34 infektime të reja me koronavirus! Kosova shënon më shumë raste se Shqipëria
Autoritetet shëndetësore të Kosovës kanë njoftuar 34 raste të reja të diagnostikuara pozitive me koronavirusin e ri (COVID-19), duke e çuar në 703 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, ndër të cilët deri më tani 19 kanë vdekur dhe 162 të tjerë janë shëruar.
Kështu, Kosova regjistron një numër infektimesh më të lartë se Shqipëria, zyrtarisht 678 raste.
Bazuar në të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), nuk është raportuar ndonjë vdekje e re, por 3 pacientë të rinj janë shëruar, duke e çuar në 162 numrin e përgjithshëm të të shëruarve në vend. Rastet e reja të diagnostikuara pozitive me koronavirus janë raste kontakti, nga komuna të ndryshme të Kosovës, nga të cilat Komuna e Gjilanit prin me numrin më të madh të të diagnostikuarve pozitivë me COVID-19.
IKSHPK njofton se sot janë kryer 263 teste të dyshimta për COVID-19, ndërsa numri i përgjithshëm i testeve të kryera në vend deri më tani është 5.890.
Nga ky institut përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve pozitive me koronavirus, si dhe kontaktet e kontakteve, duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptoma.