Historia e KOHA JONE/Avokat Spartak Ngjela: Ky sulm që po bën kryeministri Nano ndaj KOHA JONE mbetet në të njëjtën linjë si djegia e gazetës nga Berisha

(Botuar me 15 maj 2004)

Dje u zhvillua seanca gjyqësore Nano-Lesi

Dje në ora 13.30 deri ora 14.30 u zhvillua seanca gjyqësore në gjykatën e Tiranës me padi të Fatos Nanos ndaj botuesit të gazetës “Koha Jonë” Nikollë Lesi. Pala paditëse përfaqësohej nga avokati Fatmir Braka, kurse pala e paditur nga avokatët Spartak Ngjela dhe Aldona Sylaj. Gjyqtari seancës ishte Gerdi Hoxha. Që në fillim të seancës avokati i mirënjohur Spartak Ngjela i kërkoi palës paditëse që ti përgjigjej disa pyetjeve kundër të tjera më kryesore ishte se në ç’ligj është mbështetur kryeministri Nano që ka vendosur me datë 14 janar 2004 në mbledhjen e qeverisë për të shpërblyer veten e tij, drejtorin e kabinetit Isa ku dhe sekretarin e Përgjithshëm të kryeministrisë Manjani (mund të lexoni fjalën e avokat Ngjelës që botohet sot).

Pala paditëse nuk dinte të gjente cilin ligjin apo vendimin nga ku është nisur qeveria (pasi nuk ka asnjë të tillë) për të shpërblyer kryeministrin, ndërkohë që ai e ka detyrë funksionale. Avokati Braka vetëm thoshte “bazuar në ligj”, porse në cilin ligj nuk e dinte, pasi siç thamë se nuk ka asnjë bazë ligjore që kryeministri të shpërblejë veten e tij me pesë paga mujore. Avokat Ngjela iu referua faktit se gazetari ka të drejtë të analizojë apo interpretojë në gazetë një dokumente po një fakt. Edhe në këtë rast gazetari i “Koha Jonë” ka kritikuar vendimin e kryeministrit për të shpërblyer veten e tij me pesë paga mujore. Nëse nuk do të kishte vendim qeverie atëherë gazetari ka gënjyer, por vendimi i kryeministrit është botuar dhe pranohet edhe nga pala paditëse. Për të gjetur një zgjidhje ligjore avokat  Ngjela kërkoi nga gjyqtari Gerdi Hoxha që të krijohej një komision ekspertësh gjuhësor dhe gazetaresk, të pavarur, dhe nëse do pala paditëse le ti zgjedhë vetë, që ta na sjellin një raport nëse ka fyerje apo jo në shkrim, ku gazetari thotë se me këtë vendim vetëshpërblimi, kryeministri Nano ka vjedhur taksapaguesit shqiptarë. Përderisa ka marrë para nga buxheti i shtetit në mënyrë të padrejtë,-theksoi avokati, -atëherë i bie që ti kesh vjedhur. Nuk ka gjuhë dhe emër tjetër kjo gjë Botuesi Lesi kërkoi që të jetë njëri prej tre kryetarëve të shoqatave të gazetarëve të vendit si ekspertë Ylli Rakipi, Armand Shkullaku apo Mero Baze. Cilin të dojë të zgjedhë pala paditëse. Gjyqtari e rrëzoi kërkesën e avokat Ngjelës dhe botuesit Lesi, duke nënkuptuar se vendimi ishte parablerë dhe paravendosur në favor të kryeministrit. Në fund avokat Ngjela kërkoi që në seancën tjetër të paraqesin një kërkesë-padi për dëmshpërblim prej 10 milionë lekë të reja nga Fatos Nano në favor të “Koha Jonë” për cenim të emrit të kompanisë mediatike. AN

