Home Forum Gjergj Luca, ...

Gjergj Luca, ai që ka zgjedhur të bëjë gjithçka me shpirt

66
0

Nga Albert Vataj

“Vetëm luftëtarët e betejave sfiduese e dinë se sa e vështirë është t’i mbijetosh stuhisë dhe të mos jesh në gjendje të jetosh pa të” ka thënë klasikja e letërsisë angleze, Emily Brontë. Kjo maksimë, kam bindjen se është postulati i asaj çfarë është dhe çfarë bën; Gjergj Luca njeri, sipërmarrës dhe identitet reagues qytetar. Gjergji, pinjoll i prindërve artistë, Ndrek dhe Mimika Luca, u nis të ndiqte traditën familjare, por fatmirësisht ndërroi udhë, për t’u bërë një nga sipërmarrësit më unik të këtij vendi.

Ai nuk ndoqi rrugën e aktorit, sepse fati kishte projektuar një zgjedhje tjetër për të. Ndoshta në art do të jepte shumë më shumë, sepse do të pasuronte pemën gjeneologjike të familjes, me një tjetër korife të artit skenik shqiptarë. Por jo, ai kërkoi diçka tjetër, shumë më të madhe, diçka që kapërcente skenën apo sheshxhirimet, diçka që e ndjente, dhe gjeti Gjergj Lucën sipërmarrës, Rozafën dhe një seri veprash monumentale, të cilat janë mundi dhe shpirti i tij, janë ëndrrat që ai bëri realitet.

Shpesh mënyra se si ai i bën gjërat ka hasur në kundërshti, në replika dhe në sulme, që natyrisht i’a kanë prishur drejtpeshimin, por jo ta ndalojnë, ta stepin apo t’i bëhen pengesë, sepse ai di vetëm të ndeshet dhe të fitojë. Gjergj Lucën, fatmirësisht e njoh dhe e kam përcjellë dhe vlerësuar veprimtarinë e tij si sipërmarrjes, dhe ajo që kam kuptuar është se çdo gjë që ai bën e bën me gjithë shpirt. Ai zemërohet me gjithë shpirt, siç qesh me gjithë praninë e tij shpirtërore. Ai bërtet e trazohet në një përpjekje për ta bërë zërin e tij të dëgjohet dhe atë që ai e konsideron të dënueshme ta denoncojë energjikisht.

Fatkeqësisht ne jemi mësuar me tipin e sipërmarrësit që njihet pak ose aspak, ai tipi që bën gjëmën duke shpërdoruar pasurinë kombëtare dhe fondet publike, duke bërë pazare me pronat e duke u pasuruar në matrapazllëqe e ndërtimtari. Dhe kur vjen ky atipiku, Gjergj Luca, ky që nuk mund të hesht, kur duhet flitet, që bërtet me të madhe, kur është për tu dhënë alarmi, që reagon me gjithë praninë e vet si një qytetar i përgjegjshëm i këtij vendi për të mos u pajtuar me të keqen, të gjithë shtangemi, shajmë me libër shpije, derdhim helm e vrerë, bëjmë namin, sikur Gjergj Luca të jetë antiKrishti që ka dalë nga errësira e mesjetës. Ai nuk është shenjtor, sigurisht, por besimi që ai ka në punën që bën dhe qëndrimin që mban, janë gjithçka për të cilën ai ka sakrifikuar dhe është i përkushtuar.

Mënyra e tij e të bërit të gjërave për ne është një befasi dhe papajtueshmëri. Ende e kemi të vështirë të kuptojmë se një sipërmarrës nuk është thjeshtë një punëdhënës dhe një taksapagues, por edhe një identitetit dhe integritet, personal dhe profesional, që nuk i’a lejon vetes të qëndrojë në heshtje, kur zëri i tij ka një shpirtje për të bërë prezent, kur vullneti i tij ka një ide për të shpërfaqur dhe një mendim për të ndarë më ata që kanë qëllime të përbashkëta dhe e duan këtë vend.

Jo të gjithë që përcjellin komunikimin publik të Gjergj Lucës, janë në një mendje me mua, dhe mirë bëjnë që mendojnë dhe gjykojnë ndryshe. Sepse, përgjithësisht ata e kanë të pamundur të veprojnë të çliruar nga zemërata dhe inati, nga kultura e urrejtjes që përdorim si faktorizim. Ata mendojnë se duke nëmur e sharë, duke shprehur pakënaqësi dhe zemërim, duke akuzuar dhe anatemuar, arrijnë të gjejnë pozicionimin e duhur në çështje, për të cilët Luca bëhet prezent, ashtu siç ai di, energjikisht dhe sinqerisht, me mish e me shpirt.

“Nuk ka asgjë të pamundur për atë që do të përpiqet” tha legjendari, Aleksandri i Madh, dhe Gjergj Luca, çdo ditë është kudo me përpjekjet dhe prezencën e tij energjike, e paimagjinueshme por e vërtetë, sepse ai beson te puna dhe njerëzit, beson se shpirti është ajo energji transformuese që ka mrekulluar botën që sot na magjeps, ai beson se duke patur gjithnjë ëndrra, një realitet i mrekullueshëm është gati të na shpërblejë si një vullnet qiellor.

LAJMET KRYESORE

Të përzgjedhura

Lajmet e Fundit

Te Fundit