Diplomatët perëndimor kërkojnë përmbajtje nga gjuha fyese
Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, u bënë thirrje udhëheqësve politikë që të përmbahen nga gjuha që nxitëse dhe të respektojnë lirinë e shprehjes.
“U bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë të Kosovës që të debatojnë sfidat e shumta dhe mundësitë e shumta të vendit pa fyerje e kërcënime E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga aftësia e udhëheqësve të saj për të dhënë një shembull pozitiv të ligjërimit qytetar dhe respektimit të lirisë së shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, veçanërisht sulmet personale me qëllime politike, mund të kontribuojnë në një atmosferë që inkurajon akte dhune. Populli i Kosovës meriton më mirë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të ambasadorëve të pesë vendeve perëndimore.
U.S. Embassy Pristina
✔
@USEmbPristina
We call on Kosovo’s political leaders to debate the many challenges and opportunities facing Kosovo without recourse to insults and threats. The people of Kosovo deserve better. https://xk.usembassy.gov/stjune11/
Statement from the Ambassadors of France, Germany, Italy, the United Kingdom, and the United States…
We call on Kosovo’s political leaders to debate the many challenges and opportunities facing Kosovo without recourse to insults and threats. Kosovo’s democratic future depends on the ability of its…
xk.usembassy.gov
20
3:21 PM – Jun 11, 2020
Twitter Ads info and privacy
See U.S. Embassy Pristina’s other Tweets
Diplomatët nuk përmenden ndonjë rast të caktuar, por udhëheqësit politikë kanë shkëmbyer kohëve të fundit akuza e kundër akuza përgjatë debateve për zhvillimet politike në vend.
Rasti i fundit që nxiti shumë reagime ishte ai me kryetaren e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani. Në rrjetet sociale u publikua një fotografi e dy policëve serbë, më pretendimin se njëri prej tyre ishte i ati i zonjës Osmani.
Publikimi u përgënjeshtrua nga organizatat për të drejtat e njeriut ndërsa zonja Osmani shkroi se “një numër i madh shpifjesh, ashtu edhe siç pritej, po publikohen e shpërndahen këto ditë, por kur ato kalojnë çdo kufi dhe tentojnë të cenojnë integritetin familjar, atëherë duhet edhe të reagohet edhe të denoncohen shpifësit e të ndjeken rrugët ligjore. Përkrahësit e tregtarëve të kufijve paskan gjetë një fotografi të dy policëve serbë dhe pa fije turpi gënjejnë se njëri nga ta në foto është babai im Raif Osmani. Natyrisht që në atë foto nuk është babai im e natyrisht që edhe gënjeshtra se ai ka punuar për serbët është shpifje e rradhës e atyre që sot e kthyen Kosovën në varësi të Beogradit”, shkroi mes tjerash ajo.
Por, dy ditë më pas, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një interviste ne Klan Kosova, duke komentuar një deklaratë të zonjës Osmani sipas së cilës “Thaçi duhet të sqarojë a qëndron ende prapa idesë për korrigjim të kufijve”, tha se “projektet e mia kanë qenë gjithmonë për t’u përballur me Serbinë dhe kështu kemi fituar lirinë dhe pavarësinë. Nëse dikush nga Osmani i ka shërbyer Serbisë në atë kohë, unë i kam luftuar ata. Po të isha në vend të Osmanit do të isha djersitur. Do të flas shumëçka nëse ajo vazhdon të shpifë”, tha ai.
Zonja Osmani reagoi menjëherë. “Sonte, gjarpri (referim për emrin e luftës të zotit Thaçi) paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje. T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura. Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit”, shkroi mes tjerash zonja Osmani.
Ndaj publikimeve rreth familjes së zonjës Osmani reagoi edhe kryetari i Lidhjes Demokratike Isa Mustafa i cili shkroi se “atakimi i familjes së Kryetares së Kuvendit, znj. Vjosa Osmani është neveritës. Mospajtimet institucionale, rivalitetet partiake dhe politike duhet t’i shprehim dhe debatojmë ndërmjet nesh, jo përmes etiketimit të prindërve, fëmijëve apo familjarëve. Kjo është mënyra më morbide e luftës politike”, shkroi mes tjerash ai.
Rrjeti i Grave të Kosovës shprehu shqetësimin duke bërë thirrje “që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i Osmanit në sferën publike”.
“Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj, puna dhe performanca e saj duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, thuhet mes tjerash në reagimin e Rrjetit të Grave në të cilin theksohet se “kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linçime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira”