Fatos Nanos nga burgu: “Berisha po e izolon sërish Shqipërinë”

“Koha Jonë”, e martë 26 Korrik 1994. Për tregun e gazetave kjo nuk ishte një ditë e zakonshme, siç nuk rezultoi të ishte e tillë edhe për politikën e atyre viteve. Në faqet e kësaj gazetë “Koha Jonë” vinte me një intervistë nga burgu, një ndër personazhet më karizmatik të politikës, Kryetari i PSSH, Fatos Nano. Gazeta këtë ditë nuk pati shitjen e saj më të mirë, por ajo e futi të pavarurën e parë të fjalës së lirë “Koha Jonë” në librin e rekordeve.

Fatos Nano, paradoksalisht intervistohej më 23.07.1994 në burg nga Martin Leka, një gazetar, një ish i burgosur i Berishës. Fatos Nano foli nga qelia me gazetarin për të gjithë çështjet e nxehta të politikës në veçanti. Ndër të tjera, Martin Leka i bën pyetje Nanos referuar një perifraze të thënë prej tij në Parlament, sipas së cilës ai është shprehur se “jemi për politikën e dyerve të hapura, jo të dyerve të shqyera”! Si mendoni, pyeste Martin Leka, tani për këto “dyer”?…

“Qelia më jep një simbolikë të përsosur për ta riformuluar këtë ide. Dallimi midis politikës së “dyerve të hapura” me atë të “dyerve të shqyera”, është dallimi midis një qytetari të lirë dhe një të burgosuri, apo të izoluari! Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë duke e mbyllur derën nga brenda me shumë shule e lloze! Ramiz Alia nisi politikën e “dyerve të hapura”, çelësin e të cilave e mbante vetë si “zoti i shtëpisë”!; Sali Berisha (Arbnori nuk përbën fenomen tipik) po e izolon sërish Shqipërinë, duke e mbyllur portën nga jashtë! Pra “dyert e shqyera janë njëlloj si dyert e qelive: ato nuk hapen nga brenda! Ne socialistët themi: dera e hapur, çelësi në derë, i zoti i shtëpisë brenda dhe miku në vendin e vet!” i është përgjigjur Fatos Nano gazetarit. Kjo dhe të tjera në një intervistë të “Koha Jonë” të kthyer pas 30 vitesh në kujtesë.

Albert Vataj

“Berisha po e izolon sërish Shqipërinë”

Intervistë ekskluzive, por lakonike me kryetarin e burgosur të PS, z. Fatos Nano

Martin Leka: Duke ju falenderuar që pranuat sërish të “riskoni” nga burgu për gazetën “Koha Jonë”, ju siguroj se ne do të ruajmë ekskluzivitetin dhe do ta botojmë më…

Fatos Nano: Ju lutem, të merremi vesh që në fillim. “Risqet e burgut janë të miat (se ju “e hodhët lumin”!), ato të botimit janë tuajat, por, në parim, unë mendoj se duhet respektuar më shumë lexuesi. Ai kërkon informacion dhe ide, sepse është krejt i aftë t’i përpunojë vetë ato. Kurse ne “e mbysim me fjalë, vetë pyesim, vetë përgjigjemi! Sidomos, ju gazetarët e ç’burgosur, jeni bërë shumë “llafazanë tani. Paskeni qenë vërtet “të pandreqshëm! Prandaj, vërtet ekskluzive, por lakonike…

Martin Leka Po, e pranoj. Atëhere, t’ia nisim: Si e shpjegoni përshpejtimin e gjykimit tuaj në Gjykatën e Kasacionit? Mos kjo ka lidhje me 30 Korrikun? Apo me vendimin e Unionit Ndërparlamentar për ju që pritët të publikohet këto ditë ?

