Studentët e ’70-ës: Si i refuzuam pedagogët e Moskës

 

Studentët protagonistë të viteve ’70 rrëfejnë për herë të parë “Gazetën e murit”, që e ngjitën në muret e Institutit të Lartë të Arteve, si formë e parë e kritikës në artet pamore. Si u transformua shkolla e arteve nga akademizmi i pastër i Perëndimit, në pedagogë të porositur nga diktatura që sollën realizmin socialist nga Moska. Përballja e brezave nuk lidhej më me “artin”, por me momentin e transformimeve ideologjike

Kur hapi ekspozitën e parë në Paris më ’91, pak kohë largimi nga Shqipëria, Bujar Luca pësoi tronditjen e parë të transformimit të tij, pavarësisht se galeristët donin që ai të shfaqej me stilin socrealist. Këtu gjendet paradoksi i 100 viteve pas, për të cilën Luca flet sot në disavantazhin e kohës kur ishte student në Shqipëri. I përket brezit të ’70-ës që jetuan “lirinë e shkurtër”, por u shërbeu si ajër për modernizmin në veprat e tyre. Ndonëse nuk e kuptonin sa duhet se ishte një modernizëm  vonë. Ky piktor prej ’90-ës kthehet për herë të parë në Shqipëri në një ekspozitë të quajtur Black Box, si inkoshiencë që lidh dy botët e jetës së tij, të kaluarën dhe Parisin e kulturave. Në një sallë të vogël të improvizuar për këtë rast unik, Luca sjell shtatë vepra në vaj, dhe ka krijuar një mjedis instalacioni prej 1825 vepra në miniaturë. Janë të gjitha unike, thotë drejtori i GKA-së, Artan Shabani, duke e vlerësuar këtë si një situatë ku gjendesh në një “mbretëri”apo  gjithësi vizatimore tronditëse, gjendje shpirtërore- një garanci pse ky autor hyn në një institucion shtetëror, ndonëse këto kritere nuk përfillen shpesh.

Secili ka liri interpretimi por në veçanti për këto vepra ofrojnë mundësinë e interpretimit të mjeshtërisë. Artisti identifikohet sot në artet pamore nga personaliteti, e në këtë rast Bujar Luca është unik, thotë Artan Shabani referuar edhe vlerësimit që i bëhet në Francë punëve të tij

Pas ’90 ekspozitës Luca ka ekspozuar në Bruksel, Zvicër, Itali por mbi të gjitha dallon për pasurinë e veprës së tij në koleksione. Punët që sjell në Tiranë është konceptuar si kuti e mbyllur që shprehin jetën, kufijtë, gjurmën e përditshmërisë në subkoshiencë.

Bujar Luca ka punuar si skenograf në Francë, ndërsa në Shqipëri para viteve ’90 ka shërbyer në ish Kinostudio.  Në këtë kontekst vjen gjithë historia e piktorit student, ku nisën rebelimet e para, të frustruar por akoma me një të drejtë; për të refuzuar detyrat e para politike që sollën pedagogët e tyre nga Moska.

Z.Luca, pse keni pritur aq gjatë për t’u kthyer në Shqipëri?

Ka një element relative; mund të duket gjatë, por mund të jetë dhe shumë kohë e shkurtër, ose mund të mos vija ndonjëherë. Nuk më bën përshtypje kjo situatë, por kushtet nuk krijohen kaq lehtë. Artan Shabani përmendi faktin se, artistët kanë vështirësi të jashtëzakonshme kur shkojnë në një vend të huaj. Kam pasur fat që kam jetuar me pikturën, dhe, sigurisht kjo nuk ka qenë e lehtë. Kujtoj një episode: kur ishim me Edi Ramën në Paris, vinin mjaft miq e shokë, kur uleshim në biseda ishte e pamundur të mos flisnim rreth kësaj teme; të gjithë donin të iknin nga Tirana. Së bashku me Edin, duke i ditur vështirësitë e panumërta që hasnim secili në mënyrë personale, mundoheshim t’ju tregonim përmes eksperiencës sonë për të ardhur në Paris duhej të përballnin shumë situata, të cilat duheshin pasur parasysh. Mbaj mend se një miku im më pyeti: ike nga Shqipëria sepse ishte komuniste, apo…ti po më flet si këta.

Si erdhi ideja e kompozimit të Black Box?

