Blendi Fevziu për arrestimin e gazetarëve Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka

Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka duke kërkuar në arkivën e fotove të "Koha Jonë".

“Duke shfletuar arkivin e “Koha Jonë” ndalojmë te shkrimi i Blendi Fevziut të 30 viteve më parë, me titull “Sekreti shtetëror – kërcënim serioz”, faqe 2, e enjte 3 shkurt 1994, i cili reagon për arrestimin e kolegëve, Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, ngjarje kjo që bëri një bujë të madhe për kohën, duke marrë gjithashtu reagimin e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë, Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve, organizatës botërore për mbrojtjen e lirisë së shtypit, Reporterë pa kufi, Komitetit Shqiptarë të Helsinkit, dhe solidaritetin e qytetarëve, të cilët kërkojnë lirimin e menjëhershëm nga burgu të Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka.  

Gazetari Martin Leka në qelinë e burgut, duke shkruar në paketën e cigareve.

Me një vendim arresti të datës 29/01/1994, të nënshkruar nga Arben Qeleshi, Prokuror i rrethit Tiranë, nën akuzën “Informacion i rremë që ngjall panik”, arrestohen, kryeredaktori i “Koha Jonë”, Aleksandër Frangaj dhe gazetari, Martin Leka. Në fletë-arrestin për Frangaj citohet se: “Në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës së tij si kryeredaktor, ka lejuar botimin e pjesëve të urdhrit të Ministrisë së Mbrojtjes në gazetën e datës 21.01. 1994, urdhër, i cili përbën sekret shtetëror”. Në reagimin e tij të datës 1 shkurt 1994, botuesi Nikollë Lesi sqaron gjithashtu se… Pra këtë (Aleksandër Frangaj) akuzon se ka lejuar botimin e një sekreti shtetëror, ndërsa në akuzën ndaj Martin Lekës thotë se “I  pandehuri ka shpifur në këtë artikull duke pasqyruar në të të dhëna që dihen së janë të rremë”. Rikthimi në kujtesë i këtyre shkrimeve, i ngjarjeve kulmore të ballafaqimit të medias me shtetin, i betejave me të cilat u ndesh fjala e lirë, dëshmon mbi sfidat shtetërore që ngadhënjeu media dhe përpjekjet që shtypi i lirë bëri për të mbetur një misionare e informimit të pavarur edhe në kohë prangosjesh dhe represioni policor shtetëror.  

Albert Vataj

Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka duke kërkuar në arkivën e fotove të “Koha Jonë”.

(Shkrimi i Blendi Fevziut në gazetën “Koha Jonë” faqe 2, e enjte 3 shkurt 1994)

“Sekreti shtetëror – kërcënim serioz”

Për të pavarurën “Koha Jonë”, gazeta më e madhe në vend, është afruar procesi i vitit. Ashtu si në Maj 1992 me drejtorin Lesi, kur TV deklaroi në të gjitha edicionet e lajmeve, se ai që bërë qendra e korrupsionit në Lezhë dhe Mars 1993, kur kryeredaktori Frangaj, u bllokua në arrest shtëpie për përhapje paniku. Ndërkohë ditën e fundit të Janarit 1994, kryeredaktori Frangaj dhe gazetari Leka e kaluan në një nga qelitë e ftohta të burgut të Tiranës. Ligji i shtypit aq i diskutuar nisi t’i shtrijë tentakulat e tij, siç pritej, vetëm në anën e kundërt të pushtetit. “Koha Jonë” duhet të japë llogari edhe një herë për nxjerrje sekreti dhe paditësi në të dyja herët është Ministri Zhulali. Është rast unikal që në harkun e 10 muajve, një Ministër padit dy herë një gazetë, sepse ajo i vjedh sekretet. Është gjithashtu rast unikal që kryeredaktori i gazetës më të madhe në vend arrestohet dy herë, fare lehtësisht, me një padi të thjeshtë të Ministrit. Logjika është e ndryshme. Ministri duhej të largohej nga kabineti i tij për paaftësi. Një Ministër që nuk ruan dot sekretet e tij në kohë paqe, dhe mbush me to faqet e para të gazetave, për nuk mund t’i shërbejë vendit në kohë lufte.

