A shkon Kosova në zgjedhje nëse dështon votimi i qeverisë?

Për të nisur punën si Kryeministër, Albin Kurtit i duhen 61 vota të hënën në Kuvendin e Kosovës. Nëse dështon votimi, atëherë do të kalohet në nominimin e kandidatit të dytë qoftë nga Vetëvendosje apo nga ndonjë parti tjetër.

Presidenti mund të mandatojë secilin person që garanton se nuk e çon vendin në zgjedhje. Nëse të hënën dështon votimi i Albin Kurtit për kryeministër, Kosova nuk shkon menjëherë në zgjedhje të reja. Do t’i jepet mundësia edhe një kandidati tjetër për kryetar të ekzekutivit, qoftë nga Vetëvendosja fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, qoftë nga partitë tjera.

Herën e dytë, presidenti ka të drejtën dhe mund të dekretojë edhe ndonjë kandidat tjetër nga partitë tjera apo koalicionet që garantojnë se nuk e çojnë vendin në zgjedhje. Kjo sipas Kushtetutës, ndodh brenda 10 ditësh.

“Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga data e njoftimit të tyre”, thuhet në pikën 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Ndërkohë, kanë kaluar 118 ditë prej që prej mbajtjes së zgjedhjeve, dhe mbi një muaj që kur u votua Kryetari i Kuvendit. Krerët e VV-së dhe LDK-së i kanë ndërprerë për më shumë se një javë takimet e tyre dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës mbi krijimin e qeverisë.

Shkaku kryesor i mosmarrëveshjeve mbetet ndarja e pozicioneve shtetërore. Arritjen e ujdisë vazhdon ta mbajë të bllokuar posti I kryetarit të Kuvendit, të cilin Vetëvendosja nuk po bindet ta lëshojë.

SHKARKO APP