Ideja ka ardhur në mënyrë graduale. Në këtë punë më ka ndihmuar përvoja e punës në Kinostudio. Konkretisht, në një moment të caktuar duke punuar vura re që vizatimet e mia kalonin nga njëra linjë në tjetrin dhe krijonin një lloj lidhje, kjo është edhe arsyeja që në  pikturën time mbretëron triptiku. Kjo ka natyrshmërinë e punës, pasi kam dëshirë që vepra të mos mbarojë aty ku e kam nisur, ose të gjejë një jehonë në fletën që pason, në këtë mënyrë kaloi edhe tek Black Box, si në një kalim nga një fletë tek tjera, nga një udhëtim tek tjetri, me lidhjen në kohë.

Ju keni krijuar edhe para ’90-ës, duke pohuar se jeni refuzuar, nuk jeni pranuar nga sistemi socrealist, dijmë arsyet politike, por konkretisht ç’ishin punët tuaja për kohën?

Shkaku i refuzimit ishin influencat e huaja në pikturën time. Në të vërtetë duhet shpjeguar nga fillimi. Çdo artist njihej që kur ishte student, pasi kolegët i vinin re cilësitë që secili kishte. Ne, si sutdentë bënim çmos të binim në sy, të tërhiqem vëmendjen dhe ishte e natyrshme. Unë bëja pjesë në ata studentë si dhe studjuesja e Galerisë, Suzana Varvarica që mundoheshim të mësonim gjuhë të huaja, të gjenim diçka nëpër libra e biblioteka, apo në bibliotekën e Institutit të Lartë të Arteve, që me mundim të madh mund t’i konsultonim vetëm nëpërmjet vërtetimeve. Pastaj u përpoqëm në mënyrë koshiente, përmes dekanit, të nxirrnim një gazetë që unë dhe Zana kemi bërë në Institutin e Arteve. Ishte gazetë e studentëve, e cila dështoi shumë shpejt, pasi përpjekjet tona pothuaj tejkalonin ato të profesorëve. Kështu që gazeta u mbyll, mundoheshim të diskutonim kur bënim mbledhje të ndryshme, të fusnim elementë të rinj, të ndryshëm që të sillnim ndonjë gjë të re.

Ne, ishim shumë miq, megjithëse nuk kishim diferencë moshe. Një nga miqtë ishte Llambi Blido, një personazh që ka luftuar shumë në atë periudhe, po ashtu Lekë Tasi bënte përkthime që ne, ia kalonim njëri tjetrit. Këto ishin përkthime në dorëshkrim. Të gjithë këta luftonin në heshtje, pasi po të na i zinin, na përfundonin në burg. Ne, mblidheshim me njëri tjetrin dhe ja tregonim pikturat vetëm njëri tjetrit. Kam pasur fatin të kem në klasë Gazmend Lekën, Ilir Pojanin, Agron Jakupi etj. Secili përpiqej të kuptonte diçka përmes gjuhëve të huaja. Ndonjëherë bënim përpjekje edhe me profesorët për të avancuar diçka por këto dështonin shumë shpejt. Ata shfaqnin dyshime që ndoshta nuk shikonin mirë natyrën, ose ndoshta kishin probleme me sytë,- për ironi, deri këtu shkonte puna. Jo se ishin injorantë dhe ata nuk e kuptonin realitetin, porse detyra e tyre ishte që të mos shkonin përtej disa kufijve.

Ka lidhje ekspozita me këto gjumë të retrospektivës?

Sigurisht, në këtë suazë është kjo ekspozitë, ose duke iu referuar Black Box, që është ndërtuar përgjatë shumë viteve. Është një vepër në vazhdim. Ka pothuaj 20 vjet që po punoj mbi këtë temë, duke u ndërtuar hap pas hapi. Në të vërtetë qëllimi im kryesor nuk është të tregoj një histori. Nuk më intereson, por sidoqoftë përmes artit tim, lirshmërisë që krijoj vetë. Duke hyrë në inkoshiencë, figurat që evokoj vijnë jo për të hyrë në histori, por në emocione. Këto emocione secilit prej jush mund t’i kujtojnë diçka, t’i japin një referencë dhe këto shpesh janë të lidhura me traditën pikturale, me atë çfarë kam studiuar dhe kam përvetësuar, por mbi të gjitha për jetën që kam kaluar, sigurisht edhe në diktaturën komuniste.

Çfarë ka mbetur nga kjo reminishencë?

Nga kjo reminishencë… kanë mbetur shumë ankthe. Madje, do të thosha gati-gati makthe. Sidomos vitet e para kur u vendosa në Francë, shpesh herë zgjohesh dhe, kur zgjohesha ëndrrat ishin sikur jetoja akoma në Shqipëri. Dhe kur zgjohesha isha shumë i lumtur që nuk ndodhesha në Shqipëri. Këto makthe kanë mbetur në fakt, shpesh herë jemi kërcënuar deri aty, sa mund të na burgosnin me të vërtetë.

