Isaac Herzog, i cili deklaroi se "terrorizmi është terrorizëm. Ai nuk ka dy mënyra të ndryshme”, dhe se “të gjitha kombet që kërkojnë paqe dhe liri, [përballen] me sfidën e madhe” që iu bën dhuna brutale.
Krimet zgjuan gjithashtu një lumë komentesh, që orvateshin të hetonin në brendësi të rrënjëve të kulturës islamike për të gjetur arsyet e këtyre sulmeve shokuese dhe për të zbuluar rrugët për t’iu kundërpërgjigjur valës vrasëse të terrorizmit islamik pa i sakrifikuar vlerat tona. The New York Times e përshkroi sulmin si një "përplasje civilizimesh", por u korrigjua nga kolumnisti i Times, Anand Giridharadas, i cili “cicëroi” (tweeted) se nuk qe "kurrsesi një luftë civilizimesh ose ndërmjet tyre. Por një luftë PËR civilizim kundër grupesh që ndodhen në anën tjetër të asaj linje. #CharlieHebdo".
Skena në Paris u përshkrua gjallërisht te New York Times nga korrespondenti veteran për Europën, Steven Erlanger: "Një ditë sirenash, helikopterësh që fluturojnë, buletinesh të furishme lajmesh; kordonësh policorë dhe turmash në ankth; fëmijësh të nxjerrë nga shkollat për arsye sigurie. Ishte një ditë, si dy të mëparshmet, me gjak dhe tmerr në Paris dhe në rrethinat e tij”.
Erlanger citoi gjithashtu një gazetar të mbijetuar që tha se “u rrëzua gjithçka. Nuk kishte asnjë shteg për të dalë. Kishte tym gjithandej. Qe e tmerrshme. Njerëzit ulërinin. Qe si një makth”. Dikush tjetër raportoi një “shpërthim të fortë dhe çdo gjë u errësua menjëherë”. Skena, që raportoi Erlanger, “ishte një skenë që po përsëritej me xhama të thyer, mure të shembura, tra të shtrembëruar, bojë të djegur dhe shkatërrim emocional”.
Por këto fjali të fundit – sikurse na kujtoi gazetari i pavarur David Peterson – nuk janë të janarit 2015. Më saktësisht, ato janë të një raportimi të Erlangerit në 24 prill 1999, të cilit iu kushtua shumë më pak vëmendje. Erlangeri ishte duke raportuar për “sulmin me raketa të NATO-s ndaj selisë së televizionit shtetëror të Serbisë”, që vrau 16 gazetarë.
“NATO dhe zyrtarët amerikanë e mbrojtën sulmin, – raportoi Erlange, – si një përpjekje për të dobësuar regjimin e Presidentit të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviç”. Zëdhënësi i Pentagonit, Kenneth Bacon tha në një dalje në Uashington se "televizioni serb është një pjesë e makinerisë vrasëse të Millosheviçit po aq saç është edhe ushtria e tij,” pra një objekt që duhej medoemos sulmuar.
Nuk pati demonstrata apo të qara indinjimi, as psalme të tipit “Ne jemi RTV”, as hetime për të gjetur rrënjët e sulmit në kulturën dhe historinë e krishterimit. Përkundrazi, sulmi u lavdërua në shtyp. Diplomati i mirënjohur, Richard Holbrooke, asokohe i dërguar në Jugosllavi, e përshkroi sulmin e suksesshëm ndaj RTV-së si “shumë të rëndësishëm dhe një zhvillim pozitiv,” një ndjenjë që e bënë jehonë edhe të tjerë.
Ka shumë ngjarje të tjera që nuk sollën ndonjë thirrje për të hetuar në kulturën dhe historinë perëndimore – për shembull, mizoria e përveçme më e keqe e Europës në vitet e fundit, në korrik të 2011-s, kur Anders Breivik, një ekstremist i krishterë ultra-zionist dhe islamofob, masakroi 77 persona, shumica e të cilëve ishin adoleshentë.
Gjithashtu është injoruar në kuadër të “luftës kundër terrorizmit” fushata më ekstreme e terrorizmit e kohërave moderne – fushata e vrasjeve globale të Barak Obamës që shenjestroi njerëz të dyshuar se ndoshta mund të kishin si qëllim të na dëmtonin një ditë dhe çdo të pafat tjetër që rastiste pranë tyre. Nuk mungojnë gjithashtu edhe të pafat të tjerë, sikurse 50 civilët, për të cilët u raportua se u vranë nga një bombardim ajror i udhëhequr nga SHBA në Siri në dhjetor, lajm i cili mezi u dha.
Një person u ndëshkua me të vërtet lidhur me sulmin e NATO-s ndaj RTV-së, Dragoljub Milanović, menaxheri i përgjithshëm i stacionit, i cili u dënua nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut me 10 vjet burg për faktin se dështoi që ta evakuonte ndërtesën, sipas Komitetit të Mbrojtjes së Gazetarëve. Gjykata Ndërkombëtare Penale për Jugosllavinë e mori në shqyrtim sulmin e NATO-s dhe doli në përfundimin se nuk përbënte krim, por edhe pse vdekjet e civilëve ishin “për fat të keq të larta, nuk duket e qartë që ato të jenë në disproporcion”.
Krahasimi midis këtyre rasteve na ndihmon të kuptojmë dënimin e New York Times nga avokati i të drejtave civile, Floyd Abrams, i cili u bë i famshëm për mbrojtjen e tij të fortë ndaj lirisë së fjalës. “Ka momente kur duhet vetëpërmbajtje, – shkruajti Abrams, – por në rrjedhën e menjëhershme të sulmit më kërcënues ndaj gazetarisë qysh nga hera, [redaktorët e Times-it] do t’i kishte shërbyer më mirë kauzës së lirisë së fjalës të angazhuarit në të”, duke botuar karikaturat e “Charlie Hebdo” që tallnin Muhamedin dhe që u bënë sebep për sulmin.
