Viti i Vitheve dhe Alban Skënderaj në radion holandeze
Viti i Vitheve dhe Alban Skënderaj në radion holandeze
Nga Flutura Acka
E diela e fundit kishte rutinën e të gjitha të dielave të mia, kur në vend të ekranit – atij librit me një faqe – lexoj dhe mbaj radion ndezur në ndonjë program muzikor. Mbase kur jam në Holandë, e kam të vështirë të kuptoj mirë përshkrimin gjatë prezantimit të këngëve, por gjuha e tingujve është e njëjtë në të gjithë botën. Befas këtë të diel, e ndala leximin në orën 1:32, pasi në rubrikën "Schiffers" të radios holandezeNPO (ku zakonisht paraqitet muzikë e zgjedhur – madje shumë e zgjedhur – nga bota), ndesha zërin e njohur të këngëtarit shqiptar Alban Skënderaj. Nuk e di nëse ishte kënga më e bukur që do të doja të dëgjoja shqip, por di se si shqiptare u ndieva e përfaqësuar. Siç jam ndier e përfaqësuar nga Inva Mula, Ermonela Jaho, Eda Zari, Sajmir Pirgu, Elina Duni, e të tjerë. Prezantimi i këngëtarit shqiptar ishte i shkurtër, dhe gazetari i rekomandonte dëgjuesit të radios së tij llojin e muzikës Pop që bëhej në Shqipëri. Kjo muzikë e zgjedhur bëhet në Shqipëri! U ktheva me kujtesën time në vitet kur ishte zbuluar ky djalë i talentuar, dhe investimit që një televizion serioz si "Top Channel" i kishte bërë muzikës dhe talentit të tij, si pjesë e asaj pasurie që duhet ruajtur dhe mbështetur. Sa mirë që prezantuesi holandez nuk dinte më shumë për muzikën shqiptare sot, dhe nuk kishte zgjedhur më shumë mes asaj Vithnaje dhe Shaljashtërie që ka dyndur muzikën në Shqipëri, edhe muzikën në botë. Pak ditë më parë kisha lexuar një artikull ku viti 2014 ishte shpallur si Viti i Vitheve, dhe sigurisht i referohej këngëtareve të muzikës Pop a tjetërçka dhe kopertinave të revistave. Por të paktën edhe pse ndonjëherë me vithe e cica jashtë, këngëtaret e botës nuk mund të bëhen hit pa zë; zëri është kushti i parë, pastaj të tjerat. Të tjerat janë garniturë, që e kërkojnë kohët e reja, të kësaj bote të kërcënuar nga konsumizmi dhe paraja kallp. Por, veç të tjerash, ato kanë edhe tekstet e mira, që në të shumtën e rasteve janë poezi të menduara dhe shumë të bukura. Po tekstet e këngëve tona? Shihi tekstet e këngëve të këngë-vitheve tona, për të kuptuar se çfarë varfërie na ka rënë për derë. Nuk po flas për muzikën, nëse është origjinale apo jo, sepse nuk jam në thekra të njohura. Flas vetëm për tekstet. Po sjell vetëm disa vargje, që më kanë vrarë veshin: "Zhuk e randë kish qëllue/s'kishim faj dush m'u krye" (zhuka, është fjala për zgjenben!), "Miqësia jonë lesh me qime…", "Paskam b… e mirë/din mir me u dridhë", "A din me ma thy/me ty e kam me ty", "Ti s'din as me ma lyp", e të tjera plot që kanë zënë përditën tonë e duke e lënë muzikën shqiptare në periferitë e asaj europiane. Tani nuk ka mbetur më, veç pamja ballore, që t'i afrohet pornografisë.
(marre nga www.newsbomb.al)