Si është zhvilluar tek ju, pas kësaj periudhe, krijimtaria e pas “90-ës, si keni mundur të integroheni në realitetin parizien?

Se si jam çliruar unë nga këto makthe kjo ka qenë e lehtë sepse vetë jeta në Paris është shumë e pasur. Konfrontimi me situata të ndryshme kulturale, pasuria e jashtëzakonshme e evenimenteve që ndodhin atje, janë një ushqim aq i fuqishëm sa të tërheqin në një ritëm të tillë që nuk ke më kohë për të menduar të tjerat. Janë një vorbull e vërtetë.

Ju i përkisni brezit të ’70-ës, kur dihet atmosfera e “lirisë së shkurtër” që u përjetua. Nga ajo kohë e deri në ’90-të, çfarë gjetët nga bota perëndimore, si pika kontakti për t’u përfshirë me artin tuaj. Ku kishte “mbetur” piktura juaj?

Është e vërtetë që në fakt ne, mendonim që kishim avancuar drejt artit modern. Por, kur arrita në Francë e kuptova shumë shpejt, qysh në ditën time të parë, konstatova se duhej bërë një ndryshim rrënjësor. Kur arrita atje, kuptova se piktura ime ndodhej nga vitet ‘900. Kjo është diferenca. Ekspozita ime e parë është bërë në shkurt të ’91 dhe kjo më hapi sytë, dhe është fakti pse nuk vazhdova me këtë galerist. Ai këmbënguli që të vazhdoja në të njëjtin stil, por unë nuk doja, refuzova pasi nuk më prezanonte mua si piktor, për të shprehur kohën time, e të vazhdoja në atë frymë. Ndërkohë që këtu konsiderohej aq modern sa nuk më lejohej t’i ekspozoja ato piktura.

Keni model së cilës i jeni referuar, qoftë si filozofi apo praktikës krijuese. Çfarë ka influencuar në krijimtarinë tuaj?

Modeli nuk është një referencë e caktuar të cilin mund ta veçoj sepse influencat janë pafund. Këto janë në plotësi të kërkimit tim, por ajo që ka ndikuar më shumë është: art për art, liria totale, ku piktura në fakt, duhet të arrijë një moment të caktuar nëpërmjet linjës dhe ngjyrës

Pikërisht atë që kundërshtonte socrealizmi, në sistemin tonë diktatorial, kundër luftës së artit për art?

Po absolutisht, dhe Black box në konceptimin e tij nuk ma ka lejuar ta bëj këtë gjë deri në fund. Por, po të shihet deri në fund punët e mia janë vërtetë të çliruara nga çdo lloj tematike, nga çdo lloj subjekti apo gjëje që mund të jetojë vërtetë i pavarur. Mendoj se, vepra e artit nuk është diçka për të cilën ne, kemi nevojë për të jetuar, që është e lidhur me qëndresën tonë fizike. Është thellësisht e ndarë dhe i takon sferës shpirtërore. Pra, arti është një luks.

Referuar mbijetesës, është bërë stereotip, të themi, se kush ka krijuar para ’90-ës, të “gjykohet” si artist i socrealizmit. Sa e vështirë është në këtë trajtim ardhja juaj jashtë kësaj kornize. Publiku shqiptar nuk ju njeh në të tashmen, askush nuk e di arsyen pse jeni larguar nga Shqipëria? Krijon ngërç apo dyshim artistik mbi këtë?

E kuptoj çfarë doni të thoni. Mua nuk më shqetëson fakti nëse njerëzit, publiku më lidh me këto dy periudha. Siç e tha galeristi, çfarë i intereson atij është kjo epokë që ka markuar karrierën time. Ne s’mund ta ndajmë jetën në dy pjesë. Vërtetë unë bëj një jetë tjetër në Paris, po nuk mund të ketë prerje me thikë. Në momentin që ika ato vazhdojnë të qëndrojnë të lidhura duke i shërbyer njëra tjetrës. Sidoqoftë, merret me mend që ne ishim disa piktorë të së njëjtës periudhë që ëndërronin të gjithë, që të mund të iknim e të bënim atë që donim, të iknim për  t’u shprehur lirisht. Kjo ishte shumë e fortë tek ne. E kaluara ime është në themel, është ajo ku unë vë këmbën për të kuptuar çfarë fuqie ka.

****

Vitet ’70, Suzana Varvarica: Gati të përfundonim në burg!

