Fadil Kraja, krijuesi i veprave të mëdha, pena dhe shpirti që pasuroi traditën e dramaturgjisë shqiptare

Albert Vataj

“Është absurde të mohosh një shkrimtar se ka ide të tjera nga tuajat…: është ky titulli i intervistës që gazetari Jetmir Shpuza i ka bërë dramaturgut dhe shkrimtarit shkodran, Fadil Kraja. Ky bashkëbisedim i gazetarit Jetmir Shpuza me dramaturgun, Fadil Kraja është publikuar në gazetën “Koha Jonë”, më 25 Janar 1995, dhe vjen në retrospektivë, si një homazh për dramaturgun, krijuesin e një galerie veprash që erdhën për të mbetur pasuri e traditës shqiptare të artit të fjalës dhe mesazhit të fuqishëm të shpirtit dhe mendjes.

Fadil Kraja ka shkruar mbi 50 drama dhe komedi të suksesshme, të shfaqura në të gjithë teatrot e Shqipërisë, si dhe në Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe në diasporë. Mes veprave të shumta dramaturgjike të tij përmenden: “Fisheku në pajë”, i cili vetëm në Shkodër u shfaq rreth 500 herë, “Sinjalet e natës”, “Çështja e Blertës”, “Shpartallimi”, “Baca i Gjetajve” “Gjaku i Arbërit”, “Djem të mbarë”, “Luani i Shtëpisë, “Çështje familjare”, “Rozafa”, “Kur flasin zemrat”, “Surpriza”, “Martesë me internet” etj. Veprat e tij janë luajtur nga aktorë me peshë në artin tonë skenik, si Ndrekë Luca, Tinka Kurti, Ndrekë Prela, Lec Bushati, Vitore Nino, Bep Shiroka, Ymer Bala, Elez Kadrija, Rikard Ljarja, çifti Bruno Shllaku e Paskualina Gruda, si dhe shumë aktorë të trupave profesioniste të Tiranës, Korçës, Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe trupës teatrore të Prishtinës.

Sjellim në kujtesë gjithashtu se Fadil Kraja për punën e bërë për ta mbajtur në jetë dramaturgjinë shqiptare është vlerësuar me “Mjeshtri i Madh”, “Krenaria e Qytetit”.  Presidenti i Republikës, Ilir Meta me rastin e 70-vjetorit të themelimit të trupës profesioniste të Teatrit “Migjeni” në Shkodër e dekoroi shkrimtarin dhe dramaturgun Fadil Kraja me “Urdhrin e Kalorësit te Flamurit”.

Megjithëse krijimtaria e tij lidhet ngushtë me Teatrin “Migjeni” të Shkodrës ku ka kontribuar për rreth 60 vjet, edhe Teatrin Kombëtar Shqiptar ka qenë një shpi bujare dhe mikpritëse për dramaturgun shkodran.

Dramaturgjia shqip ka patur dhe vijon të ketë problemet e saja, ndoshta jo nga cilësia e produktit, se sa nga një lloj fryme për ta mbajtur skenën e dramës nën peshën e emrave të mëdhenj dhe veprave monumentale. Kjo ka bërë që drama shqip dhe shkruesit e dramës shqiptarë të jenë të paktë, edhe pse ata kanë arritur t’ia dalin, të vijnë te publiku shqiptarë jo vetëm me vepra të huaja, edhe më dramën shqipe, edhe me mënyrat novatore të komunikimit, që nevoja me kohën ka diktuar si domosdoshmëri transformimi.

Është absurde të mohosh një shkrimtar se ka ide të tjera nga tuajat…

Intervistë me dramaturgun e njohur Fadil Kraja

Lidhja e ndërsjellët mes dramaturgut dhe teatrit është e konkretizuar më së miri tek ky autor i mirënjohur dhe me reputacion krijues i dramave të suksesshme si: “Gjaku i Arbrit”, “Baca i Gjetajve”, “Sinjalet e Natës”, “Çështja e Blertës” apo komedive “Luani i Shtëpisë, “Çështje familjare”etj.

-Profesor! Megjithëse jeni një nga dramaturgët më të njohur aktualisht po heshtni…

Në fakt kam shkruar dy drama. Njërën teatri i Shkodrën e përgatiti për turneun që bëri në Maqedoni. Tjetrën e vuri në skenë teatri i Strugës. Maqedonia është larg dhe prej andej zëri vjen vonë, ose nuk vjen fare deri këtu. Sa i përket teatrove këtu, në Shqipëri, nuk kam dërguar ndonjë pjesë. Në përgjithësi gjithë autorëve tanë të njohur nuk u është dëgjuar zëri këto vitet e fundit në teatrot tona.

-Ku duhen kërkuar arsyet, për sa më sipër sipas jush, tek publiku apo tek dramaturgët?

