”I dhamë fund një makthi”, ish-kryeministri Blair: S’jam penduar asnjëherë që e ndihmova Kosovën

Sot u shënua 25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një moment që solli një faqe të re në historinë e pakthyeshme të Kosovës. Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair thotë se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën. Në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës ai ka kujtuar negociatat politike dhe të rënët për liri.

“Takuam refugjatë kosovarë në kampet afër Shkupit, dëgjuam rrëfime të prekshme. Në fytyrat e tyre kërkohej ndihmë. Ne ndihmuam dhe nuk jam penduar kurrë. Ne i dhamë fund një makthi atëherë, por mund të ndërtojmë një ëndërr tani. Kjo është ajo që u kemi borxh atyre që kujtojmë sot”,-tha Blair.

Për të Kosova duhet të ndërtojë të ardhmen që meriton populli i këtij vendi. “Lufta juaj simbolizonte vullnetin tuaj për një të ardhme tjetër. Është për një komb të fortë, të pavarur dhe sovran të Kosovës që Kosova të zërë vendin e saj të merituar në zemër të Evropës në anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian”.

Ai paradite u takua fillimisht me presidenten Osmani dhe më pas me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryeministrin Albin Kurti. Ndërsa është shpallur qytetar nderi nga komuna e Prishtinës.

SHKARKO APP