Afrim Krasniqi: Rama po gabon. Askush në Tiranë s’mund të flasë në emër të Kosovës pa u konsultuar me Prishtinën

Analisti Afrim Krasniqi deklaroi në studion e “Dita jonë” në A2 se Minishengeni Ballkanik është një “nismë dëshpërimi pas vendimmarrjes negative evropiane për hapjen e negociatave”.

“Nuk përbën një strategji afatgjatë, është për konsum disamujor. Por, për momentin po funksionon. Gjithashtu, BE dhe SHBA e pëlqejnë idenë që vendet e rajonit të bashkëpunojnë. Palët po e përdorin dhe njeriu që përfiton më shumë është Vuçiç sepse kërkon të përfitojë kredenciale në rajon dhe po godet Kosovën”, shpjegon Krasniqi.

Sipas tij, “Kosova nuk është përfshirë fillimisht në listë, por gjatë procesit, nuk është konsultuar dhe ndodhet në vakuum politik” dhe për këtë arsye Shqipëria duhej të ishte konsultuar me të paraprakisht.

“Në 1996, Rugova pati thënë që asnjë lider politik në Tiranë nuk mund të flasë për Kosovën pa u konsultuar me Kosovën. T

irana duhet të kishte komunikuar me Kosovën, por, për shkak se Rama kontrollon të gjitha pushtetet në Shqipëri, mendon se mund të ketë pushtet edhe në Kosovë.

Nëse ministri i Jashtëm do të konsultohej me liderët e Kosovës, do të kishim situatë krejt tjetër”, tha Krasniqi.

Analisti mendon se “dy kryeministrat tanë po gabojnë duke komunikuar me këtë gjuhë si deri tani”, duke iu referuar konfliktit Rama-Haradinaj.

“Nuk mund t’i thonë njëri-tjetrit gënjeshtar dhe epitete të tjera. Nuk po dëmtohet Rama apo Haradinaj, por po dëmtohet faktori shqiptar dhe ky është lajm i mirë për kundërshtarët e shqiptarëve në rajon”, shprehet Krasniqi.

Analisti mendon se “palët ranë viktimë e lojës serbe”: “Serbia bëri një lojë të dyfishtë: nga njëra anë refuzoi masakrën e Reçakut duke provokuar Kosovën dhe nga ana tjetër tha që do të jetë një nga donatorët kryesorë të Shqipërisë për situatën pas tërmetit. Kjo e zuri në kurth palën tonë, që ishte e papërgatitur.

Samiti nuk do të kishte efekt në rajon, por fakti që u kthye indirekt kundër Kosovës duke u denigruar liderët kosovarë, gjithë samiti mori konotacion tjetër. Kryeministri shqiptar foli më keq se çdo kryeministër tjetër për Kosovën. Çdo gjë tjetër është normale”.

Në lidhje me degën e Vetëvendosjes në Tiranë, Krasniqi theksoi se “më shumë kërkon të prodhojë lajm sesa të prodhojë politikë”.

Në fund, Krasniqi dha mendimin e tij edhe për kreun e SPAK, duke folur mbi dokumentin që u shfaq në internet fundjavën e kaluar: “Të gjithë individët që kanë mbaruar Juridikun përpara viteve ’90 kanë probleme të tilla sepse i tillë ka qenë sistemi.

Problemi është se nuk kemi krijuar një elitë të re gjyqësore në 30 vjet demokraci. Duke qenë se nuk e kemi bërë këtë gjë, jemi të detyruar të pranojmë atë çfarë vjen në ofertat aktuale.

Duhet t’i gjykojmë njerëzit nga ajo çfarë do të bëjnë dhe jo nga ajo çfarë kanë bërë. Sepse edhe ata që e rrëzuan komunizmin erdhën nga komunizmi.

Ky është problem kompleks dhe personalisht dua të shoh se çfarë bën SPAK-u nga sot e tutje. Nëse dështon SPAK-u, dështon gjithçka që ne besojmë.

Ka shumë pritshmëri dhe priten akte konkrete: ata që abuzojnë me pushtetin duhet të paguajnë. Individët vetë duhet të mbajnë qëndrim nëse kanë konflikte interesi, duhet të jenë transparentë me publikun”.

SHKARKO APP