Por pyetja kryesore që shqetëson opinionin sot është – A ishte sekret lajmi i botuar te “Koha Jonë” dhe në ç’hapësira do të kufizohej sekreti shtetëror?

Pyetja e parë është fare e thjeshtë dhe Frangaj e Leka duket se po vuajnë tani një tekë të Zhulalit. Lajmi për çarmatosjen e oficerëve qarkullonte që të nesërmen në të gjitha redaksitë e gazetave dhe po kështu ai do të qarkullonte në të gjithë Shqipërinë. Argumenti tashmë është përmendur. Mijërat e oficerëve do të kthehen në shtëpi të paarmatosur dhe ata nuk mund t’i gënjenin gruan e fëmijët se i kishin harruar revolverët në repart.

Akoma më tepër ai ishte një urdhër dhe ushtria që nga formimi i saj ka vepruar mbi bazën e tyre. Jo çdo urdhër përbën sekret. Mbi shkresën e çarmatimit nuk ishte shkruar kjo sigël. Për më tepër kjo nuk ishte hera e parë. “Aleanca” dhe “Koha Jonë” botuan muaj me parë një shkresë të Gazidedes, drejtuar Kudret Çelës, ku kërkohej heqja e së drejtës së avokatisë S. Ngjelës. Mbi letër qe shkruar sekret, por kjo nuk i pengoi gazetat t’a publikonin në faqet e para.

Gazidede jo vetëm që nuk ngriti padi për nxjerrje sekreti, por detyroi kryeministrin Meksi të dalë përpara parlamentit dhe të japë shpjegime lidhur me këtë.

Sekreti shtetëror mbetet tani për tani befasia më e madhe e ligjit të shtypit. Hapësirat e tij të pakufizuara, pa sinore, janë të gatshme të shndërrohen çdo moment në njolla të zeza ku gazetarët do të bien pre e pasionit të tyre profesional. Ai mund të shndërrohet në një armë me të cilën shteti të kërcënojë qytetarët rebelë dhe rasti Frangaj – Leka është më tepër se sa një shembull. Që sot të gjithë ne do të jemi rob të tij, dhe artikujt tanë do të gjymtohen nga autocensura e sekretit të shtetit.

Arrestimi i dy gazetarëve nuk përligjet. Nëse ata kanë thyer ligjin mund të hetohen në gjendje të lirë dhe kjo është krejt normale. Masa ekstreme e ndalimit ngjan më tepër si presion. Asnjë koleg i tyre shqiptar apo i huaj nuk do të bashkohej me të dhe për çdo regjim ky është një minus i madh.

Ligji i shtypit po shkelet çdo ditë, çdo moment, në mënyrë flagrante nga “RD” por askush nuk e ka akuzuar atë.

Mjafton të të përmendësh historinë e dosjeve dhe pseudonimeve për të dërguar direkt në ndjekje penale kryeredaktorin e “RD”. Në rast se listat e përditshme të pseudonimeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit që botohen, janë të vërteta, “RD” bie ndesh me ligjin. Parlamenti nuk ka vendosur ende për hapjen e dosjeve dhe veprimi i kundërt konsiderohet ilegal dhe i kundërligjshëm. Ai mund të quhet fare mirë nxjerrje e sekretit shtetëror dhe dikush të dënohej. Në rast se psoudonimsat janë të rremë, “RD” akuzohet për shpifje, dizinformim dhe ligji i shtypit i parashikon të gjitha këto në nenet e tij.

Ligji i shtypit vazhdon të godasë atë që e kundërshton më tepër. 38 gjyqe dhe 4 gazetarë të ndjekur penalisht në “Koha Jonë”. Dy prej tyre në më tepër se një çështje. Frangaj dhe Leka do të vazhdojnë të mbeten të izoluar, sepse një ministër nuk mund të besojë më tek bashkëpunëtorët dhe se sekretet e tij do të shëtisin rrugëve në formën e oficerëve të çarmatosur.

BLENDI FEVZIU

(Faksimile të faqeve të gazetës “Koha Jonë” të datës 1 shkurt 1994, ku pasqyrohet njoftimi i arrestimit të gazetarëve dhe reagimeve)  

SHKARKO APP