Zhani Ciko: Muzika shqiptare ka shpirtin e kombit tonë

Nga Skender Minxhozi

Muzikanti i njohur dhe ish-drejtori i TKOB, komqenton tendencat dhe progresin e muzikës tonë pa harruar të evokojë të shkuarën e artit shqiptar. Ai flet dhe për largimin e tij nga drejtimi i institucionit kryesor muzikor të vendit

Me se po merreni aktualisht? Cilat janë projektet tuaja?

Jam mjaft i kënaqur që këto kohë kam takuar shumë njerëz: miq, kolegë, dashamirës, me të cilët marrëdhëniet kanë qenë tradicionalisht jo vetëm të karakterit profesional, por edhe njerëzor. Ka qenë një marrëdhënie të cilën ndoshta e kam neglizhuar në vite, për shkak edhe të ngarkesës së punës dhe detyrimeve të mia. Për këtë arsye, është një periudhë e rigjetjes së disa lidhjeve të vyera njerëzore, dikur të braktisura, e kjo më kënaq pa masë. Nga ana tjetër, unë vijoj të kem kontakte me shumë të rinj, si me ata që sapo kanë nisur rrugën e artit, ashtu edhe me ata që vazhdojnë me sukses karrierat e tyre dhe që besojnë tek unë. Këtu bëjnë pjesë edhe kontaktet me studentët e Universitetit të Arteve, ku vijoj të kem disa orë mësimi. Ky është një impenjim jashtë projekteve të strukturuara profesionale, por është njëherësh një pjesë e rëndësishme e qenies time. Përveç kësaj, shumë miq që merren me muzikë jashtë Tiranës, apo edhe atdheut, kanë patur interes për të më ftuar në aktivitetet e tyre. Po udhëtoj këto kohë, shumë më tepër sesa kur isha në detyrat e ndryshme që kam pasur.

Larg përdorimit të një klisheje të njohur, jeta ime aktuale është realisht po aq e ngarkuar, sa edhe dikur. Një drejtim i rëndësishëm i këtij impenjimi të shpërndarë, janë edhe kontaktet e shumta me miq dhe institucione jashtë vendit, në juri të ndryshme, në evente të cilat gjatë këtij viti kanë qenë mjaft të pasura etj. Konkretisht kam pasur mjaft kontakte në Vjenë, Romë dhe Milano etj.

Çfarë raporti ekziston mes shqiptarëve dhe muzikës?

Muzika shqiptare, në grupimet e saj historike, qysh nga Rilindja Kombëtare, kur u panë fillesat e muzikës së kultivuar, ka mbërritur sot në një nivel, do ta quaja,  mesatar europian. Ka pasur arritje individësh të shquar, por në tërësinë e vet, ne kemi një muzikë e cila i përgjigjet zhvillimit të mendimit progresiv shqiptar, si dhe talentit që përmban kombi shqiptar. Mos të harrojmë se jemi një popull i vogël. Si i tillë, numri i talenteve muzikore të zbuluara ka qenë relativisht i madh. Siç e dimë, në një komb të vogël gjenitë lindin shumë rrallë, është një ligjësi numerike kjo.

Nëse analizojmë muzikën tonë, do të thoja se ajo karakterizohet nga etja për progres. Nuk jam nga ata që mendojnë se kemi patur progres, por kemi regres. Unë i besoj teorisë së zigzakeve, përmes të cilave edhe arti zhvillohet dhe ecën përpara.

Muzika komerciale konsiderohet rëndom si një dukuri negative, ju si mendoni?

Problemi i komercializimit të muzikës duhet parë si një fenomen që prek kryesisht muzikën që është mjet më i madh konsumi. Pra, muzikën popullore. Ne kemi pasur fatin, si popull, që të kemi një fond të zhvilluar të muzikës popullore. Jo vetëm në plan rajonal, por edhe në atë europian. Muzika jonë popullore është interesante sidomos në planin studimor, duke tërhequr shumë vëmendje në qarqet e specializuara ndërkombëtare. Ajo ka trajta krejtësisht origjinale brenda strukturës së saj. Harta e zhvillimit të folklorit shqiptar ka pasur një logjikë të përcaktuar mirë. Hapja e kësaj muzike, futja e saj në të gjitha poret e kombit, progresi teknologjik i jashtëzakonshëm, kanë sjellë masivizim dhe përdorim më të madh të muzikës. Kushdo dëgjon muzikë kudo që ndodhet. Nëse ju bie rasti të udhëtoni në Jug a në Veri, do dëgjoni nëpër mjetet e transportit disa regjistrime të mrekullueshme që nuk i gjen dot as në arkivin e Radio Tiranës. Edhe kjo muzikë është pjesë e asaj që konsiderohet si “komerciale”, por në aspekt pozitiv. Unë nuk e konsideroj komercialen domosdoshmërisht si diçka negative apo shkatërrimtare. Përkundrazi, e quaj si një mjet të penetrimit masiv, ku secili gjen atë që kërkon, konform shijes së tij, aspiratave të tij.