-Spektatori është po ai që ishte, megjithëse pak i trazuar nga përmbysjet e mëdha që ngjajë vitet e fundit. I mësuar për dekada vitesh të shohë në skenë pjesë të autorëve tanë apo të dramaturgjisë së huaj me një rrjedhë klasike, veprimi të fabulës dhe të vënë në skenë në mënyrë pak a shumë klasike, tani e ka të vështirë të mësohet menjëherë me teatrin bashkëkohor, surealist dhe nganjëherë absurd, ku fabula dhe fjala zëvendësohen me lëvizjen, me “sikur”, me plastikën, me nënkuptimin. Teatri është një laborator ku eksperimentohen të gjitha llojet, edhe klasikja edhe modernia, edhe Shekspiri edhe Kafka, edhe Shileri edhe Sartri, edhe Çehovi edhe Jonesku e kështu me radhë. Pra ka vend për të gjithë. Nuk mund t’ia imponosh shikuesit vetëm një shije, sepse kështu biem në të njëjtin gabim të dekadave të shkuara ku teatri bashkëkohor quhej reaksionar. Sot më tepër se kurrë spektatori duhet afruar me përpjekje të përbashkëta, e kjo do të thotë që furra e teatrit duhet të nxjerrë vazhdimisht “bukë” e jo të heshtë për muaj të tërë.

-Si e gjykoni rishfaqjen ose jo të dramave të suksesshme të viteve më parë?

Të gjitha mund të shfaqen po të jetë dëshira e teatrove. Bile, edhe “Fisheku në pajë”. Padyshim duke i hequr dy- tri batuta sllogane, të cilat në atë kohë mua m’i impononte koha, si dhe shumë të tjerëve. Ndërsa ka drama e komedi që nuk ka nevojë t’u heqësh asnjë batutë, bile të gjitha ato që përmendët. Komeditë, për shembull, që sot bëhen edhe më aktuale si probleme shoqërore të familjes, mund të vihen edhe me vështrim regjisorial bashkëkohor.

-Ç’mund të thoni për qëndrimet kontradiktore në lidhje me këtë problem?

-Personalisht nuk mund ta kuptoj si mund të hiqet dorë nga krijimtaria jote? Nga veprat e dobëta, po. Ato, kur je i ndërgjegjshëm edhe vetë, i nënçmon. Ndonjë tjetër që të duket se ka nevojë për ndreqje, e ndreq me dëshirë. Kadareja vetë ka ndrequr ndonjë roman të tij, kurse për “Dasmën” ka deklaruar vetë se nuk është e arritur. Dritëroi, me shaka më pat thënë një herë: -ç’dreq shkrimtarë jemi ne, në se nuk kemi në tryezë ndonjë vjershë të pabotuar, apo ndonjë të pa arritur?

Puna është në se shkrimtari hesht. Heshtja është edhe mohim, edhe vdekje. Vlerën e vet shkrimtari e tregon edhe gjatë përmbysjeve të mëdha, edhe pas tyre. Gjykatës për të është lexuesi apo shikuesi. Ai i takon çdo kohe dhe koha është edhe shëruese edhe vdekjeprurëse për një vepër letrare apo arti.

-Kohët e fundit u hartua një antologji letërsie shqipe e “rinovuar”, jashtë së cilës kanë mbetur shumë nga shkrimtarët tanë të njohur si K. Blushi, Q. Buxheli, M. Kallamata dhe janë lënë jashtë pothuaj gjithë shkrimtarët e Shkodrës duke filluar nga Jakova, LL.Siliqi, F.Kraja, Z.Çela, F.Reshpja, P.Selimi etj. Ju si dramaturg i njohur, që deri pak më parë dramat e tua janë studiuar për orë të tëra në lëndën e letërsisë shqipe si e ndjeni vehten jashtë kësaj antologjie?

-Asnjëherë antologjia nuk më ka shqetësuar. Dhe besoj se nuk është ajo përcaktuese për një letërsi. Shijet, idetë vetjake të hartuesve të një antologjie mbetën gjithnjë vetjake, sado t’i shesësh si të përgjithshme. Kjo ka ndodhur edhe me antologjitë e mëparshme të politizuara. Të përsëritet ky politizim edhe sot është për të ardhur keq. Dy herë nobelisti norvegjez, Knut Hamsun dihet se qe ministër i Kuislingut famëkeq dhe që po ky shkrimtar që i bëri thirrje popullit të tij të mos rrokë armët kundër pushtuesve nazistë. Populli e dënoi, e përbuzi deri në atë shkallë sa ai vdiq në një spital psiqiatrik. Por vepra e tij ka vend nderi jo vetëm në antologjitë e vendit të tij, por në gjithë botën. Kurse sot, të mohosh me qëllim kulturës.

Kurse sot të mohosh me qëllim ndonjë shkrimtar, sepse ka ide të tjera nga të tuat, ose i ka patur, është absurde. Se kështu, me këtë mendësi duhen mohuar edhe shkrimtarë që kanë patur divizë fashiste. E pra, në Itali edhe Manzoni, edhe Pellico, pavarësisht nga idetë dhe deviza e tyre, mbetën të mëdhenj..

-Le të kanalizohemi pak tek dramaturgjia. A shikoni premisa për zhvillimin e saj dhe si?

-Patjetër që do të ketë zhvillim. Do të dalin autorë të rinj që do ta përtërijnë teatrin, do ta pasurojnë fondin e dramaturgjisë shqipe me vepra të reja. Sidomos kur gjendja ekonomike të jetë më e mirë, kur mirëqenia të rritet dhe njerëzit të kenë më shumë kohë për ushqim shpirtëror. Atëherë çdo qytet do të ketë teatrin amator, shoqëritë artistike, sponsorizues të gatshëm, bashki të predispozuara për zhvillimin e artit dhe kulturës dhe kjo do të vijë shpejt

Intervistoi: Jetmir Shpuza

SHKARKO APP