A po na përsëritet historia në variantin më tragjik?!

Nga Jakup Krasniqi/Që nga viti 1878, sa herë që na janë rrëmbyer pjesë të rëndësishme të trojeve etnike, si nga Traktatii Shën-Stefanit dhe Kongresi famëkeq i Berlinit, nuk kanë munguar jo pak shqiptarë lakmitarë të pushtetit që të thoshin: “S’ka gjë”, se kështu po thotë: “Baba Mbret”. Madje kjo “s’ka gjëja”, shqiptarëve u është përsëritur jo më pak së pesë herë (1878, 1913, 1925, 1945 dhe, së fundmi në 2015).

Ç’prej atëherë shqiptarëve u janë përsëritur mbase katër llahtari të mëdha, u janë përsëritur katër periudha gjenocidi (1876/78, 1912/1913, 1944/45 dhe ai i vitit 1998/99). Problemi nuk është vetëm pse ndodhen këto shkëputjesh të mëdha territoresh (në mesin e këtyre territoreve ishte dhe Çamëria), por pse në kontinuitet nuk kanë munguar përpjekjet nga vetë shqiptarët, madje në kohën tonë edhe “akademikë” e ”shkencëtarë”, se për “politikanë” të mos flasim, që t’i rehabilitonin dhuruesit e hapësirave shqiptare, armiqve të Shqipërisë! Ky fenomen është shfaqur edhe në mileniumin e ri (shek. XXI)!

Nuk ka dyshim se rastet më eklatante ishin ai i vitit 1925, kur Zogu ia fali Vermoshin e Shën-Naumin Serbisë dhe tani, kur Thaçi e Mustafa po ia falin hiç më pak se mbi 8200 hektarë tokë (nga më strategjiket!) Malit të Zi! Veprime të tilla sikur janë kthyer e po trajtohen si normalitet për një pjesë të shqiptarëve. Se herave të tjera “disi” mund të arsyetohemi, se ishin vendimet e Fuqive të Mëdha!

Herën e parë, në 1876/78, nga forcat e Princ Millanit, është zhbërë Shqipëria e Toplicës, nga ku janë zhbërë (shkatërruar) mbi 500 vendbanime shqiptare, të cilat veprime u legjitimuan nga Traktati i Shën-Stefanit dhe Kongresi i Berlinit. Madje nga ky i fundi, Mali i Zi në përbërjen e tij gëzonte 50 për qind toka të shqiptarëve! Kështu ishte, kur Fuqitë e Mëdha të Evropës në emër të dobësimit të Perandorisë Osmane, tokat shqiptare ua dhuronin të krishterëve shovinistë (me gjuhën e sotme mund të thuhet edhe ekstremistë!) të Ballkanit. Nuk duhet mohuar fakti, se në letër, vendimet e Kongresit të Berlinit i obligonin shtetin e Serbisë e të Malit të Zi, që t’i rikthenin të shpërngulurit në trojet e tyre dhe t’i respektonin të drejtat e pakicave, por në praktikë një gjë e tillë nuk ndodhi kurrë! Përkundrazi, përpjekjet serbe për shkatërrimin e dëbimin e shqiptarëve nuk pushuan kurrë, madje as sot e kësaj dite!

Herën e dytë, në1912/13, në Luftën e Parë Ballkanike, kur ushtritë e Serbisë e të Malit të Zi, ushtruan gjenocidin e radhës, të dytë, mbi popullsinë shqiptare të Kosovës e të Maqedonisë. Në vitin 1913, të dielën e Pashkëve, në prag të Luftës së Parë Botërore, shkrimtari vienez, izraeliti Leo Frojndlih (Leo Freundlich), e kishte botuar një libër që jo rastësisht e kishte titulluar: “Akuza që ulërijnë”). Në atë libër autori rrëfen për “Golgotën shqiptare” ose holokaustin shqiptar siç e ka cilësuar gjermani Hans Peter Rullman në parathënën e librit “Golgota shqiptare”, botuar në HAMBURG 1992 (shih, Leo Frojndlih: Golgota shqiptare, “Lilo”, Tiranë 1995, f. 10), gjermanisht, anglisht dhe kroatisht.

Në faqen 39 të librit, izraeliti Leo e tregon qëllimin e librit të tij. Ai thotë: “Qëllimi i këtij botimi është ngritja peshë e ndërgjegjes së popullit Evropian. Raportet e përmbledhura këtu në vetvete përmbajnë disa nga ata që kemi mundur të grumbullojmë. Tjetër.

Materiali është i njohur nëpër qeveritë e Evropës përmes konsujve të tyre zyrtarë, si dhe nga artikujt e bollshëm që janë pasqyruar në shtyp.”  Në të njëjtën faqe, gjithnjë sipas të dhënave të kohës, autori kishte argumentuar me të dhëna të shumta se Serbia dhe Mali i Zi kishin ardhur në përfundimin se: “Shqiptarët duhet shfarosur”.

Sipas autorit, kjo politikë e gjenocidit, kishte shkaktuar shumë reagime, me ç’rast sjell reagimin e francezit Pierre Loti, i cili kishte shkruar: “Një popull trim, një popull të shquar, po e torturojnë të mbërthyer në kryq përpara syve të gjithë botës. Por Evropa, Evropa Kristiane, Evropa e civilizuar, nuk po flet qoftë edhe një fjalë për këtë.

Me dhjetëra-mijëra numërohen njerëzit e pambrojtur, të cilëve u ka kaluar qafa nëpër tehun e thikës e të bajonetës, gratë e përdhunuara, pleqtë dhe fëmijët e mbytur, me qindra fshatra të djegura e të rrafshuara për tokë; priftërinjtë të lënë pa frymë. Por Evropa vazhdon të heshtë”. (Po aty, f. 39).