Në këtë suazë duhet trajtuar edhe problemi i influencave të huaja në muzikën tonë. Në këtë aspekt më lejoni t’ju kujtoj një shprehje të Dritëro Agollit, në kohën kur ishte kryetar i Lidh­jes dhe kur flitej shumë për ndalimin e influencave të huaja në muzikën tonë dhe kur ky fenomen sillte jo pak “viktima”, deri në absurd. Mendoni që muzika qytetare tiranase apo shkodrane konsideroheshin si të dëmshme, sepse akuzoheshin për influenca të huaja. Agolli, teksa reagonte për kritikat rreth ngjyrimeve sllave, greke, turke etj. në muzikën tonë popullore, shprehej se “ne nuk duhet të harrojmë se muzika shqiptare është pjesë e muzikës dhe folklorit ballkanik”.

Këtu duhet të dallojmë qartë ndërkohë, atë që është një plagë e muzikës në të gjithë botën: plagjiaturën. Dhe këtu unë shoh influencën negative të komercializmit, kur merren pjesë apo këngë nga të tretët. Por plagjiatura është problem edhe për artin viziv etj. Me një vëmendje më të madhe, plagjiaturën duhet ta dënojë edhe ligji, sidomos në procesin e afrimit me Europën, ku pronësia mbi krijimtarinë, është diçka gati e shenjtë. Aq më tepër, kur flitet për muzikën shqiptare, e cila përbën një pasaportë dhe një shenjë dalluese tonën.

Muzika dhe mediat. Si qëndron ky binom?

Disa vite më parë në Itali, mediat kryesore televizive debatonin për politikën kulturore të medias private dhe asaj publike. Edhe këtu shihen media që investojnë shumë në drejtim të humorit, teknologjisë, spektaklit. Por kjo ka dhe anën tjetër; atë të kërkesës së suksesit me çdo kusht, duke u shtyrë drejt spektakolares në çdo rrethanë. Në këtë mes, mendoj se mungon në këto media një sy vëzhgues, që të shohë problemet dhe të harmonizojë drejt elementet e një shfaqjeje televizive. Duket sikur herë-herë është një regjisor që përcakton, duke u nisur nga forma, gjithë pjesën tjetër që ka të bëjë me përmbajtjen. Kësisoj, edhe elementet retrograde shiten shpesh si avangarde. Dëmi i këtij produkti është më i madh sepse nuk shkon tek publiku i nivelit të ulët, por i serviret publikut të kultivuar.

Sa të lidhur janë shqiptarët me muzikën klasike?

Muzika klasike tek ne ka një veçanti, që është e përbashkët me muzikën e kultivuar, ose kulte, siç quhet. Ajo është e lidhur me çështjen kombëtare, me aspiratat e saj për liri. Në kohën e Rilindjes u ngritën grupet e para muzikore, diku pranë kishave, diku pranë shkollave fetare apo publike. Secili nga patriotët solli diçka nga fondi muzikor. Hil Mosi solli serenatën e Shubertit, nga Amerika erdhën gramafonët e parë me hinkë, bashke me disqet e Karuzos dhe pjesët më popullore të kohës. Filloi një jetë klubesh, ku sigurisht çeshtjet kombëtare ishin në rradhë të parë, po ku diskuptohej ndër të tjera edhe për problemet e artit dhe muzikës. Gjithsesi, duke ndjekur traditën europiane, edhe tek ne, muzika u organizua kryesisht pranë kishës katolike dhe sistemit të saj shkollor, kryesisht në Shkodër apo në disa pjesë të Malësisë. Më pas u hapën edhe shoqatat artistike, siç qe shoqata artistike e Arteve të Bukura e Korçës. Im atë Mihal Ciko, ishte një ndër nismëtarët e saj kryesorë, bashkë me Thoma Nashin e Vangjush Mion. Duke parë gazetat e kohës, vëren se si nisën të organizohen koncertet e para, në mënyrë thuajse spontane, por të mbështetur me aq sa mundeshin, nga institucionet e kohës. Kjo solli zhvillimet e para. Më pas gjatë luftës erdhën mjaft artistë të famshëm italianë. Reagimi i publikut asokohe qe burimi edhe i shumë barcaletave e historive gazmore. Në vitet ’30 qeveria e kohës filloi të japë bursa për studentët shqiptarë që studionin për muzikë. I gjithë grupi i artistëve pionerë që vunë bazat e muzikës tonë, kanë qenë bursantë të asaj kohe.