Studiuesja e arteve pamore Suzana Varvarica, bashkëkohëse me piktorin Bujar Luca kanë mundur të tregojnë për herë të parë ato ravgime artistike që ndodhën, e ikën shpejt, pa u përtypur mirë nga brezi i ’70-ës.  Atmosferën e atyre viteve, si daljen e një gazete në mur për pikturën nga studentët, na e dëshmon dhe Varvarica. Është nga rastet e rralla, dhe kjo mban për herë të parë vëmendjen, nga një përpjekje e sapo nisur, por e dështuar. Të pafuqishëm për të kundërshtuar pedagogët e Moskës, të frustruar ata mundën t’i linin vend kësaj reminishencë, Luca me epigramin e Black box, dhe Varvarica me këtë kujtesë, me histori modeste:

Bujar Luca ju përmendte shpesh që ishit një brez në vitet ’70, që përpiqeshit të shikonit jashtë kornizës së socrealizmit që po instalohej, që ishit studentë, në përpjekje për të bërë një gazetë që dështoi. Çfarë ishte kjo periudhë?

Ka qenë një periudhë kur brezi im dhe e Bujarit mori goditjet më të mëdha, kur realizmi socialist ishte i instaluar. Sapo kishin kaluar vitet ’60-të dhe tashmë kishin ardhur studentët nga Bashkimi Sovjetik. Ata ishin injektuar nga realizmi socialist dhe ndërtuan shkollën në këtë formë. Ndërtimi i kësaj shkolle nisi duke larguar nga studiot e Institutit ata ish profesorë që kishin mbaruar në shkollat e Romës, Parisit, Athinës etj.. Të gjithë këta u larguan, shkuan një stad më poshtë, nën nivelin e tyre të mësimdhënies, që ishin kryesisht në Liceun e ditës dhe të natës, ndërkohë edhe shkollave tetëvjeçare. Gjithë ky brez që kishte studiuar akademizmin e pastër u largua nga brezi që erdhi nga Bashkimi Sovjetik dhe prej vendeve të Evropës Lindore. Këta studentë që u bënë pedagogë sollën natyrisht një risi, ishin një shkallë më lart, përsa i përket ndjesisë dhe emocioneve që duhet të kishte shkolla jonë, dhe erdhën me një pozitivitet shumë të mirë. Por, ata menjëherë u ngurtësuan tek realizmi socialist i shkollës sovjetike. Kjo bëri që shkolla të merrte këtë frymë, këtë atmosferë.

Pikërisht këto vite u bënë nga më të egrit. Të mos harrojmë që këto vite ishin vitet e një lirie të shkurtër kur erdhën më pas plenumet e Komitetit të Partisë dhe konferencat e Lidhjes së Shkrimtarëve; të gjitha këto transmetoheshin tek brezat. Mendoni se sa të frustruar u bënë pedagogët tanë, dhe sa frikë kishim ne, për të qenë ndryshe nga pedagogët tanë.

Çfarë kishit arritur të shihnit në ato vite, që ju i quani “liri e shkurtër”?

Ishin ekspozitat e shkurtra, prej dy tre ditësh ku arritëm të shihnim atë çka dëshironim të ishte tek ne, te brezi që po studionte. Kjo iku menjëherë dhe u bë një art i zi, fondi i zi, që dukshëm nuk dëshirohej. Ne kishim piktorë që adhuronim, tek të cilët shihnim ndryshimin e shkollës së realizmit socialist. Ne, ishim brezi që nuk na u lejua duke na kthyer mbrapsh.

Nëse ti devijoje për të krijuar një model emocional, ky quhej një student i dobët. Kur u larguam dhe u vendosëm në Kinostudio, u bashkuam sërish duke ruajtur memorien tonë, dhe diskutonim mbi këto gjurmë mjaft shpesh.

Studentë që ngritët gazetën në mur, çfarë refuzonin në të “pedagogët e Moskës”?

Ajo ishte një gazetë modeste ku flisnim për punët e studentëve. Aty mbaj mend kemi marrë në konsideratë punët e Gazmend Lekës, gjykuar për modernizëm të thellë por në atë kohë e vlerësonin si student i dobët! Sot i zbulojmë këto gjëra shumë pastër, dhe është mirë të dihen. Atëherë na ikën edhe ato kënaqësi të vogla për ta mbajtur, pasi tashmë ishte e ligjëruar gazeta shtetërore Zëri i Rinisë. Kjo ishte arsyeja që Bujari e sjell me shumë forcë në këtë moment. Sapo erdhi ’90-ta ky brez u largua menjëherë, pasi aspironin tjera lartësi në artet pamore.

SHKARKO APP