A po rrëshqet Kosova drejt radikalizmit fetar?
Sociologët kosovarë thonë se feja islame në Kosovë nuk duket që është në formën e saj ashtu siç është predikuar me shekuj. Ka dështuar edhe shteti.
Feja në Kosovë – shembull i mirë!
Feja islame në Kosovë ka filluar së fundi në disa segmente të ketë forma të radikaliuzara. Për rrjedhojë islami nuk duket që është në formën e tij ashtu siç është predikuar me shekuj me të cilin një pjesë e popullsisë është mburrur dhe e ka përqafuar atë – si besim dhe si kulturë. Kështu thonë sociologët dhe teologët kosovarë, në kohën kur në Kosovë është ngritur alarmi për siç thuhet “rrëshqitje”, i një pjese të popullatës nga civilizimi perëndimor në atë lindor.
Një studim i fundit i publikuar nga Instituti për Hartimin e Politikave (KIPRED) në Prishtinë, ka nxjerrë në pahë se në Kosovë është duke u rritur numri i qytetarëve që identifikohen me religjionin para përkatësisë së tyre kombëtare.
Çfarë po ndodhë me shqiptarët?
“Çfarë ndodhi me shqiptarët e Kosovës. Ndikimi i fesë në identitetin etnik në periudhën e shtetndërtimit”, quhet hulumtimi që vë në pah se standardi i jetesës nuk është përcaktues i bashkjetesës fetare, mos tolerancës fetare dhe ekstremizmit.
“57 përqind e shqiptarëve myslimanë e ndjejnë veten shqiptarë së pari pastaj myslimanë. 32 % e ndjejnë veten së pari myslimanë e pastaj shqiptarë dhe kjo është ajo zhvendosja shumë e madhe, ku identiteti shqiptar shndërrohet në identitet linguistik dhe është ai drejtimi që po e merr drejt për këtë pjesë të shoqërisë, si një shoqëri religjioze – etnike, në vend që të ishte etnike dhe pastaj me elemente fetare qysh kanë qenë përpara shqiptarët”, thotë Drejtori i Institutit (KIPRED), Lulzim Peci.
Fundi i shqiptarisë?
Nëse ky trend vazhdon me këtë ritëm, atëherë ka rrezik që të shënohet siç thotë ai, “përfundimi i shqiptarisë”, ashtu siç e njohim ne dhe me të së bashku edhe fundi i Kosovës sekulare dhe pro-perëndimore.
Po si e shpjegojnë këtë fenomen sociologët kosovarë? Smajl Hasani, sociolog i religjionit i tha DW-së, se “shpërfaqja e radikalizmit fetar në fazat fillestare, elementi i revitalizimit të religjionit pas gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë është diçka e natyrshme, sepse njerëzit fillojnë të mendojnë për përkatësinë e tyre konfesionale në shoqërinë post-konfliktuale. Por shfaqja e radikalizmave në trajtën e ekstremizmave në vendet e predikimit në situatat që janë krijuar nga fushëbetejat e pakuptimta në Lindjen e Mesme, është diçka që vështirë mund të kuptohet pa një analizë të mirë në aspektin sociologjik në aspektin psikologjik dhe në dimensione tjera etnokulturore. Ajo çka po i ndodhë Kosovës është diçka e veçantë për identitetin kur dihet që pjesa dërmuese e popullsisë së Kosovës i përkasin dy përkatësive të mëdha konfesionale – fesë myslimane dhe katolike. Pra, kjo që po ndodhë vërtetë është vështirë të kuptohet”, thotë Smajl Hasani.
Njëri nga hulumtuesit e Institutit për Hartimin e Politikave, Agon Demjaha, thotë se institucionet e Kosovës dhe partitë politike kanë pasur një qëndrim të paqartë kundrejt radikalizmit islamik në Kosovë. Shteti, sipas tij, ka dështuar në luftimin e nxitjes së urrejtjes fetare.
