23 vjet nga epopeja e UÇK-së, kryhen homazhet në kompleksin memorial të Jasharëve

Kanë kaluar 23 vjet që kur heroi i Kosovës, Adem Jashari, dhe familjarët e tij nisën një luftë disaditëshe pas ofensivës së ushtrisë serbe, ku ata edhe ranë dëshmor. Ngjarjet heroike të atyre ditëve u përkujtuan nga qytetarë dhe krerë institucionalë.

E premtja shënoi 23 vjet nga dita kur Adem Jashari, kryekomandanti dhe një nga themeluesit e UÇK-së, nisi betejën e tij të fundit me forcat serbe.

Prekazi konsiderohej zemra dhe koka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe atje, mes datave 5, 6 dhe 7 mars 1998, Jashari bashkë me mbi 50 anëtarët e familjes së vet do të sakrifikoheshin për liri.

Epopeja e tyre u përkujtua që herët në mëngjes me aktivitete të posaçme me qytetarë, funksionarë lokale e ish-luftëtarë te memoriali i Jasharëve.

Haradinaj: Jemi në vendin e shenjtë në Prekaz bëjmë nderime aty ku po shihni heronjtë tanë, baçi Shaban, komandanti Legjendar, Adem Jashari, Hamëz Jashari, familja Jashari. Një ditë që është me rëndësi jo vetëm për familjen Jashari por edhe për kombin tonë. Të bindur se duke ecur rrugëve të tyre do të arrijmë lirinë e plotë dhe forcojmë Kosovën.

Për homazhet munguan këtë vit disa nga ish-krerët e UÇK-së, të cilët qëndrojnë tani përballë akuzës në Gjykatën Speciale.

Hoxhaj: Mbajtja dhe qëndrimi i tyre para gjykatëse tyre para gjykatës tregon se ende nuk ka përfunduar sakrifica jonë për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi dhe ne jemi të sigurt që ata personalisht do të kthehen që të vendosin lule pranë varreve të familjes Jashari, do ta mbrojnë lirinë, do ta mbrojnë pavarësinë, sikurse kanë bërë gjatë luftës, sikurse kanë bërë edhe gjatë paqes.

Në nder të Epopesë së UÇK-së parakaluan gjatë ditës edhe Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Manifestimit iu bashkuan krerët institucionalë dhe familjarë të Jasharëve.

Osmani: Brezat e tashëm dhe të ardhshëm do të jetojnë me shëmbëlltyrën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij, të cilët mbi fatin e tyre e vunë fatin e kombit duke u flijuar që të gjithë për liri. Sot 23 vjet më parë në Prekaz, familja Jashari luftoi për të mbrojtur pragun e shtëpisë, për të mbrojtur familjen ,për të mbrojtur Prekazin por për të mbrojtur të gjithë Kosovën, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familje e cila bëri sakrificën më sublime të vetëflijimit për atdhe që ne sot ta gëzojmë lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë.

Hoti: Ju drejtohem sot në këtë datë unike të historisë tonë më të re, datë që shënon jo vetëm rënien e komandantit legjendar Adem Jashari dhe 59 anëtarëve të familjes Jashari, por edhe fillimin e fundit të robërisë shekullore. Akti i rezistencës së armatosur të Adem Jasharit dhe familjes, dhe i Prekazit të tij heroik, i filluar në mëngjesin hershëm të 5 marsi 23 vjet më parë dha frymëzimin e madh për t’i rezistuar një regjimi. Këto tre ditë të rezistencës në Prekaz, dhe kushtrimi për popullin tonë, lirinë dhe pavarësinë, si dhe alarmin për qendrat e vendimmarrjes botërore për të ofruar mbështetje për të vërtetën e Kosovës dhe popullit të saj, për mbrojtjen e vlerave të qytetërimit perëndimor, si dhe lirive të drejtave fondamentale njerëzor.

Djali i Hamëz Jasharit, që ra dëshmor atëkohë, kërkoi unitet pavarësisht dallimeve politike.

Jashari: Sakrifica shekullore e popullit tonë, lufta dhe gjaku i derdhur ndër shekuj është bazamenti i shtetit tonë demokratik të ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë. Pra, shteti që e krijuam falë atyre që nuk kursyen as jetën tani e kemi amanet që ta duam dhe ta zhvillojmë në mënyrë që të rinjtë tanë dhe gjeneratat që vijën ta gjejnë perspektivën dhe të ardhmen e tyre në Kosovë, në rrugën tonë për shumë sfida duhet të jemi të bashkuar përtej dallimeve tona politike në mënyrë që të jetësojmë amanetin e dëshmorëve dhe heronjve tanë. Sot 23 vite pas, fal punës së përbashkët dhe kontributit të të gjithëve kemi ushtrinë tonë e cila tashmë radhitet në mesin e ushtrive tjera në ruajtjen e paqes në botë, krahas ushtrisë amerikane dhe NATO-s.

Parakalimi i FSK-së në kazermën “Adem Jashari” shënoi fillimin e aktiviteteve treditore që kulmojnë më 7 mars me ndezjen e pishtarëve në Prekaz, e njohur edhe si “Nata e Zjarreve”.

SHKARKO APP