5 mijë euro gjobë për shoferët shqiptarë
Shoferët e një autobusi nisur nga Peja drejt Gjermanisë, janë dënuar me 5 mijë euro gjobe, pasi nuk kanë bërë pushimet e nevojshme të parashikuara gjatë rrugës, e cila zgjati 31 orë. Autobusi nga Kosova bënte linjën ndërkombëtare në mes të Kosovës (Pejës) dhe Dortmundit, Gjermani. Gjatë kontrollit, fillimisht shoferi kishte thënë se ishin dy veta që bënin punën e shoferit në këtë autobus. Ndërkaq, pas kontrollit në diagram, zyrtarët konstatuan se mungonin 1200 kilometra, transmeton albinfo.ch. Me shikimin e biletave u konstatua se autobusi ishte nisur nga Peja më 11.11.2019 në orën 7 të mëngjesit.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm, u konstatua se në autobus ishte edhe një shofer i tretë. Verifikimi i kohës së ngasjes dhe të pushimit solli në konstatimin se autobusi kishte udhëtuar gjithsej 31 orë. Ai nuk e kishte bërë pushimin ditor që duhet ta bëjë jashtë autobusit, çdo shofer pas 21 orësh. Me këtë, në momentin e kontrollimit, koha e lejuar ishte tejkaluar me dhjetë orë.
Krahas kësaj janë gjetur edhe vërtetime të rrejshme mbi kohën e pushimit. Ndërsa shoferi i tretë nuk mundi të prezantojë dëshmi për kohën sa ka drejtuar autobusin (nëse e ka drejtuar). Për këtë arsye ekziston dyshimi se ai nuk ka përdorur kartën përkatëse. Sikur të mos mjaftonin këto, në autobus u gjetën edhe defekte serioze teknike. Kështu, autoritetet ndaluan vazhdimin e rrugës për këtë autobus, për shkak të mungesës së dëshmisë për pushim të shoferëve dhe për shkak të defekteve teknike të autobusit. Për tre shoferët dhe për firmën e autobusit janë iniciuar procedura përkatëse të procedurës administrative, ose gjithsej 5000 euro gjobë. Shtatë udhëtarët e autobusit u dërguan me një autobus tjetër deri në destinacion.