12 mijë të vaksinuar në Kosovë
Procesi i vaksinimit të qytetarëve në Kosovë ndaj Covid-19, po ecën me ritme tepër të ngadalta. Që prej nisjes së fushatës së imunizimit, 3 javë më parë, janë vaksinuar vetëm 12 mijë persona me produktin e Astra Zeneca, ndërsa dozat në dispozicion ishin 24 mijë. “E kemi përcjell procesin e vaksinimit dhe kemi pak vaksina, mirëpo vaksinimi është duke shkuar tepër ngadalë, që rrjedhimisht edhe po të kishim më tepër vaksina me këtë trend nuk do mund të vaksinonim më shumë qytetarë”, thotë Besim Kodra, nga Shoqata e Pacientëve.
Për Hana Xhemajlin, specialiste e Shëndetësisë Globale, “procesi po shkon pak më ngadalë sesa që është planifikuar, mirëpo për shkak se raundi i parë i vaksinimit është tek stafi mjekësor ardhja e tyre dhe bartja e tyre në sallën ‘1 Tetori’, ka pasur disa ngecje, por në përgjithësi janë duke u vaksinuar njerëzit edhe nëse duhen edhe një javë më shumë se sa që është planifikuar”.
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës thotë se gjithçka po ecën sipas planit. Gjithashtu pohon për Kosova Press se nuk asnjë nevojë për të nxituar. “Plani i punës ka qenë shumë dinamik dhe duke marrë parasysh siç po e shihni këtë hapësirë që ne e kemi në dispozicion ne kemi qenë të përgatitur gjithmonë për fluksin e njerëzve nga 750 deri në 1 mijë persona në ditë dhe aq ekipe i kemi pasur të gatshme, edhe sikur ta kishim atë fluks brenda një orari zyrtar nga ora 08:00 e deri në 19:30 padyshim që do e përballonim shumë suksesshëm”, thotë Niman Bardhi, koordinator i Qendrës së vaksinimit në Prishtinë”.
Një problem tjetër që ngrihet është dhe menaxhimi i dozave. Për Shemsedin Dreshaj, anëtar i komisionit parlamentar për shëndetësi, “ka shumë çka për të dëshiruar aty pasi që vërtet na është zgjatur procesi i vaksinimit. Jemi duke punuar me doza të vogla të vaksinimit, kur të na vijnë ato 100 mijë doza si do të veprojmë? Nëse do të vazhdojmë me një tempo të tillë të shpërndarjes dhe marrjes së vaksinës vërtetë do kemi probleme në distribuimin e saj”.