Tik-Tak, it’s time for SPAK!
Nga Eriol Braimllari*
Deklarata e sotme e Ministres së Drejtësisë shënon thjesht nisjen e fushatës mediatike të mbrojtjes së qeverisë nga opinioni publik, i cili i njohur nga Presidenti i Republikës për shkeljet e qeverisë pret me padurim ndëshkimin e autorëve.
Një fushatë intensive ku figura kryesore të pushtetit, pritet të përfshihen në gënjeshtra juridiko-politike që do furnizojnë opinionin publik me propagandë masive.
Jam i bindur se edhe në Kongresin e Partisë Socialiste, Ministres Gjonaj do ti thuren lavde deri madje mund të gradohet me ndonjë post të lartë partiak; jo si shembull i një gruaje të suksesshme, por si promovim i modelit të mafiozëve që kryejnë porositë e partisë me devotshmëri.
Njerëzit e qeverisë të përfshirë në skemën mafioze i kuptojnë shumë mirë përgjegjësitë tepër të rënda të veprimeve të kryera në funksion të uzurpimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ndaj Ministrja Gjonaj nuk guxoi të hapte gojën për akuzat e drejtpërdrejta, për të cilat publiku pret me padurim drejtësinë e SPAK-ut.
Edi Rama dhe qeveria kanë të gjithë përgjegjësinë për aktet anti kushtetuese dhe anti ligjore në kthimin e Shqipërisë në të vetmin shtet në botë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, prej 3 vitesh tashmë.
Është fat i paracaktuar që për një shtet pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë që garantojnë shtetin e së drejtës dhe liritë e të drejtat themelore të njeriut, rruga e integrimit evropian të jetë jo vetëm e vështirë por gati e pamundur.
Ndaj koha nuk pret dhe qytetarët nuk mund të presin më! Shqiptarët presin SPAK-un të bëjë detyrën. Ata presin drejtësi dhe shtet të së drejtës.
*Sekretari i Marrëdhënieve me Jashtë në LSI-së