Pas luftës, me krijimin e shkollave të para artistike, krijuan premisat për përsosmërinë e sistemit shkollor që lidhet direkt me artin dhe muzikën, si Liceu artistik, Konservatori, shkollat e larta, akademia etj.

Shpesh herë dëgjoj të thuhet “ç’na duhen ne gjithë këta artistë”, “pse prodhojmë kaq shumë artistë, muzikantë, piktorë etj”. Harrohet një faktor shumë i rëndësishëm: gjithçka evidentohet përmes mundësisë që u krijohet njerëzve, për të identifikuar dhe zhvilluar talentin e tyre. Ndue Shyti dhe virtuozë të tjerë, apo dhjetra artistë të djeshëm dhe të sotëm, janë sepse u krijuan mundësitë që edhe një vajzë nga Puka, të vijë e të bëhet artiste. Tek ne zhvillimi i artit nuk ndodhi mbi baza gjenetike, pasi Zhani Ciko kishte të atin artist. Jo, talentet kanë dalë dhe kush ka patur talent është evidentuar. Pra, masiviteti është faktori bazë i zhvillimit tonë kulturor. Natyrshëm flas për një masivitet që i nënshtrohet konkurseve, garës së vazhdueshme në procesin e pranimeve. Sepse arti nuk është thjesht një kumt patriotik, por një sintezë vlerash artistike.

Politizimi i artit dhe kulturës ka qënë një e keqe e hershme në historinë tonë. Sa dëm ka sjellë ai?

Në Shqipëri është konsumuar dhe ka pasur nevojë gjithmonë për kulturë. Festivali i 12-të është një shembull domethënës, për mendimin tim, pas festivalit dramatik të 11-të. Megjithë pasojat e atij festivali, edicioni pasardhës nuk shënoi rënie në krijimtari, ndonëse ndërroi krahun, paçka se ishte kaluar një moment shumë i vështirë për muzikën shqiptare. Më vjen mirë të kujtoj se festivali i 12-të pati zhvillime pozitive në krijimet që paraqiti, por edhe në orkestracion dhe elemente të tjera artistike. Këtu do të shtoja edhe diçka. Në vitet ’90 pati një largim masiv njerëzish nga vendi. Por festivali i RTSH nuk u tkurr, përkundrazi u zgjerua. Ai kaloi nga tre, në pesë net, u pasurua kënga shqiptare me gjininë e grupeve, herë në mënyrë spontane dhe herë naive, por që erdhën duke e rritur cilësinë. Po kështu më vonë, çlirimi i nga vargonjtë ideologjikë dhe futja e sistemit të koduar të përzgjedhjes, sollën atë që ne sot paraqitemi në Eurosong dhe kemi ndonjëherë edhe rezultate të mira. Problemi në këtë rast është se produkti i komercializuar reklamohet shpesh më shumë sesa një recital serioz i një artisti të shquar.

Muzika shqiptare ka kaluar nëpër shumë etapa, ku shkëputjet tektonike të viteve ’60-’70, krijuan jo pak probleme. Kujtoj dëshirën e shumë njerëzve që vinin e na ndiqnin në operan e hershme, madje duke qenë prezent edhe në provat që bënim. Me fillimin e influencës së Revolucionit Kulturor tek ne, veçanërisht heqjen e elementit klasik nga vitrina muzikore (një fenomen shqiptar ky, jo lindor), ky publik u largua nga sallat e eventeve muzikore. Opera ishte dhe është një argëtim, aty shkohet për dëshirë, për pasion ndaj artit, jo për detyrim, si në zbor apo në diku tjetër. Na u desh shumë punë, që gradualisht ky publik të fitohej nga e para.

Arti në komunizëm, nostalgjia për të. Si duhet trajtuar ky fenomen?

Është e vërtetë që arti që trashëgoi Shqipëria nga periudha e patriotizmit, kishte disa individualitete të krijuara në shkollat më të mira të Europës. Kjo frymë dhe ky fond njerezor, qe ajo që shërbeu për ndërtimin e institucioneve të artit dhe kulturës, pas luftës. Më vonë brezi i vjetër i artistëve u zëvendësua gradualisht me më të rinjtë që mbaruan studimet në shkollat e vendeve të Lindjes, duke sjellë tipare të tjera artistike nga vendet prej nga vinin.

