46 kosovarë të vdekur në Siri dhe Irak
Luftrat në Siri e Irak morën jetën e 46 kosovarëve dhe kjo duhet të jetë shqetësim i të gjitha niveleve në vend, si atyre qendrore, ashtu edhe lokale.
Kështu u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, gjatë vizitës në Komunën e Prishtinës, ku ka përsëritur shqetësimet e tij lidhur me shkuarjen e kosovarëve në luftëra të huaja.
Hyseni në takimin me Këshilli komunal të kryeqendrës për Siguri në Bashkësi ka theksuar se, sipas Departamentit të Antiterrorizmit të MPBsë, pre e ideologjive militante fetare janë kryesisht të rinjtë.
Shqetësim tjetër i shprehur në takimet në komunën e Prishtinës ishte edhe siguria e shoqërisë së Kosovës, ku u kërkua që të rritet numri i policëve në qarkullimin rrugor. Ministri i Brendshëm tha se Këshilli komunal për Siguri në Bashkësi dhe anëtarët e këtij këshilli janë zërat më të mirë për të dërguar mesazhin vetëdijësues kundër ekstremizmit.