Fatos Nano: Sërish “forca e zakonit”! Atëherë, përgjigjet që përmban pyetja juaj unë do t’i përmblidhja kështu: Edhe unë (opozita), edhe z. Brozi (pushteti) do të shkojmë me pushime?! Sigurisht në vende të ndryshme, larg “syve të miletit”! Në këtë klimë të nxehtë, për njerëzit dhe për pushtetin “mjeku këshillon të mos ketë “patate përvëluese” në treg!

Martin Leka : Keni thënë në një intervistë tek “KJ” se dyert në të cilat ka hyrë Berisha, më janë propozuar edhe mua, por nuk kam pranuar të hyj në to…

Fatos Nano: Aa, jo! Unë jam shprehur se kam hyrë dhe kam dalë nga ato dyer, kurse Berisha duket se ka mbetur brenda! Uroj, sinqerisht, që “të mos ia kenë zënë kokën me derë”.

Martin Leka: Si e pret Fatos Nano përvjetorin e parë të burgosjes së tij, ndërkohë që keni dhe 11 përvjetorë të tjerë për të “festuar”?

Fatos Nano: I qetë, pasi kam përcaktuar edhe rrethin e “miqve”, me të cilët do të festoj çdo përvjetor në të ardhmen. Ata janë: Mahatma Gandi, partizani Meke dhe Konti i Monte Kristos! A nuk ju duket një shoqëri masovike” që mund t’u rezistojë të gjitha stinëve ?!

Martin Leka: Cili është urimi juaj në këtë përvjetor për presidentin Berisha, kryeministrin Meksi, për z. Arbnori, për kryekontrollorin B.Çela?

Fatos Nano: Të kuptojnë përfundimisht që fatet tona nuk ndahen më, prandaj kot bëjmë sikur i rrimë larg njëri-tjetrit! Le të zgjedhin vetë, ose të vinë edhe ata këtu, ose të kthehemi të gjithë në vendet që na garanton Kushtetuta, e cila do ta bëjë bashkëjetesën të pashmangshme!

Martin Leka: Pas burgosjes suaj, sidomos kohët e fundit, është folur në shtyp për “çarje në radhët e PS”. A mendoni se këtu ka një bazë reale, apo…

Fatos Nano: PS-ja është ndërtuar e zhvillohet si një organizëm i gjallë, që e ka të fortë moralin për të mos pranuar “çarje”! Prandaj, duke përgjithësuar sentencën e kolegut dhe mikut tim Dritëro Agolli se “Unë nuk jam një dele në tufë”!, me cilësinë e Kryetarit të PS, do të shprehesha se “PS nuk është një tufë me dele!”

Martin Leka: A ndjehet Fatos Nano i tradhëtuar nga miqtë e tij ?

Fatos Nano: Po, por vetëm nga ata që m’u bënë “miq. Kur isha Kryeministër. Vazhdojnë të vërtiten sërish rrotull pushtetit dhe të tradhtojnë veten!

Martin Leka Si e kujtoni ju manifestimin e socialistëve një vit më parë, ditën e arrestimit tuaj dhe si e gjykoni ikjen e Kastriot Islamit nga Shqipëria ?

Fatos Nano: Këto dy gjëra nuk kanë lidhje shkakësore, mendoj unë, sepse manifestimin e 30 Korrikut 1993 nuk e bëri K. Islami. Po të ishte kështu, pushteti do t’i kishte lejuar manifestimet e socialistëve pas arrestimit tim, meqë “ka ikur” Kastrioti! Sidoqoftë, “ikja” e Kastriotit nuk është “ikja” e Kadaresë!

Kaçi (jemi rritur në të njëjtat rrugica), pati “fatkeqësinë që “revolucioni demokratik e zuri në mes të kualifikimeve pasuniversitare. Kur u bë ministër i Arsimit në qeverinë “Nano 1”, unë mezi e “kapa në telefon” në Trieste, ku kryente një specializim afatshkurtër, të cilin e ndërpreu menjëherë, duke iu përgjigjur detyrës. Veçse, është fakt i njohur, se bursën gjermane “Humboldt” ai e kishte fituar që atëherë. Kështu që edhe ai, edhe unë, edhe shumë të tjerë, tani vazhdojmë kualifikimet dhe stërvitjet! Dhe një “provë gjenerale” për to ishte padyshim “dhjetori i socialistëve” në korrik 1993!

Martin Leka: A është i vërtetë mendimi se PS-ja nuk i merr vendimet pa u siguruar dhe me “firmën” tuaj?

Fatos Nano: Vendimet politike pa diskutim, kjo është bërë tashmë krejt e natyrshme për PS-në, brenda dhe jashtë vendit. Bile, as vendimet politike të PD-së, sot nuk merren dot pa siglën “Çështja Nano”, që ka zënë vend në të gjitha “projektet që atyre u paraqiten nga elektorati dhe nga bota! Dhe kjo do të ndodhë në mënyrë të paevitueshme sa kohë që kjo çështje mbetet e pazgjidhur. “Çështjen Nano” s’e kam më në dorë as unë!

Martin Leka: Jeni shprehur dikur në parlament se “jemi për politikën e dyerve të hapura, jo të dyerve të shqyera”! Si mendoni tani për këto “dyer”?…

Fatos Nano: Qelia më jep një simbolikë të përsosur për ta riformuluar këtë ide. Dallimi midis politikës së “dyerve të hapura” me atë të “dyerve të shqyera”, është dallimi midis një qytetari të lirë dhe një të burgosuri, apo të izoluari! Enver Hoxha e izoloi Shqipërinë duke e mbyllur derën nga brenda me shumë shule e lloze! Ramiz Alia nisi politikën e “dyerve të hapura”, çelësin e të cilave e mbante vetë si “zoti i shtëpisë”!; Sali Berisha (Arbnori nuk përbën fenomen tipik) po e izolon sërish Shqipërinë, duke e mbyllur portën nga jashtë! Pra “dyert e shqyera janë njëlloj si dyert e qelive: ato nuk hapen nga brenda! Ne socialistët themi: dera e hapur, çelësi në derë, i zoti i shtëpisë brenda dhe miku në vendin e vet!

Martin Leka: Nuk e dimë se sa jeni të informuar lidhur me kontrabandën e naftës që zhvillohet nga territori i Shqipërisë në Malin e Zi e Serbinë! Ju si mendoni, kjo ka të bëjë me faktorë ekonomikë apo politikë ?

Fatos Nano: Unë mendoj se përgjithësisht, (përderisa burimet tona zyrtare e kanë humbur kredibilitetin!), kur ndodh që në “përgënjeshtrimin” e fakteve që bëjnë muu!” për vendasit, apo në konfirmimin e “fakteve” që shqiptarët nuk i prekin gjëkundi, të ngatërrohen edhe “personalitete të huaja”, atëherë pohimi “enigmatik” i z. Arbnori në KSBE, i takon të sotmes dhe jo të kaluarës! E kam fjalën për “mosthyerjen e embargos në rastin e parë dhe për “pozitën prej lideri” të Shqipërisë në reformat në gjithë vendet ish-komuniste, në rastin e dytë!

Martin Leka: Kur mendoni se do të dilni nga qelia Nr.47?

Fatos Nano: Punë ditësh!

Martin Leka: Jo jo, e kisha fjalën se kur do të dilni nga burgu?…

Fatos Nano: Atëherë, ju ftoj t’i bëjmë llogaritë sipas parimit universal të opozitës së burgosur, domethënë: numrit të ditëve (në rënie) që, sipas Presidentit, kanë mbetur deri në zgjedhjet e ardhshme, zbritini për çdo ditë numrin (në rritje) të ditëve të mia në burg. Del një progresion shumë interesant, që në politikë quhet “efekti Bumerand”!

23.07.1994

SHKARKO APP