7 marsi, mësues nga Kosova te Mësonjëtorja e parë
Dhjetëra mësues nga Kosova kanë zgjedhur Korçën për të kaluar festën e 7 Marsit si dhe për të parë nga afër muzeun e Arsimit Kombëtar që ndodhet në këtë qytet, në godinë mbi 200-vjeçare.
Të gjithë kanë pranuar emocionet që ju ka shkaktuar prania për herë të parë në Muzeun e Arsimit, por nga ana tjetër nuk janë ndierë mirë kur nuk kanë pasur mundësi ta vizitonin nga brenda godinën, ku për herë të parë është shkruar dhe mësuar shqip.
Kjo për arsye se ambientet e brendshme janë në rikonstruksion. Godina prej gati 1 viti po i nënshtrohet rikonstruksionit total pasi ka qenë tejet e amortizuar, krahas rikonstruksionit të plotë, po ndërhyhet edhe në pjesën e brendshme me elementet e historikut të arsimit shqiptar e që do të pasqyrohen në këtë muze.