Zotërinj, gjyqtarë! Duke i qëndruar strikt objektit të padisë, e cila, brenda pretendimit të një dëmi pasuror, në bazë të nenit 625 pika “a” të KC kërkon dëmshpërblimin e paditësve Fatos Nano, Agim Isaku dhe Ylli Manjani me 4 milionë lekë; dëm ky që sipas pretendimit të paditësve të shprehur në paragrafin e dispozitivisht, vjen si pasojë e shpifjeve të bëra në adresë të tyre. Duke u qëndruar strikt kërkesave të ligjit dhe për këtë rast përkatësisht neni 625 pika “a” i KC dhe gjithë frymës së KC në lidhje me dëmin, na lejoni të argumentojmë rrëzimin e padisë pikë për pikë, brenda argumentimit tonë që, në të gjitha pretendimet e paditësit, nuk gjejmë as shpifje e as cenim të personalitetit, duke i qëndruar parimit se: Asnjë gjë reale nuk mund të jetë shpifje e asnjë e vërtetë nuk mund të sjellë cenim të personalitetit.

  1. Paditësit, nga pasioni ose nga shqetësimi, kuptohen qartë se e kanë humbur ekuilibrin e tyre logjik, në një kohë që nuk arrijnë të kuptojnë dallimin midis së vërtetës dhe interpretimit. Askund përgjatë padisë nuk bëhet fjalë për vendimin nr.5 dt. 01. 01.2004, i cili në të vërtetë është fakti kryesor nga rrjedhin të gjitha gjërat.

Paditësit nuk e kuptojnë dot ose bëjnë sikur s’e kuptojnë që editoriali i gazetës “Koha Jonë”, “Shqiptarë vini kujën!” është kolorar i vendimit nr. 5 dt. 14. 01. 2004, sepse po të mos ishte ky vendim, editoriali do të ishte hamendje dhe natyrisht që hamendja mund të gjykohet për ato që pretendojnë paditësit.

Prandaj:

Mbrojtja jonë e ka fillesën e vet te pyetja: a është i kundërligjshëm vendimi nr. 5 dt. 14.01.2004? A ka të drejtë qeveria shqiptare që me firmën e Kryeministrit shqiptar të vendosë shpërblimin e këtij të fundit? A ka të drejtë ligjore qeveria shqiptare që me vendim të saj të shpërblejë vetveten për punën e saj, për të cilën ka marrë mandatin dhe tagrin e përfiton njëherësh edhe pagesë?

Përgjigjja e të gjitha këtyre pyetjeve, civilisht brenda frymës së të drejtës civile në përgjithësi dhe procedurës civile në veçanti, janë barrë e paditësve në bazë të nenit 12 të K. Pr. C… prandaj ata duhet të na provojnë se qeveria shqiptare e ka të drejtën që të shpërblejë vetveten. E turpshme do të jetë nëse do ta gjejmë në analet e legjislacionit tonë këtë fakt, por ne nuk e gjejmë dot.

  1. Cilat janë pasazhet e artikullit objekt i gjykimit, te të cilat paditësit mbështesin juridikisht padinë e tyre? “Fatos Nano, kryeministër vendi, nuk ka më pikë morali”- është pasazhi i parë i padisë me anë të së cilës rreket të vërtetohet shpifja ose cenimi i personalitetit, por ndonëse me një keqardhje të thekshme për nivelin logjik të padisë, më lejoni të shpjegohem se jo vetëm editoriali i gazetës “Koha e Jonë”, po nuk ma merr mendja që gjendet një njeri në Shqipëri, i cili ta pranojë si të moralshëm aktin e vetëshpërblimit të një organi administrativ.

“Fatos Nano ka shpërblyer sejmenët e vet Agim Isaku, Ylli Manjani etj. me firmën e tij” është shumë e saktë që Fatos Nano me vendimin nr. 5 dt. 14.01.2004 të Këshillit të Ministrave i ka shpërblyer edhe Ylli Manjanin edhe Agim Isakun dhe kuptohet që gazetari ose editorialisti i gazetës “Koha Jonë” nuk ka gënjyer, nuk ka shpifur dhe nuk ka fyer e as ka cenuar personalitetin, pavarësisht se për fjalën vartës në shqip ka përdorur fjalën turke sejmen.

Sqarojmë gjykatën se turqizmat në gjuhën shqipe, stilistikisht, nuk përdoren për fyerje por, sidomos në stilin gazetaresk, që nga Fan Noli e deri më sot janë përdorur për të bërë qesharak administrimin e korruptuar shqiptar. Prandaj paditësit të rrinë të qetë se fjala sejmen nuk është fjalë fyese. “Kjo vjedhje e taksapaguesve shqiptarë ka ndodhur vetëm pesë ditë pas tragjedisë së Karaburunit”- ky pasazh, që ka lidhje me vendimin nr.5 dt.14.01.2004 të Këshillit të Ministrave; ka ndodhur vetëm 5 ditë pas tragjedisë së Karaburunit (fakt i vërtetë), ndërsa patjetër që paratë e përfituara vijnë nga buxheti i shtetit, dmth nga taksapaguesit (përsëri një fakt i vërtetë); dhe pastaj në është vjedhje apo marrje ose përfitim i paligjshëm i milionave të firmosura nga vetvetja, kjo është një çështje që natyrisht ka lidhje me ligjshmërinë ose jo të Vendimit të Këshillit të Ministrave. Për faktin që paditësit ende nuk na kanë provuar ligjshmërinë e Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 5 dt. 14. 01. 2004 ai është i paligjshëm juridikisht në funksion të vendimit dhe të provës.

“A thua se edhe këta të shkretë Fatos Nano, Ylli Manjani dhe Agim Isaku etj. kanë qenë në gomone?! Mirë kryeministri Fatos Nano kuptohet se nuk e njeh lehtësinë as edhe momentin e shpjegimin analitik të një retorike, po si ka mundësi që Agim Isaku që na është servirur si shkrimtar përpara publikut me poema dhe romane nuk arrin të kuptojë se ky është stil afektiv që e kanë të gjitha gazetat e botës, stil ky që gazetaria në të vërtetë ia ka huazuar letërsisë? Për paditësin Ylli Manjani s’kemi çfarë të themi se nuk e njohim por mund të vijojmë argumentimin tonë se të marrësh retorikën e afektit gazetaresk si fyerje ose si të vërtetë është mjerim logjik.

“Fatos Nano ka shkelur ligjin”- direkt vijojmë të theksojmë se për të gjithë njerëzit me pak mend në kokë vetëshpërblimi me shifra të mëdha është shkelje ligji, paditësit të na provojnë të kundërtën, sepse proceduralisht është barrë e tyre.”Turp kur një kryeministër shkel ligjin! Më turp kur këtë e shkel për të shpërblyer vetveten!” Natyrisht që të shkelësh ligjin e të shpërblesh vetveten është turp. Në këtë rast ne ende nuk na është provuar legjitimiteti i vendimit dt. 14.01.2004, po e kemi të provuar me arsye të mjaftueshme në lidhje me këtë vendim se, shpërblimi i vetvetes nga të gjithë shqiptarët quhet turp. Kuptohet se gazetari në këtë rast nuk ka bërë asnjë shkelje.

“Gjë që do të thotë se janë marrë nga kursimet e shqiptarëve! Kjo është vjedhje!” është e njëjta arsye që kemi përdorur deri tani në lidhje me taksapaguesit etj. “Pas kësaj nga këta mamuthë duhet të ruhemi” kuptohet se gazetari brenda normës që i lejon retorika dhe stili letrar i ka rritur pak si tepër paditësit kur iu ka thënë mamuthë; pra i ka bërë të fuqishëm, kur në të vërtetë mund të kishte përdorur një figurë më të dobët, sepse dihet që vetëshpërblimi i paligjshëm nuk vjen nga fuqia po nga dobësia. Kështu që në rast se do të kishte përdorur ndonjë figurë të dobësisë njerëzore brenda analizës së tij të paligjshmërisë së vendimit të K. M. do të ishim në një logjikë më normale dhe s’do të kishte asnjë lloj fyerje, por siç shihet artikullshkruesi ka përdorur një figurë gjiganteske, e cila natyrisht nuk i fyen po i bën kompliment, aq më tepër mamuthët kanë qenë gjigantë barngrënës. Ne si mbrojtje nuk jemi dakord me një vlerësim kaq të madh.