Për të realizuar politikën “shfarosëse (shkatërruese – J. K.)”, shtetet e përmendura e kishin vetëm një gjuhë dhe ajo ishte, gjuha e çizmes me gozhdë, e çizmes më çnjerëzore të ushtarit të shfaqur në mënyrën më të llahtarshme të mundshme dhe të paparë në Evropën e kohës. (Po aty). Ato llahtari Evropa do t’i shihte vetëm në kohën e nazi-fashizmit, në Luftën e Dytë Botërore.

Ato llahtari e kishin shtyrë, njohësen më të mirë të popujve të Ballkanit, Edit Durhramin që t’ia dorëzonte Medaljen e Florinjtë Kral Nikollës dhe t’i thoshte: “… tani e di mirë se Kral Nikolla dhe pasuesit e tij, janë shumë më mizorë sesa Turku dhe nuk mund ta mbaja qoftë edhe një çast më tepër dekoratën e tij të përlyer me gjak”. (Po aty, f. 30). Edhe në luftën e fundit, regjimi i Beogradit ka ndjekur të njëjtën shkollë. Me këtë rast po e shkëpusim një përshkrim te intelektualit e gazetarit serb, Mirosllav Filipoviq.

Ai thotë: ”Jo vetëm që kam plotësisht të drejtë, por ato ngjarje që i kam përshkruar në rrëfimet e mia, janë lodra fëmijësh në krahasim me atë që u kanë bërë djelmoshat tanë civilëve kosovarë. Gjatë kohës që isha në burg më shkruanin edhe priftërinjtë dhe murgjit që kishin shërbyer në Kosovë. Në ditarët e këtyre etërve përshkruhen, nga dita në ditë, mëkatet që bënin policët dhe ushtarët tanë. Ditarët e këtyre priftërinjve dhe murgjve janë plot me shqiptarë të vrarë, shqiptare të dhunuara, fëmijë të vdekur dhe të djegur (…).

Politikanët tanë, as që i komentojnë këto ngjarje e lëre më t’i dënojnë (…). Sado që dikush mendon se ky operacion ishte i justifikueshëm dhe i duhur në planin kombëtar, ose ‘kombëtarisht i nevojshëm’, qëllimi i operacionit «Patkoi» është kriminal”. (Mirosllav Filipoviq: “Dugi marš ka istini o zlocinima”, Marsh i gjatë drejt së vërtetës për krimet, Revista Republika nr. 263).

E njëjta logjikë, me atë që e thoshte serbi Filipoviq para shumë viteve, po vazhdon edhe sot nga qeveritarët e Beogradit, madje edhe pas pesë viteve të bisedimeve me ndërmjetësimin e Brukselit! Qeveritarët serbë planifikojnë t’i ngrenë Përmendore edhe Millosheviqit! Kjo i bie sikur gjermanët e italianët t’iu ngrenë përmendore Hitlerit e Musolinit?! Mbase edhe më keq! Po të vepronin kështu evropianet në vitet e ’50-ta, a thua do të kishte BE?

Herën e tretë, në 1925, pasi Zogu ishte kthyer në pushtet me ndihmën e qeverisë serbe të Pashiqit dhe si shpërblim, qeveria e Zogut ia dha Serbisë Vermoshin dhe Shën-Naumin në rajonin e Ohrit. Më pas Zogu e filloi masakrimin e patriotëve shqiptarë. Ndonëse, çuditërisht, sot e gjithë ditën, bëhen përpjekje për ta arsyetuar Ahmet Zogun! Po, shqiptarët sipas Fallmerajerit (Jacob Philipp Fallmerayer), “tradhtinë e marrin si diçka normale”. Kjo, mbase na ka mbetur që nga koha e Skënderbeut.

Hera e katërt, në 1944/45, kur ndodhi një terrori egër i ushtruar nga partizano-çetniket e Tito-Rankoviqit, dhe me mbështetjen e disa “shqiptarëve”. Madje, në verën e 1945-ës vendosen që Kosova t’i aneksohej Serbisë! Edhe kësaj radhe, si zakonisht pati shqiptarë që thanë: “S’ka gjë!”. Ndashtë ishte bërë refren i një kënge që përsëritej sa herë shqiptarëve iu shkëputej një copë tokë!

Hera e pestë, në 2016! Dy njerëz, kanë vendosur që Serbinë ta bëjnë hisedare në sovranitetin e shtetit përmes Listës Serbe (që vazhdojnë të mos e njohin Kushtetutën, ligjet dhe simbolet e Republikës së Kosovës, pra, që nuk e njohin shtetin e Kosovës!) dhe Malit të Zi t’ia falin mbi 8200 hektarë të tokës stërgjyshore, se kështu po e kërkon interesi i pak njerëzve që kanë grabitur pushtetin. “Po na thonë miqtë”, deklarojnë paturpësisht këta qeveritarë!!! Dhe për hatër të tyre përsëri s’ka gjë! -Jua falim malazezëve “do bakrrina  në Bjeshkët e Nemuna”, po mëshirohen Isa e Hasha!

Është ky një refren tepër i njohur vite e vite për çdo shqiptar të vëmendshëm!

Përfaqësuesit e popullit shqiptar të Kosovës kanë rastin ta vazhdojnë pambarim refrenin… apo, shkurt, t’i thonë një Jo të madhe! Le të shpresojmë se një refren ndryshe do ta këndojnë DEPUTETET e Kosovës!

Historia është duke na u përsëritur në variantin më tragjik të mundshëm.

SHKARKO APP