Dështimi i shtetit
Në këtë linjë, sociologu Smajl Hasani, thotë se reagimi i institucioneve të Kosovës pas shfaqjes së radikalizmit fetar ishte i vonuar. “Është e vërtetë që zgjimi jonë ndodhi shumë vonë, sepse ka kohë që janë dhënë shenjat e para të radikalizmit në Kosovë, sidomos në raste të ndryshme nga predikime nga qarqe të ndryshme. Por, reagimi jonë ka qenë i vonuar. Në anën tjetër, sistemi jonë edukativo-arsimor, parauniversitar dhe universitar, lë shumë për të dëshiruar. Kjo sepse disa nga përmbajtjet e lëndëve, të cilat fëmijët tanë detyrimisht i mësojnë, do të duhej të rishikohen dhe të futen pjesë të silabuseve të reja, që do të nënkuptonin mësim më tepër për civilizimet, për kulturën dhe etninë”, thotë sociologu Hasani.
Një numër jo i vogël i kosovarëve, sidomos viteve të fundit, u janë bashkuar grupeve ekstremiste që po luftojnë në Lindjen e Mesme. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, numri i personave të identifikuar që kanë marrë pjesë apo po marrin pjesë në luftëra në Lindje të Mesme është afër 300 persona. Këta persona janë ndikuar nga ideologji të gabuara. Sipas teologëve, luftimi në emër të fesë është i gabuar dhe kjo ideologji asnjëherë nuk ka qenë e pranishme të trevat shqiptare, thotë për DW-së, Besa Ismaili, teologe në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Influencimi nga ideologji të gabuara
“Ne besojmë që kjo që po ndodhë në botë nuk ka lidhje me fenë, por që feja ka një përgjigje për ta dhe ne dëshirojmë që këtë përgjigje ta përçojmë tutje. Në mesin e fetarëve të mirëfilltë nuk ka ekstremistë. Në fe nuk ka dhunë, në fe ka vetëm dashuri”, thotë Besa Ismaili.
Sipas saj, asnjë person që deri tash është identifikuar si pjesëmarrës në luftërat në Lindjen e Mesme, nuk ka dalë nga medresetë e Bashkësisë Islame të Kosovës. “Për ta argumentuar këtë, bashkësia islame ka dy medrese të vajzave dhe tri medrese të djemve që funksionojnë që nga viti 1952. Deri tash kemi 200 teologe femra shqiptare që kanë studiuar islamin në gjuhën shqipe këtu në Kosovë dhe që punojnë në teren. Kemi dhe shumë teologë dhe asnjë nga këta nuk është në mesin e atyre të cilët nga institucionet e Kosovës janë identifikuar si ekstremistë apo që e kanë marrë rrugën e errësirës për në Siri”, thotë Besa Ismaili.
Personat e rrugës së gabuar
Ajo thotë se këta persona që kanë shkruar atje, kanë të bëjmë më një ideologji të huaj të panjohur për këto treva. Ndërsa të tjerët që janë edukuar në Kosovë, janë më adaptët për çrrënjosjen e dukurisë se keqe. Se ideologjia ekstremiste fetare nuk është predikuar me shekuj në këto treva, e thotë edhe sociologu Smajl Hasani.
“Ky nuk është ilami me të cilin popullata jonë është mburrur me shekuj dhe e ka përqafuar – si besim dhe si kulturë. Për fat të keq, islami tash e ka formën e shpërfaqjes së radikalizuar në disa segmente. Nëse sondazhet e kohëve të fundit janë të sakta (të cilat unë i marr me rezervë), atëherë mund të flitet për rrëshqitje të tmerrshme të civilizimit nga ai perëndimor në atë lindor, sepse ajo përqindje që del kur njerëzit i japin përparësi më shumë përkatësisë fetare sesa asaj kombëtare, është diçka tejet shqetësuese”, thotë Smajl Hasani.
Sipas hulumtimit të institutit (KIPRED), institucionet e Kosovës kanë anashkaluar problemin e rritjes së radikalizmit në Kosovë.
“Dalja në skenë e grupit terrorist ISIS, ka nxjerrë në pah sfidat e Kosovës”, pohon ai. Studimi sugjeron që sistemi i drejtësisë të zbatojë ligjin ndaj gjuhës së urrejtjes fetare dhe etnike si dhe predikimit të ekstremizmit. Kosova që nga viti 2014 është rreshtuar në aleancën kundër terrorizmit dhe radikalizmit të udhëhequr nga SHBA-së.