“Kjo është qeveria që na drejton me në krye Fatos Nanon”- krejt e pakuptueshme se ku është fyerja e pretenduar, dhe për faktin që për qeverinë në të gjithë padinë ende nuk kemi parë ndonjë epitet, mbetet të kuptohet se është fjala për një qeveri që ka vendosur të shpërblejë kryeministrin e vet. Dhe brenda këtij konteksti na lind e drejta të bëjmë këtë pyetje; a kanë të drejtë ligjore ministrat që unanimisht të shpërblejnë kryeministrin e tyre me 5-fishin e rrogës për një punë për të cilën ka qenë i detyruar ta kryejë si obligim ligjor? Përgjigjen e kësaj pyetjeje, të cilën të gjithë shqiptarët e dinë, ia lëmë në çmim gjykatës për ta argumentuar në vendimin e saj.

  1. Zotërinj gjyqtarë;

Brenda rrjedhës së argumentimit tonë në vazhdim të rrëzimit të padisë, na lejoni të theksojmë se ajo që shprehëm që në fillim të kësaj mbrojtjeje mbetet sërish guri themelor i logjikës sonë: A është i ligjshëm apo jo vendimi nr. 5 dt. 14. 01. 2004? Sipas bazës ligjore që kemi mbledhur, pavarësisht se nuk ka qenë barra jonë, VKM424d. 907.1998 km 8487 d. 13.5.1999 udhëzimin nr. 2 dt. 7. 7. 2000… Na rezulton se vendimi në fjalë nuk është i ligjshëm, prandaj moslegjitimiteti i tij natyrisht që i jep të drejtën çdo gazetari apo editorialisti të përdorë retorikën normale për goditjen e amoralitetit në aktivitetin administrativ.

Zotërinj gjyqtarë, ne nuk mund t’i kërkojmë gazetarisë shqiptare që ta pranojë si të moralshëm vendimin e administratës së lartë shtetërore, përkatësisht VKM, ne nuk mund t’i mbyllim gojën shtypit shqiptar kur ai ndodhet përballë fakteve të një vetëshpërblimi të këtij lloji, në një kohë që kemi një precedent të rëndë penal ende në fuqi, dënimi penal i të gjithë ish-byrosë politike për firmosjen e vendimit me anë të të cilit kishin shpërblyer vetveten. Kjo është një arsye krejtësisht e mjaftueshme për të argumentuar papërgjegjshmërinë juridike të gazetarit, i cili vazhdon të gjykojë me arsyen se vetëshpërblimi është akt edhe joligjor edhe jomoral, prandaj e vetmja gjë që na mbetet të themi është që t’u kërkojmë paditësve të tërheqin padinë dhe të kthejnë paratë që kanë marrë nga buxheti i shtetit, jo duke e stigmatizuar ose goditur një gazetë, në rastin tonë gazeta “Koha Jonë”, por për ta falënderuar atë sepse i ka ndihmuar të njohin të vërtetën.

Përfundimisht, më lejoni zotërinj gjyqtarë, që duke përmendur se ligji ynë i shtypit ka vetëm një nen, i cili shprehet se: Shtypi është i lirë në Shqipëri, dhe liria e tij mbrohet me ligi,- ju takon juve për këtë rast, që me vendimin tuaj të mbroni lirinë e shtypit, pavarësisht se kërkesa absurde që është depozituar para jush si padi për shpërblimin e dëmit, është përpiluar nga Kryeministri shqiptar. Ajo nuk qëndron dhe nuk duhet të pranohet. Avokat Spartak Ngjela

 

 

SHKARKO APP