Gjigantët e mediave sociale Twitter, Facebook dhe filiali i tij Instagram i bllokojnë 88 milionë ndjekësit e Presidentit Trump
Nga DW-
Presidenti në largim i SHBA është bllokuar “për një kohë të pacaktuar” nga Facebook- dhe përkohësisht në rrjetin Tweeter, për mbi 88 milionë ndjekësit e tij pas një nate dhune në Uashington.
Gjigandët e mediave sociale Twitter, Facebook dhe filiali i tij Instagram njoftuan të mërkurën se po pezullonin llogaritë e Presidentit të SHBA Donald Trump në një lëvizje të paprecedentë kundër mënyrës së preferuar të presidentit për t’iu drejtuar publikut.
Bllokimet erdhën ndërsa mbështetësit pro-Trump sulmuan ndërtesën e Kapitolit të SHBA në Uashington DC. Trazirat ndërprenë një seancë të përbashkët kongresi për të konfirmuar fitoren e Presidentit të zgjedhur Joe Biden në zgjedhje.
Çfarë e shkaktoi ndalimin?
Trumpi postoi një video në Twitter dhe Facebook më shumë se dy orë pasi protestuesit hynë në Kapitol dhe kur autoritetet përpiqeshin të merrnin kontrollin e situatës.
Trumpi e niste videon e tij duke thënë, “Unë e di dhimbjen tuaj. Unë e di lëndimin tuaj. Por ju duhet të shkoni në shtëpi tani.”
Ai përsëriti pretendimet për mashtrimin e votuesve në video. Ai gjithashtu u bëri thirrje mbështetësve të tij, duke thënë “Ne nuk duam që të lëndohet askush”, duke shtuar: “Ne nuk duam që këta njerëz të përfitojnë nga kjo.”
Drejtpërdrejt duke iu drejtuar mbështetësve të tij në video, ai tha: “Ne ju duam, ju jeni shumë të veçantë”.
Ligjvënësit republikanë dhe zyrtarët e mëparshëm të qeverisë thuhet se i ishin lutur Trumpit që t’u bënte thirrje mbështetësve të tij për të shuar dhunën.
Si u përgjigj Facebook?
Facebook tha se po e bllokonte “për një kohë të pacaktuar” llogarinë e Trumpit, duke përfshirë atë në Instagram, sipas një postimi nga themeluesi dhe presidenti Mark Zuckerberg.
“Gjatë viteve të fundit, ne e kemi lejuar Presidentin Trump të përdorë platformën tonë në përputhje me rregullat tona, duke hequr ndonjëherë ndonjë përmbajtje ose duke i etiketuar postimet e tij, kur ato shkelnin politikat tona. Ne e kemi bërë këtë, sepse besojmë se publiku ka të drejtë të qasja më e gjerë e mundshme në ligjërimin politik, madje edhe për ligjërimin që ngjall debate. Por konteksti aktual tani është krejtësisht i ndryshëm, duke përfshirë përdorimin e platformës sonë për të nxitur kryengritje të dhunshme kundër një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike, “shkroi Zuckerberg.
“Ne besojmë se rreziqet e lejimit të Presidentit të vazhdojë të përdorë shërbimin tonë gjatë kësaj periudhe janë thjesht shumë të mëdha. Prandaj, ne po e zgjatim bllokimin që kemi vendosur për llogaritë e tij në Facebook dhe Instagram për një kohë të pacaktuar dhe për të paktën dy javët e ardhshme deri kur të ketë përfunduar tranzicioni paqësor i pushtetit”. Facebook më herët e kishte hequr videon e Trumpit.
Si u përgjigj Twitter?
Pas heqjes së videos, Twitteri bllokoi llogarinë e Trumpit për 12 orë. Sektori i Sigurisë së Twitterit citoi “shkelje të përsëritura dhe të rënda të politikës sonë të Integritetit Qytetar”.
Kompania kërkoi heqjen e tre prej tweet-eve të Trumpit, përfshirë videon, dhe paralajmëroi: “Nëse Tweets nuk hiqen, llogaria do të mbetet e mbyllur”. Llogaria e Trumpit i fshiu ato postime, tha Twitter.
Tweeteri tha se shkeljet e mëtejshme të rregullave të Twitterit do të çonin në në pezullim të përhershëm.
“Politika jonë në interesit të publikut – e cila ka udhëhequr politikat e veprimit në këtë fushë për vite me radhë – përfundon atje ku ne besojmë se rreziku i dëmtimit është më i lartë dhe / ose më i rëndë,” shtoi Twitter.
Twitteri fillimisht e la në rrjet videon e diskutueshme, por bllokoi mundësinë e rishpërndarjes së videos ose të komentimit të saj. Vetëm më vonë gjatë ditës platforma e fshiu videon tërësisht.
Dyqani nuk shfaqet në internet
Ofruesi i tregtisë elektronike Shopify, i cili strehon dyqanet që shesin në internet mallrat e Trumpit, tha se po i pezullonte faqet e internetit.
“Shopify nuk toleron veprime që nxisin dhunë. Bazuar në ngjarjet e fundit, ne vendosëm se veprimet e Presidentit Donald J Trump shkelin politikën tonë të përdorimit, e cila ndalon promovimin ose mbështetjen e organizatave, platformave ose personave që kërcënojnë ose miratojnë dhunën. Si rezultat, ne kemi mbyllur dyqanet e lidhura me Presidentin Trump,”tha Shopify në një deklaratë të shpërndarë me mediat amerikane.
Faqet shop.donaldjtrump.com dhe trumpstore.com nuk shfaqeshin në internet pas shpërndarjes së deklaratës me shtypin e SHBA.
A ka rëndësi prania e Trumpit në media sociale?
Ligjvënësi gjerman Gyde Jensen i tha DW se ishte i sigurt se Donald Trump “e di se fjalët e tij kanë rëndësi”.
“Pra, ai ka shumë përgjegjësi për atë që po ndodh. Ai mund ta kishte ndaluar atë [bastisjen dhe trazirat brenda ndërtesave të Kapitolit] edhe më herët, sepse tweet-et e tij të kaluara në thelb thoshin ‘qëndroni paqësorë’. Por ai mund t’u kishte thënë të dilnin nga Kapitoli dhe të largoheshin nga trazira e dhunshme “.
Manfred Weber, kryetari i Partisë Konservatore Popullore Evropiane (EPP) – grupi më i madh i partive në Parlamentin Evropian – i tha DW se media sociale duhet të rregullohet shumë më rreptësisht për të ndihmuar në parandalimin e ngjarjeve të tilla si sulmet ndaj Kongresit Amerikan.
“Ne duhet të rregullojmë fushën e mediave sociale për t’u siguruar dhe për të garantuar që i gjithë ky komunikim të bazohet në parimet themelore, në besimin dhe në luftën kundër lajmeve të rreme,” tha Weber në një intervistë të DW të enjten në Berlin.
“Mësimi që mund të mësojmë nga zhvillimet amerikane është se duhet të përqendrohemi në atë që po ndodh në mediat sociale. Ajo që po ndodh është një lajm i rremë.”
Demokracia mund të funksionojë vetëm po të ekzistojë një komunikim i duhur midis qytetarëve dhe institucioneve, shtoi Weber.
“Ne mund të kemi ide të ndryshme se si t’i zgjidhim problemet e sotme,” tha ai. “Por ju kurrë nuk mund të sulmoni institucionet. Ju kurrë nuk mund të vini në dyshim numërimin e votave.”