Abrams ka të drejtë kur e përshkruan sulmin ndaj Charlie Hebdo si “sulmin më kërcënues ndaj gazetarisë qysh nga hera”. Arsyeja ka të bëjë me konceptin “qysh nga hera”, një kategori e ndërtuar me kujdes për të përfshirë krimet e Tyre ndaj nesh, duke përjashtuar në mënyrë të pacipë krimet Tona ndaj tyre – kjo e fundit nuk përbën krim, por një mbrojtje fisnike të vlerave më të larta, që nganjëherë kthehen pa dashje në ves.
Nuk është vendi për të hetuar se çfarë po “mbrohej” kur u sulmua RTV-ja, por një hetim i tillë është mjaft informues (shih shkrimin tim “A New Generation Draws the Line”).
Ka shumë ilustrime të tjera të kategorisë interesante “qysh nga hera”. Njërin na e sjell sulmi i marinsave ndaj Falluxhas në nëntor 2004, një prej krimeve më të rënda të pushtimit të Irakut nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar.
Sulmi nisi me pushtimin e Spitalit të Përgjithshëm të Falluxhas, që përbën një krim të rëndë lufte pavarësisht mënyrës se si u krye. Krimi u raportua bujshëm në faqen e parë tëNew York Times, e shoqëruar me një fotografi që përshkruante se si “pacientët dhe punonjësit e spitalit u flakën jashtë dhomave nga ushtarë të armatosur dhe i urdhëruan të uleshin ose të qëndronin në dysheme, ndërkohë që trupat ia lidhin duart pas shpine”. Pushtimi i spitalit u konsiderua i merituar dhe i justifikuar: ai “rrëzoi atë që oficerët thanë se ishte një armë propagande për militantët: Spitalin e Përgjithshëm të Falluxhës, së bashku me vrasjet e civilëve, siç mësohet nga informacionet që rrjedhin”.
Qartësisht, ky nuk është një sulm ndaj lirisë së fjalës, dhe nuk kualifikohet për të hyrë në kujtesën e “qysh nga herës”.
Ka edhe çështje të tjera. Dikush mund të pyesë natyrshëm se si e mbron Franca lirinë e fjalës dhe parimet e shenjta të “vëllazërisë, lirisë dhe barazisë”. Për shembull, e bën këtë nëpërmjet ligjit Gayssot, i zbatuar vazhdimisht, i cili i garanton me efektshmëri Shtetit të drejtën që të përcaktojë Të vërtetën Historike dhe të ndëshkojë devijimet nga dekretet e tij? Duke dëbuar trashëgimtarët e gjorë të të mbijetuarve të Holokaustit (romët) drejt vendeve kur persekutohen dhe më keq në Europën Lindore? Me trajtimin e mjerueshëm të emigrantëve afrikano-veriorë nëpër getot e Parisit, ku terroristët e “Charlie Hebdo” u bënë xhihadistë? Ku gazeta guximtare “Charlie Hebdo” pushoi nga puna karikaturistin Siné, për shkak se një koment i tij u akuzua se kishte konotacione anti-semitike? Mund të ngrihen lehtësisht edhe shumë pyetje të tjera.
Çdokush me sytë e hapur do ta vinte re shpejt se bëhet fjalë për gjëra që nuk kanë të bëjnë më të vërteta. Kështu që, mbizotërues ndër ata që përballen me “një sfidë të madhe” nga dhuna brutale janë palestinezët, që pësuan sërish sulmin e radhës së Izraelit në Gaza në verën e 2014-s, gjatë të cilit u vranë shumë gazetarë, në disa raste me shenjat e shtypit mjaft të dukshme nëpër makinat e tyre, së bashku me mijëra të tjerë, ndërsa burgu i hapur izraelit u shndërrua sërish në rrënoja, me pretekste nga ato që bien fill që në çastin që i merr në shqyrtim
Gjithashtu u injorua vrasja e tre gazetarëve të tjerë në Amerikën Latine në dhjetor, duke e çuar numrin vjetor në 31. Ka patur mbi një duzinë gazetarësh të vrarë vetëm në Honduras që prej grushtit ushtarak në 2009-n, që u njoh de facto nga SHBA (dhe nga pak të tjerë) dhe ndoshta Hondurasi është kampioni i vrasjes së gazetarëve që pas grushtit të 2009-s. Por gjithsesi, nuk është një sulm ndaj lirisë së fjalës qysh nga hera.
Nuk është e vështirë ta përpunosh. Këto shembuj të pakët ilustrojnë një parim shumë të përgjithshëm që ruhet me devotshmëri dhe qëndrueshmëri mbresëlënëse: Sa më shumë i akuzojmë armiqtë për ca krime, aq më e madhe është zemërata; sa më e madhe të jetë përgjegjësia jonë për krimet – dhe kështu që sa më shumë mund të bëjmë për t’i ndalur ato – aq më i vogël është shqetësimi, deri në me prirje pandërgjegjshmërie apo edhe mohimi.
Ndryshe nga prononcimet elokuente, nuk jemi përballë rastit që “terrorizmi është terrorizëm. Nuk ka dy lloje të tij”. Është e vërtetë krejt e kundërta, pra se ka pikërisht dy lloje të tij. Përfundimisht ka dy lloje të tij: i tyri kundër tonit. Dhe jo vetëm terrorizmi. / CNN