Problemi me këtë plejadë krijuesish qe pikërisht ajo shkëputje për të cilën fola më lart. Shumë krijues u ndodhën para të papriturash edhe në jetën e tyre, diku filluan dënimet. Të gjitha këto shkaktuan jo pak lëkundje në art dhe kulturë.

Por krijuesit që u shkolluan jashtë, krijuan një fond muzikor që pasqyronte vizionin dhe konceptet e pedagogëve të tyre të njohur. Kështu u krijua një bazë krijimesh, e cila qëndron edhe sot me dinjitet në arkivin e muzikës shqiptare. Një tipar i lavdërueshëm i kësaj krijimtarie, është se e ruajti tharmin dhe ngjyrimin tonë kombëtar.

Veprat e para muzikore nuk patën politizim të dukshëm. As baleti “Halili dhe Hajria”, as opera “Mrika”, as “Cuca e Maleve”, kanë indirekt ndonjë term të politizuar, por pasqyrojnë fenomene zhvilluese në vend. Për shembull “Mrika” flet për ndërtimin e një hidrocentrali, një vepër e mirëfilltë industriale, që zhvillonte zonat e thella të vendit. Gjithashtu edhe “Cuca e Maleve”, në balet flet për dashurinë me një vajze dhe një djali arsimdashës, si dhe të një kleriku, i cili, siç ndodh në gjithë botën, sipas psikanalizës, pëlqen vajzën e re. E gjen këtë fabul, në kushte të ngjashme, edhe tek Katedralja e Parisit. Është kritikuar, për shembull, se në muzikën tonë me frymë klasore të atyre viteve, kishte tone triumfaliste. Ngre pyetjen: po një valle e Tropojës, apo një këngë polifonike labe, a nuk ka brenda tone triumfaliste?! Ajo është e gjitha një krijim që himnizon triumfin e jetës dhe të së bukurës.

E keqja është se kjo trashëgimi e jona, është gjykuar jo mbi bazën e vlerave që krijoi, pro mbi bazën e një seleksionimi me ngjyrim politik, i cili është gjithmonë i gabuar, nga cilido pozicion. Unë mendoj se në drejtim të ruajtjes së vlerave tona, ne duhet të jemi shumë më të gjerë dhë të mirëkuptueshëm. Detyra e jonë është që këto vepra t’i ruajmë, përtej klisheve të kohës kur u krijuan. Sepse ju kujtoj se edhe Verdi i ndryshonte kohë pas kohe libretet e tij, sipas situatave politike në të cilat ndodhej Italia e asaj kohe. Po ashtu vepronin edhe artistë të tjerë të mëdhenj.

Cilat veprat ju mungojnë dhe që do të kishit dashur t'i kishit vënë në skenë?

Unë jam shumë i lumtur që e mbylla periudhën time me shfaqjen e “Tannhauser”-it të Vagnerit. Ka qenë një projekt i vjetër i imi që u bë i mundur nga një bashkëpunim me artistë amerikanë dhe gjermanë. Më mungon një opera e madhe ruse, që do të ishte hapi tjetër i projektit. Më mungon “Evgjeni Onjegin”, për të përfunduar me një shfaqje të “Boris Godunovit”.

Largimi nga drejtimi i TKOB ka ndodhur muaj më parë. Si e shihni sot atë moment?

Ma merrte mendja që revanshet sjellin edhe viktima, por viktima në këtë rast nuk është njeriu, por institucioni. Unë e konsideroj këtë si diçka thelbësisht vulgare. Çfarë ka të bëjë me politikën një drejtor i një institucioni kulturor? Pse duhet interpretuar politikisht, diçka që duhet interpretuar profesionalisht? Më vjen keq që në programet e partive tona politike, ose nuk thuhet asgjë për artin, ose thuhen shpesh gjëra të gabuara, që duhen korrigjuar.

 

Kështu që unë e quaj atë që ndodhi me mua, por duke dashur sinqerisht ta distancoj nga emri dhe personi im konkret, si një zhvillim negativ dhe të panevojshëm. Shfaqjet do vazhdojnë, galeritë do të hapin sërish ekspozita, bibliotekat do kenë prapë lexues e kështu me rradhë. Jeta i bën vetë bilancet e vlerave. Arti ka nevojë për liri, ka nevojë për trajtim, ka nevojë për fjalën e mirë dhe mbi të gjitha për mirëkuptim.

SHKARKO APP